Shqipëria është Biodiversitet: Natyra më pranë njerëzve

Article

Falë biodiversitetit të saj jashtëzakonisht të pasur, Shqipëria është një nyjë nevralgjike e biodiversitetit në Evropë. Aty gjenden ende zona natyrore kryesisht të paprekura dhe një shumëllojshmëri llojesh, habitatesh dhe formash endemike të jetës. Kjo e bën vendin një qendër të rëndësishme për ruajtjen e natyrës në nivel Evropian. Megjithatë, Shqipëria po përballet me një nga normat më të larta të humbjes së biodiversitetit, për shkak të shpyllëzimit, erozionit, ndotjes dhe zhvillimit pa kriter.

School visit, 'Albania is Biodiversity' Resource Hub, Tirana, Oct. 2023
Teaser Image Caption
Fushata Shqipëria është Biodiversitet, Tetor 2023

Falë biodiversitetit të saj jashtëzakonisht të pasur, Shqipëria është një nyjë nevralgjike e biodiversitetit në Evropë. Aty gjenden ende zona natyrore kryesisht të paprekura dhe një shumëllojshmëri llojesh, habitatesh dhe formash endemike të jetës. Kjo e bën vendin një qendër të rëndësishme për ruajtjen e natyrës në nivel Evropian. Megjithatë, Shqipëria po përballet me një nga normat më të larta të humbjes së biodiversitetit, për shkak të shpyllëzimit, erozionit, ndotjes dhe zhvillimit pa kriter.

Për të ngritur zërin për këto sfida, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), në bashkëpunim me Shoqatën Heinrich Böll në Tiranë, ndërmori fushatën “Shqipëria është Biodiversitet”. Kjo fushatë ishte një përpjekje mbarëkombëtare për të rritur vlerësimin dhe përpjekjet për mbrojtjen e natyrës. Ajo u mbështet nga ambasada e Zvicrës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasada e Gjermanisë dhe Francës, Bashkëpunimi Italian për Zhvillim si dhe Vodafone Shqipëri. Qëllimi i saj ishte të rriste ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e biodiversitetit dhe të ngjallte diskutime mbi llojet dhe ekosistemet e rrezikuara të vendit. 
Përgjatë tre javëve të tetorit 2023, kjo fushatë u bë më e madhja dhe më jetëgjata e këtij lloji në Shqipëri, duke e sjellë natyrën më pranë njerëzve, duke frymëzuar përpjekje për ruajtjen e saj dhe duke nxitur diskutime të thella mbi biodiversitetin.
 

Një ndërhyrje artistike

Në qendër të fushatës ishte mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet”, një vepër arti prej afro 250 metra katrorë e printuar në tekstil, që shpalos 38 llojet më të rrezikuara të Shqipërisë. Kjo vepër u vendos në sheshin Skënderbej në Tiranë, pranë mozaikut simbolik “Shqiptarët”, të Muzeut Historik Kombëtar, dhe portretizon figurat patriotike të mozaikut origjinal, të përfytyruara si simbole të faunës së pasur, por të brishtë të vendit.

Kjo vepër arti, me lloje të ilustruara nga artisti i National Geographic, Kadir Özmen dhe të transformuara në një skicë të përshtatshme për mozaik nga artisti shqiptar Kleidi Eski, u shndërrua shpejt në një emblemë të fushatës, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj dhe duke ngjallur kureshtje për llojet e jetës së gjallë që ajo shpaloste
 


Një qendër për biodiversitetin

Mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet” u mbështet nga një qendër burimore për biodiversitetin, e cila shtrihej në një sipërfaqe prej 600 m². Më shumë se 10 mijë njerëz ndaluan për të vizituar pesë këndet edukative e ndërvepruese të qendrës dhe morën pjesë në aktivitetet edukative që ofronin informacion më të thelluar rreth llojeve të ndryshme, habitateve dhe rëndësisë për ruajtjen e tyre.

