Artisti italian, mjeshtër i mozaikut, Umberto Pepe, e sheh mozaikun si një hapësirë ku mund të zbulohet dhe të eksperimentohet. Në kuadër të fushatës “Shqipëria është Biodiversitet”, ai është pjesë e ekipit të punës për krijimin e një mozaiku me përmasa të mëdha.
Mund të na thoni diçka për veten dhe punën tuaj?
Quhem Umberto Pepe. Jam italian, por më shumë e konsideroj veten një artist eksperimental, gjithmonë në kërkim të formës që i përshtatet më së miri nevojave të mia shprehëse. Për momentin, mozaiku është zeja që më flet dhe përshtatet më së shumti. Megjithatë, mbetem i hapur për integrimin e formave të tjera artistike ndërsa përvoja ime rritet.
Çfarë lloj mozaiku krijoni?
Puna ime përshtatet me kontekstin. Mund të jetë një bashkëpunim me një artist tjetër, një porosi për një hapësirë publike ose private, ose një projekt më personal i nxitur nga impulsi im krijues. Çdo situatë kërkon një qasje të ndryshme dhe mozaiku është mjaft elastik për t'iu përgjigjur shumë ideve dhe mjediseve të ndryshme.
Si e keni nisur rrugëtimin tuaj si mjeshtër mozaiku?
Jam diplomuar në Shkollën e Mozaistëve të Friulit, në Itali, në vitin 2022. Që atëherë, kam pasur mundësinë të punoj në projekte të ndryshme në vende të ndryshme, madje edhe jashtë Evropës. Ende e konsideroj veten një mozaikbërës relativisht të ri dhe mbetem i hapur për të eksperimentuar dhe integruar ide të reja që mund ta bëjnë këtë disiplinë më personale dhe unike.
Çfarë ju shtyu të bëheshit pjesë e projektit të mozaikut “Shqipëria është Biodiversitet” ?
Aktualisht, së bashku me dy kolege të mrekullueshme, po bashkëpunoj me zyrën në Tiranë të hbs-së për një mozaik me sipërfaqe të madhe kushtuar biodiversitetit dhe mbrojtjen e tij në Shqipëri. Është një projekt kuptimplotë, por edhe një sfidë e re për mua, veçanërisht duke marrë parasysh volumin e punës dhe afatin kohor të kufizuar.
Me çfarë sfidash mund të përballet një projekt i tillë?
Ka shumë sfida. Ne duhet të zgjedhim me kujdes ngjyrat dhe tonalitetin e duhur, të përgatisim saktë modelet e letrës dhe të sigurohemi që ngjitësi të ketë qëndrueshmërinë e duhur në mënyrë që të mbajë mirë në temperaturat aktuale. Gjithashtu, duhet ta përshtatim skicën me madhësinë reale të gurëve për të shmangur prerjet e panevojshme dhe humbjen e kohës. Dhe sigurisht, shumë sfida të tjera që shfaqen gjatë procesit. Çdo mozaik fsheh sekretet e veta.
Çfarë të jep puna me mozaikun si artist?
Mozaiku ndihmon në tokëzimin e ideve të mia. Procesi kërkon përqendrim, disiplinë dhe vëmendje në çdo hap. E gjithë energjia përkushtohet drejt krijimit të veprës përfundimtare, dhe ky përqendrim e bën mozaikun një praktikë të fuqishme dhe transformuese.
Çfarë ju frymëzon jashtë punës me mozaikë?
Muzika është për mua jetike dhe më jep energji çdo ditë. Natyra është një tjetër burim i rëndësishëm frymëzimi. Edhe pse pjesa më e madhe e punës sime aktualisht zhvillohet në mjediset urbane, shpresoj, në të ardhmen, të kaloj më shumë kohë i zhytur në natyrë.