“Shqipëria është Biodiversitet”, një mozaik, gjurmët e të cilit do të mbeten gjatë

Artikull

Ndonëse nisi si një aktivitet i përkohshëme artistik në Sheshin Skënderbej, po shndërrohet në një stacion të përhershëm në jetën publike të qytetit. Mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet” shënon hapin e radhës në rrugëtimin e fushatës, nga një vepër arti në hapësirën publike drejt një nisme afatgjatë që e sjell biodiversitetin në qendër të jetës publike.

Martellina, a hammer-like tool
Teaser Image Caption
Mjeshtrja e mozaikut duke prerë gurët me çekiç

Mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet”, si një fushatë e gjallë

Fushata “Shqipëria është Biodiversitet” hyri për herë të parë në Sheshin Skënderbej, në tetor 2023, për të sjellë biodiversitetin në qendër të vëmendjes publike. E konceptuar si një ndërhyrje e shtrirë në kohë me qëllim edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit, nisma ishte fryt i një bashkëpunimi të ngushtë mes Fondacionit Heinrich Böll Stiftung, Zyra Tiranë, dhe Organizatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Mbrojtja e biodiversitetit nuk është thjesht një çështje mjedisore apo teknike, por është një përgjegjësi e përbashkët shoqërore e politike. Dhe pikërisht ky është mesazhi që fushata përpiqet të përcjellë.

Opening Ceremony of "Albania is Biodiversity" campaign
Ceremonia e hapjes "Shqipëria është Biodiversitet", Tiranë, 2023

Në zemër të kësaj faze të parë qëndronte një mozaik monumental, i skicuar nga artisti shqiptar Kleidi Eski dhe i realizuar në formën e një banderole të madhe prej tekstili, me përmasa afro 30 metra gjerësi dhe 15 metra lartësi. E vendosur përkrah Muzeut Historik Kombëtar, vepra dukej sikur hynte në bashkëbisedim të heshtur me një nga monumentet më domethënëse të vendit: mozaikun “Shqiptarët”, simbol i epokës socialiste. Në vend të njerëzve, personazhet kryesore janë 38 lloje shqiptare në rrezik zhdukje. Në vend të figurave heroike të mozaikut që përfaqësonin dikur ligjëratën e përparimit dhe forcës kolektive, vepra e Eskit vendos në plan të parë 38 lloje të rrezikuara, duke e zhvendosur vëmendjen te jeta e brishtë e botës së egër dhe ndërvarësia ekologjike. Për tri javë, vepra artistike, e shoqëruar nga një Qendër Burimore për Biodiversitetin, e shndërroi Sheshin Skënderbej në një hapësirë takimi, edukimi dhe debati publik.

Ndonëse nisi si një ndërhyrje e përkohshme, gjurmët e saj nuk janë kalimtare.

Në të majtë “Shqipëria është Biodiversitet” dhe djathtas Muzeu Historik Kombëtar.

Fushata, si një proces i vazhdueshëm

Qysh prej fillimit, “Shqipëria është Biodiversitet” u konceptua si një fushatë që do të zhvillohej në kohë dhe përmes formatesh të ndryshme. Krahas veprës artistike, organizata kryesore shqiptare për ruajtjen e natyrës, PPNEA, zhvilloi një program të gjerë edukimi dhe veprimtarish shkencore të hapura për publikun e gjerë. Mijëra vizitorë u njohën me Qendrën Burimore; qindra nxënës dhe studentë morën pjesë në veprimtari edukative; ndërsa shumë të rinj u angazhuan si vullnetarë pranë PPNEA-së për një periudhë më të gjatë. Fushata u shndërrua kështu në një proces pune të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës.

Me mbylljen e aktiviteteve të fazës së parë në Sheshin Skënderbej, fushata vijoi me aktivitete të tjera. U shpërndanë materiale edukative në shkolla në mbarë vendin, ndërsa botime dhe veprimtari të tjera pasuan. Mozaiku shërbeu si një pikënisje e fuqishme për komunikimin e mesazhit të fushatës dhe për t’i shtruar rrugën një procesi më të gjerë edukimi qytetar, ndërgjegjësimi për natyrën dhe bashkëpunimi institucional. Pikërisht kjo frymë vijueshmërie, që komunikimin e sheh, jo si një moment të vetëm e të veçuar, por si një proces të vazhdueshëm e që me kohën evoluon në forma të reja, i dha jetë fazës pasardhëse të fushatës.

Nga skica në vepër: realizimi i mozaikut me gurëza qelqi

Në pranverën e vitit 2026, mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet” do të marrë formën e tij përfundimtare, në përmasat 13 metra gjerësi dhe 3 metra lartësi. Ky është një hap vendimmarrës për fushatën, pasi ajo që nisi si një ndërhyrje e përkohshme në hapësirën publike do të shndërrohet në një vepër të qëndrueshme, pjesë e vizionit të saj afatgjatë edukativ. I realizuar me copëza qelqi të prodhuara në mënyrë artizanale në Itali, me materiale miqësore me mjedisin, mozaiku sjell në vëmendje jo vetëm qëndrueshmërinë e veprës, por edhe kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj materialeve, si vlera që mbartin në vetvete edhe një qëndrim politik.