Ekspertët e edukimit mjedisor të PPNEA-s hartuan një program edukativ posaçërisht për fëmijë, familje dhe mësues, me idenë për të zbuluar ekosistemet shqiptare përmes lojërave, modeleve reale të kafshëve, posterave, si dhe videove mbi biodiversitetin. Më shumë se 900 nxënës nga 17 shkolla fillore morën pjesë në programin edukativ, ndërsa rreth 150 studentë ndoqën leksionet e hapura dhe diskutimet e ekspertëve që trajtuan sfidat mjedisore dhe përpjekjet për ruajtjen e natyrës në vend.

Fushata krijoi edhe një hapësirë të veçantë ku të pranishmit, njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve, mund të përfshiheshin në aktivitete publike. U organizuan mbi 20 aktivitete publike, përfshirë ekspozita fotografike të jetës së egër, shfaqje filmash, turne për vrojtimin e shpendëve, vizita në terren dhe panele diskutimi mbi ruajtjen e biodiversitetit. Shfaqje, rrëfime interaktive dhe madje një flash mob me muzikën e “Oda e Gëzimit” nga Bethoven, i dhanë një dimension tjetër artistik kësaj fushate. Çdo ngjarje përforconte mesazhin e fushatës: biodiversiteti nuk është një çështje vetëm shkencore apo mjedisore, por është e lidhur thellë me kulturën, trashëgiminë dhe jetën e përditshme.


Angazhimi i publikut

Fushata nuk u zhvillua vetëm në Sheshin Skënderbej, por shkoi përtej duke u zgjeruar për të arritur edhe tek audienca digjitale. Fushata tre javore e ndërmarrë në rrjetet sociale, e përqendruar te biodiversiteti i pasur i Shqipërisë, tërhoqi vëmendjen e më shumë se 1 milion njerëzve. Postime, video dhe përmbajtje interaktive ndihmuan në rritjen e ndërgjegjësimit, duke frymëzuar njerëzit në të gjithë vendin të lidhen me trashëgiminë natyrore të Shqipërisë. Të dyja këto, si aktivitetet e zhvilluara në terren, ashtu edhe komunikimi online, ndihmuan në krijimin e një ndjenje vlerësimi dhe rritjen e përpjekjeve për ruajtjen e natyrës. Për pasojë, rreth 200 të rinj u regjistruan si vullnetarë pranë PPNEA-s për të kryer punë në terren.

Me mbylljen e aktiviteteve tre javore në terren, fushata vijoi me një programi edukativ nëpër shkolla të ndryshme. Materiale mësimore për biodiversitetin u shpërndanë në 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë, duke ofruar burime të vlefshme për mësuesit dhe nxënësit për të vazhduar të mësojnë mbi biodiversitetin dhe rëndësinë e ruajtjes së natyrës.

Fushata në vijim

Pavarësisht biodiversitetit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, vendi përballet me një nga normat më të larta të humbjes së biodiversitetit në Evropë, për shkak të shpyllëzimit, urbanizimit, ndotjes dhe zhvillimit pa kriter. Rritja e ndërgjegjësimit të publikut, në veçanti të fëmijëve dhe të rinjve, së bashku me forcimin e kapaciteteve të organizatave mjedisore, është thelbësor për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore. Për këtë, zbatimi i fushatave, programeve edukative dhe trajnimeve janë të rëndësishme për ruajtjen e biodoversitetit.

Fushata “Shqipëria është Biodiversitet” u përpoq të nxjerrë në pah si veçantë e ekosistemeve të vendit ashtu edhe nevojën urgjente për mbrojtjen e tyre. Duke e sjellë çështjen e biodiversitetin si temë diskutimi në hapësira publike dhe duke angazhuar mijëra njerëz, fushata bëri një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje ku natyra jo vetëm vlerësohet me fjalë, por edhe mbrohet me vepra. Megjithatë, përpjekjet për ruajtjen e saj duhet të jenë të vazhdueshme. Të gjithë mund të kontribuojmë në mbrojtjen e florës, faunës dhe peizazheve natyrore të Shqipërisë, qoftë përmes mbrojtjes së kauzës, edukimit apo vullnetarizmit. E ardhmja e biodiversitetit varet nga veprimet tona të përbashkëta.