Artistja polake, mjeshtrja e mozaikut, Małgorzata “Gosia” Matyla, e diplomuar në Shkollën e Mozaistëve të Friulit, ndodhet aktualisht në Shqipëri, si pjesë e ekipit të punës për realizimin e mozaikut “Shqipëria është Biodiversitet”.
Mund të na thoni diçka për veten dhe punën tuaj?
Quhem Małgorzata Matyla, por të gjithë më thërrasin Gosia. Jam një mjeshtre mozaiku nga Polonia.
Kur keni nisur të punoni me mozaikë?
Kam filluar të punoj me mozaikë që kur u diplomova në Shkollën e Mozaistëve të Friulit në Itali, më 2022-shin. Para se të vija në Shqipëri, isha duke punuar në Kanada me një shoqëri të specializuar në projektimin e dyshemeve dhe pjesëve të mozaikut artistik, kryesisht duke përdorur mermerin si material. Kam punuar si me modelet industriale, gjeometrike, ashtu edhe me mozaikët me kompozime më të lira. Gjithashtu, krijoj bizhuteri me pjesëza të vogla mozaiku, gjë që është edhe pasioni im.
Çfarë ju tërhoqi që u bëtë pjesë e projektit të mozaikut “Shqipëria është Biodiversitet?
Projekti i mozaikut “Shqipëria është Biodiversitet” në Tiranë më magjepsi që në momentin e parë. Ndjej se është krijuar mbi themele të forta, plotë dashuri për artin, natyrën dhe vlerat që i japin kuptim punës sonë. Menjëherë e kuptova se doja të isha pjesë e këtij projekti dhe të jepja kontributin tim për realizimin e një mozaiku të tillë që edukon dhe që do të mbetet si një vepër arti e qëndrueshme në Shqipëri.
Tingëllon shumë personal për ju, ky projekt. Çfarë do të thotë të punosh për një mozaik kushtuar biodiversitetit?
Ndihem thellësisht e lidhur me natyrën; nuk bëj dot pa të. Më pëlqen myshku, uji, pyjet, ajri i pastër, rrezet e diellit, lulet dhe kafshët. Bërja e një mozaiku me specie shqiptare më jep një ndjenjë të fortë qëllimi. Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse që jam pjesë e këtij projekti.
Si shkon procesi i ndërtimit të një mozaiku dita ditës?
Roli im, si mjeshtre mozaiku është të “ndërtoj” mozaikun pjesë-pjesë, së bashku me kolegët e mi, Umberton, Martan, Annën, e cila është edhe udhëheqësja jonë që drejton prodhimin e mozaikut, dhe Kleidin, si mendja artistike pas imazhit të mozaikut. Çdo element është i punuar me dorë dhe i trajtuar me kujdes. Ditë pas dite, figura plotësohet ngadalë teksa çdo gurë pritet, i jepet formë dhe pozicionohet me dorë, duke e transformuar figurën nga një skicë në letër në një imazh të gjallë.
Sa e vështirë është të realizohet një mozaik me këto përmasa?
Procesi i mozaikut është mjaft kompleks. Puna nis me përgatitjen e vizatimit në letër me përmasat reale, ndahet në seksione, ku secili ka një numër të caktuar, dhe më pas letra përforcohet me një shtresë garze. Ne punojmë me teknikën tradicionale duke ngjitur gurët një për një mbi letrën e vendosur së prapthi, duke plotësuar kështu figurat e kafshëve dhe sfondin, seksion pas seksioni.
Pasi të jetë plotësuar secili seksion, mozaiku do të transferohet në panele të posaçme dhe do të fiksohet në vend duke përdorur çimento. Ne punojmë me vegla tradicionale mozaiku si çekiçi i vogël, bankë për prerjen, piskatore dhe prerëse xhami.
Çfarë shpresoni që njerëzit të ndjejnë kur ta shohin këtë mozaik në të ardhmen?
Shpresoj që, kur ta shohin, njerëzit të ndalojnë për një çast, të buzëqeshin dhe ta admirojnë. Besoj se këto kafshë shumëngjyrëshe do të ngjallin kuriozitet si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët për të ditur më shumë rreth specieve që ato përfaqësojnë. Shpresoj që njerëzit të flasin për të dhe të shpërndajnë mesazhin për rëndësinë e biodiversitetit, si dhe të zbulojnë bukurinë e artit të mozaikut.