Një ekip ndërkombëtar, i lidhur ngushtë me traditën bashkëkohore të mozaikut, u bë bashkë për realizimin e mozaikut. Kleidi Eski, në bashkëpunim të ngushtë me Anna Paola Franceschi, mjeshtre udhëheqëse, zhvilluan idenë. Mozaiku u realizua edhe falë punës së palodhur të Malgorzata Matyla, Marta Matyla dhe Umberto Pepe, të tre të diplomuar në Shkollën e Mozaistëve të Friulit, në vitin 2022. Ky bashkëpunim i jep një rëndësi të veçantë punës në grup, përcjelljes së njohurive dhe përvojës mes brezave dhe bashkëpunimit përtej kufijve, si element përbërës i frymës së fushatës.


Pavijoni në Sheshin Skënderbej: një platformë për nisma qytetare

Në vjeshtën, mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet” do të vendoset në pavijonin e përkohshëm të Fondacionit Heinrich Böll, Zyra Tiranë, sërish në qendër të Tiranës, në Sheshin Skënderbej. I konceptuar si një strukturë e hapur dhe e arritshme, pavijoni shërben si një hapësirë qytetare, më shumë se sa si një mjedis institucional i mbyllur, duke i sjellë çështjet ekologjike në qendër të jetës publike.

Temporary Pavilion, Tirana 2025
Pavijoni i Përkohshëm, Tiranë, 2025

Brenda kësaj hapësire, mozaiku bëhet pjesë e një infrastrukture të gjallë, në lëvizje, e cila krijon mundësi për të mësuar, për t’u angazhuar e për të bashkëbiseduar. Përurimi i tij do të përkojë me 35-vjetorin e PPNEA-së, duke shënuar më shumë se tri dekada punë për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri, të mbështetur në përvojën shkencore dhe angazhimin për mbrojtjen e mjedisit. Së bashku me mozaikun, PPNEA do të sjellë një ekspozitë të gjerë dhe një program të hapur për publikun, duke i bërë më të prekshme llojet e paraqitura në mozaik, habitatet ku ato jetojnë dhe kërcënimet që rrezikojnë mbijetesën e tyre. 

Duke u mbështetur në përvojën e saj të gjatë prej dekadash, si një nga organizatat kryesore shqiptare për mbrojtjen e natyrës si dhe partnere e organizatës ndërkombëtare “BirdLife”, PPNEA do të zhvillojë veprimtari ndërgjegjësuese dhe edukative, të mbështetura në kërkimin shkencor, të përshtatura për nxënësit, mësuesit, aktorët e shoqërisë civile, vendimmarrësit dhe komunitetet vendore. Programi synon të sjellë në vëmendje mënyra konkrete për mbrojtjen e biodiversitetit, duke e lidhur këtë përpjekje me një përgjegjësi qytetare dhe ndërgjegjësim ekologjik që shtrihet përtej kohëzgjatjes së vetë ekspozitës.

Duke filluar nga 2027 e në vijim, ekspozita do të udhëtojë nëpër Shqipëri, duke e shtrirë fushatën përtej qendrave të mëdha urbane. Në bashkëpunim me rrjetet rajonale të PPNEA-s dhe partnerëve vendorë, ekspozita do të krijojë mundësi të reja për të nxënë, për t’i përfshirë qytetarët dhe për t’i ftuar në dialog, veçanërisht në zonat më të prekura nga humbja e biodiversitetit dhe presionet ndaj mjedisit.

Monumenti, si formë aktivizmi për të tashmen

Në shoqëritë e ditëve të sotme, monumentet janë gjithnjë e më shumë objekt debati. Gjithnjë e më shumë po shtohet interesi për forma të artit publik që shërbejnë si ftesa për të reflektuar, për të nxënë dhe që nxisin ndjenjën e përgjegjësisë, se sa ato që shërbejnë për të ngulitur ligjërata të pandryshueshme për të shkuarën. Pikërisht këtë qasje trumbeton edhe mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet”.

Ai nuk evokon pushtimin, as dominimin, por vë në plan të parë brishtësinë, ndërvarësinë dhe kujdesin.

 I vendosur në një pavijon ku zhvillohen diskutime, veprimtari edukuese dhe takime me publikun, mozaiku merr edhe një rol tjetër. Ai bëhet një monument aktivist i së tashmes. Nuk mbart një kuptim të paracaktuar, por është një ftesë e hapur për interpretim, debat dhe pjesëmarrje. Vetë tema e tij, biodiversiteti në rrezik, na kujton se vendimet politike ndikojnë jo vetëm në të ardhmen e njeriut, por edhe në kushtet që bëjnë të mundur vetë jetën.

Mosaic artists at the Skanderbeg Square in Tirana
Mjeshtrat e mozaikut teksa shohin mozaikun “Shqiptarët”.

Me sytë drejt së ardhmes

Përmes këtij bashkëpunimi disavjeçar, secila prej dy organizatave ka ofruar përvojën dhe ekspertizën e saj. PPNEA ka kontribuar me përvojën e gjatë në mbrojtjen e natyrës dhe punën ndërgjegjësuese, ndërsa Fondacioni Heinrich Böll, Zyra Tiranë, me përvojën në edukimin qytetar dhe politik. Falë këtij bashkëpunimi afatgjatë, “Shqipëria është Biodiversitet” e vendos theksin te mbrojtja e biodiversitetit, si një përgjegjësi e përbashkët politike, duke synuar, me kalimin e kohës, forcimin e përgjegjësisë ndaj natyrës, ndërgjegjësimin shoqëror dhe bashkëpunimin institucional. Dhe kjo detyrë kërkon punë të vazhdueshme, ekspertizë dhe angazhim kolektiv, përtej një veprimtarie të vetme apo kohëzgjatjes së një ekspozite.