Koncepti i fushatës
“Shqipëria është Biodiversitet” është një fushatë ndërgjegjësimi dhe edukuese që sjell në vëmendje llojet dhe ekosistemet e jashtëzakonshme të vendit tonë. Ajo nisi me një ndërhyrjeje artistike, e cila merr formën e një mozaiku që paraqet 38 lloje të veçanta dhe të rrezikuara. Kjo vepër artistike, u plotësua nga një program edukues, i përshtatur për fëmijë, të rinj e të rritur, si dhe një seri aktivitetesh publike që ofrojnë informacion më të detajuar rreth këtre llojeve, ekosistemeve, si dhe mbi rëndësinë e ruajtjes së tyre.
Biodiversiteti i pasur i Shqipërisë
E konsideruar shpesh si një prej nyjave nevralgjike të biodiversitetit në Evropë, Shqipëria strehon një pasuri të jashtëzakonshme të jetës së egër, pavarësisht sipërfaqes modeste të territorit. Brenda më pak se 29 mijë kilometër katrorë sipërfaqe, Shqipëria qëndron si një testament i larmisë së pashoqe të natyrës, duke strehuar mbi 3200 lloje bimësh, 800 kërpudha, 300 lloje peshqish, 360 shpendë, si dhe 70 gjitarë dhe shumë të tjerë që ende priten të zbulohen. Kjo pasuri e biodiversitetit lulëzon falë pozicionit gjeografik unik të vendit, të përbërë nga male të larta e deri te brigjet detare të paprekura.
Në zemrën malore të Shqipërisë strehohen krijesa të mrekullueshme si: i fshehti Rrëqebull i Ballkanit, kryelarti Ariu i murrmë, si dhe një shumëllojshmëri shpendësh, përfshirë Shqiponjën e malit, simbolin kombëtar, apo Kalin e qyqes, shkabën shtegtare që udhëton mbi 5 mijë kilometër çdo vit për të mbërritur në Shqipëri. Përgjatë brigjeve detare, gjejmë Breshkat e detit, Fokën e Mesdheut, si dhe Delfinë turishkurtër.
Megjithatë, ky biodiversitet i jashtëzakonshëm rrezikohet nga politika zhvillimore dritëshkurtra, të cilat i japin prioritet përfitimit monetar, në kurriz të ruajtjes së natyrës. Ka ardhur koha që udhëheqësit e Shqipërisë ta vendosin biodiversitetin në zemër të etikës qeverisëse, duke mos e njohur si burim përfitimi të ngushtë, por si një thesar që duhet ruajtur për të gjithë. Le ta ruajmë së bashku trashëgiminë natyrore të Shqipërisë, duke nderuar një histori shekullore harmonie mes njerëzve dhe natyrës. Këtë trashëgimi, ne duhet ta ruajmë dhe ta kalojmë te brezat që do të vijnë, si një testament të gjallë për gjeneratat e ardhshme.
Phd. Aleksander Trajçe. Drejtor Ekzekutiv i PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri
Pse Shqipëria është Biodiversitet është e rëndësishme për Evropën?
Biodiversiteti luan rol kyç në mbështetjen e proceseve që mundësojnë jetën në planetin Tokë, përfshirë këtu edhe ekzistencën e vetë njeriut. Në mungesë të larmisë së kafshëve, bimëve dhe mikroorganizmave, nuk do të ishte e mundur mbarëvajtja e ekosistemeve që prodhojnë oksigjen dhe që na sigurojnë lëndët e para ushqimore. Kush mund ta kundërshtojë vlerën e çmuar që natyra ka për njeriun? Kush janë ata që mund ta mohojnë lumturinë që shkakton çelja e një bime, apo pikasja e një delfini që kërcen mbi dallgë?
E megjithatë, ekosistemet natyrore të Evropës ndodhen në kushte të mjerueshme dhe lipsen masa të menjëhershme për ruajtjen e tyre. Aktualisht, vetëm 15% e habitateve natyrore të Evropës mund të klasifikohen si të ruajtura “mirë”, duke ngritur shqetësime për gjendjen e ligatinave, dunave të rërës, apo habitateve bregdetare. Degradimi i vazhdueshëm i mjedisit është pasojë e një shumëllojshmërie faktorësh të ndërlidhur, që përfshijnë: zgjerimin e zonave bujqësore dhe urbane, rritjen e popullsisë, gjuetinë e paligjshme, pakësimin e burimeve të ujit, si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike. Pasojat e këtyre sfidave janë shkatërruese.
Ndërkohë që ekosistemet dhe biodiversiteti vazhdojnë të pakësohen me një ritëm alarmant, nevoja për habitatet natyrore është më serioze se kurrë. Shqipëria ka ndërmarrë hapa domethënës, në shkallë evropiane, për ruajtjen e zonave të fundit të egra në kontinent. Fushata “Shqipëria është Biodiversitet”, thekson rolin e këtij vendi të vogël si një qendër e biodiversitetit, duke i mëshuar rëndësisë së madhe që ka ruajtja e natyrës së saj. Qëllimi i kësaj fushate është të nxisë kuriozitetin e brezave të rinj, duke i inkurajuar ata të eksplorojnë dhe të kuptojnë biodiversitetin e dallueshëm që i rrethon, duke i shërbyer në këtë mënyrë një të ardhmeje ku njeriu dhe natyra lulëzojnë së bashku!
Dr. M. Goekhan Tuncer, Drejtor i Heinrich Böll Stiftung, Zyra Tiranë
Edicioni i parë i fushatës
Përgjatë tre javëve të tetorit 2023, ngritëm një qendër burimore në sheshin Skënderbej, në Tiranë. Kjo “pikë e marrjes së shërbimit me një ndalesë” ofronte një sërë aktivitetesh dhe mundësish edukimi mbi biodiversitetin, përfshinte:
• Këndi edukativ – Një hapësirë për e dedikuar për nxënës dhe studentë për zhvillimin e orëve të mësimit dhe leksioneve të hapura mbi biodiversitetin.
• Këndi digjital – Një hapësirë për të shfaqur video dhe pamje nga jeta e egër dhe biodiversiteti i Shqipërisë.
• Hapësira e aktiviteteve – Një vend për zhvillimin e aktiviteteve si shfaqje filmash, diskutime, shfaqje interaktive dhe ekspozita të fokusuara te mbrojtja e natyrës.
• Dyqani – Një hapësirë e dedikuar për shpërndarjen e materialeve të fushatës. Të gjitha të ardhurat shkuan për përpjekjet për ruajtjen e natyrës të ndërmarra nga PPNEA.
• Këndi informativ – Një hapësirë për të mësuar mbi mundësitë e vullnetarizmit dhe angazhimit në ruajtjen e natyrës.