Artistja polake e mozaikut, Marta Matyla ishte ende duke eksploruar rrugëtimin e saj artistik, kur iu propozua të ishte pjesë e projektit “Shqipëria është Biodiversitet”.
Mund të na thoni diçka për veten dhe punën tuaj?
Quhem Marta Matyla. Kam lindur në Poloni dhe jam një mjeshtre mozaiku që ende po eksploron dhe po kërkon shtegun e duhur në rrugëtimin artistik.
Kur keni nisur të punoni me mozaikë?
Gjatë dhjetë viteve të fundit, kam jetuar mes Polonisë, Italisë dhe Kanadasë. Në Kanada, kam punuar për disa vite në fushën e mozaikut në Montreal, duke krijuar shumë mozaikë dyshemeje dhe disa pjesë murale artistike. Gjatë kësaj kohe zhvillova edhe pasionin tim për prodhimin e bizhuterive, duke krijuar unaza, vathë dhe varëse të zbukuruara me elemente mozaiku.
Mund të na tregoni diçka më shumë për trajnimin tuaj si mjeshtre mozaiku?
Jam diplomuar në Shkollën e Mozaistëve të Friulit, në Itali, në vitin 2022. Të jetoja dhe të studioja në pjesë të ndryshme të Italisë, teksa edhe punoja, ishte një përvojë që më pasuroi shumë. Jam specializuar në disa teknika, duke përfshirë mozaikun greko-romak, bizantin dhe modern. Arti i mozaikut, me të vërtetë nuk ka kufij.
Ju shpesh punoni së bashku me motrën tuaj binjake. Si ndikon ky bashkëpunim në punën tënde?
Dashuria ime për artin, udhëtimet, zbulimin e traditave dhe njohjen e personave të rinj është diçka që e kam ndarë gjithmonë me motrën time binjake. Lidhja jonë është shumë e fortë dhe ne vazhdojmë këtë rrugëtim artistik së bashku, si ekipi i Mozaikut Matylas. Na ndiqni këtu.
Çfarë nevojitet për ndërtimin e një mozaiku të tillë, për sa i takon materialeve dhe teknikës?
Mozaiku po krijohet me teknikën tradicionale, ku gurët e vegjël ngjiten copëz pas copëze mbi letrën e vizatuar por të kthyer së prapthi. Gurët janë prej qelqi të ngjyrosur dhe janë prodhuar në Itali. Ata kanë 200 tone të ndryshme ngjyrash të nevojshme për të ndërtuar kafshët dhe sfondin. Këta gurë priten me dorë duke përdorur mjete tradicionale si çekiçi (specifik me dy koka) dhe banka prerëse (një bazë metalike për prerjen e gurëve).
Çfarë do të thotë për ju të punoni për një mozaik për biodiversitetin?
Natyra është një pjesë shumë e rëndësishme për mua. Më pëlqen zhurma e zogjve që këndojnë, aroma e myshkut, noti në det dhe pamja mahnitëse e maleve të mbuluara nga mjegulla. Besoj se ky projekt është një fushatë e bukur edukative që mund të lërë një ndikim të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm në Shqipëri.
Çfarë shpresoni që njerëzit të zbulojnë për natyrën kur ta shohin këtë mozaik?
Ideja është që dija të transformohet në një formë më të lehtë e krijuese për t’u kuptuar nga të tjerët. Shpresojmë të ngjallet interes për këto specie, të nxjerrim në pah sa e rëndësishme është mbrojtja e tyre në habitatet e tyre natyrore dhe të nxisim një ndjenjë krenarie për biodiversitetin që përfaqësojnë.