Koncepti i komuniteteve të energjisë së rinovueshme (KER) është një koncept relativisht i ri, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Ligji shqiptar Nr. 24/2023 hodhi themelet e një kuadri ligjor që mbështet projektet e energjisë së rinovueshme, përfshirë edhe komunitetet energjetike. Përballë sfidave që shoqëria jonë po përballet, nga njëra anë për sigurimin e energjisë dhe, nga ana tjetër për ruajtjen e qëndrueshmërisë mjedisore, nismat e disa komuniteteve lokale për të prodhuar energji nga burime alternative, duket se janë zgjidhja. Por, a është Shqipëria gati për t’i inkurajuar dhe mbështetur këto nisma në nivel komuniteti?
Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

Hyrje
Koncepti i komuniteteve të energjisë së rinovueshme (KER) është një koncept relativisht i ri, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Me fokusin e shtuar që ka pasur energjia e rinovueshme, gjatë viteve të fundit, është theksuar rëndësia e pjesëmarrjes së komuniteteve lokale në prodhimin e saj me qëllim gjenerimin e përfitimeve sociale dhe mjedisore. Ligji Nr. 24/2023 "Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme", me hyrjen në fuqi hodhi themelet e një kuadri ligjor që ofron mbështetje për projektet e energjisë së rinovueshme, përfshirë këtu edhe komunitetet energjetike. Ky ligj është gjithashtu pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për të përmbushur objektivin e përafrimit të legjislacionit në fushën e energjisë dhe atë të burimeve të rinovueshme. Në nivel ndërkombëtar, direktivat e Bashkimit Evropian, si Direktiva 2009/28/EC për energjinë e rinovueshme dhe Direktiva 2018/2001/BE (DER II), promovojnë krijimin e komuniteteve energjetike dhe mbështesin pjesëmarrjen e qytetarëve në prodhimin dhe konsumimin e energjisë së rinovueshme. Këto tendenca relativisht të reja, po gjejnë gjithnjë e më tepër mbështetje edhe nga jurisprudenca kombëtare dhe ndërkombëtare që po zhvillohet.
Kuadri ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar
Planet dhe politikat aktuale që Bashkimi Evropian (BE) synon të ndjekë lidhen drejtpërdrejt me sfidat që po has edhe shoqëria jonë, veçanërisht në drejtimin e sigurimit të energjisë, nga njëra anë, si dhe të ruajtjes së qëndrueshmërisë mjedisore nga ana tjetër. Në përgjigje të këtyre sfidave, kanë lindur bashkëpunimet e komuniteteve lokale, të cilat janë përpjekur të trajtojnë në mënyra alternative mungesat apo krizat me të cilat janë përballur. Rast suksesi mund të përmendet ai i Danimarkës, e cila në vitet 1970 u përball me krizën e naftës që u përkthye po ashtu në krizë ekonomike. Megjithatë, përmes ndjekjes së një politike afatgjatë, sot, Danimarka udhëheq në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe përfshirjen e komuniteteve në prodhimin dhe përdorimin e saj. Vendet e BE-së, tashmë po miratojnë rregullime për funksionimin e komuniteteve energjetike, duke hapur kështu rrugën e pjesëmarrjes së publikut të gjerë në sektorin energjetik, ku për shembull Italia, deri në fund të vitit 2024 mbështeti krijimin e 6 000 komuniteteve energjetike, në rajonin e Lombardisë.
Prej vitit 2009, përmes Direktivës 2009/28/EC për promovimin e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme, BE-ja vendosi objektiva konkretë për Shtetet Anëtare me qëllim që deri në vitin 2020, brenda këtij Bashkimi të konsumohej të paktën 20% energji nga burimet e rinovueshme, së bashku me përfshirjen e aktorëve lokalë. Pavarësisht kësaj qasjeje pozitive, ishte Direktiva 2018/2001/BE ajo që njohu ligjërisht konceptin e komuniteteve energjetike të rinovueshme si dhe garantoi de jure mundësinë e tyre për të përfituar mbështetje njësoj si subjektet e mëdha.
Në kuadër të synimit të anëtarësimit në BE, Shqipëria miratoi, 5 vite më pas, Ligjin Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”. Ligji është përafruar pjesërisht me Direktivën 2018/2001 dhe ky element shihet akoma më qartë në pikën 15, të nenit 3 të tij, ku për herë të parë është përcaktuar se: “Komuniteti i Energjisë së Rinovueshme” është një entitet juridik:
- që bazohet në pjesëmarrjen e hapur dhe vullnetare, është i pavarur dhe kontrollohet efektivisht nga aksionarët ose anëtarët që ndodhen në afërsi të projekteve të energjisë së rinovueshme, të cilat janë në pronësi dhe janë zhvilluar nga ai entitet juridik;
- në të cilin aksionarët ose anëtarët janë persona, NVM, autoritete lokale, duke përfshirë bashkitë;
- qëllimi kryesor i të cilit është të sigurojë përfitime mjedisore, ekonomike ose sociale për aksionarët, anëtarët e tij ose për zonat lokale ku operon, në vend të fitimeve financiare.
Përkufizimi i mësipërm është plotësisht në përputhje me atë që Direktiva 2018/2001 ka parashikuar në nenin 2 të saj.
Mungesa e kuadrit nënligjor
Meqenëse Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës 2020-2030 ka parashikuar që mbështetja për krijimin e KER-ve do të realizohet deri në vitin 2030, është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të fushës të marrin masat konkrete me qëllim që ekzistenca dhe veprimtaria e këtyre komuniteteve të mos ngelet vetëm në planin teorik. Ligjvënësi ka ngarkuar pushtetin ekzekutiv me përgjegjësinë e hartimit të udhëzimeve lidhur me krijimin, organizimin dhe funksionimin e KER-ve, por, ndonëse 2 vjet pas miratimit të ligjit, ende nuk rezulton që të jenë miratuar aktet nënligjore për zbatimin e tij.
Komunitetet e energjisë së rinovueshme përbëjnë një risi në kuadrin ligjor shqiptar, si një formë alternative dhe e decentralizuar e përfshirjes së komuniteteve dhe konsumatorëve fundorë në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë. Si të tilla, ato nuk mbështeten në ndonjë përvojë të mëparshme të rregullimit dhe funksionimit në praktikë, çka e bën edhe më të domosdoshëm miratimin e akteve nënligjore për zbatimin real dhe koherent të dispozitave ligjore. Pa një kuadër nënligjor të qartë dhe të zbatueshëm, i cili të specifikojë kriteret, mbështetjen dhe mënyrat e qasjes në tregjet energjetike, ekzistenca e tyre mbetet vetëm një parashikim formal në ligj dhe jo funksional.
Nëse do të shohim progresin e transpozimit të KER-eve në legjislacionet e brendshme të shteteve anëtare të BE, vëmë re se është në nivel mesatar. Në shumë vende anëtare të BE-së mungesa e akteve nënligjore ka vonuar zbatimin efektiv të direktivave, siç është rasti i Spanjës, ku megjithëse legjislacioni bazë u miratua në vitin 2020, organet administrative për mbështetjen financiare të komuniteteve energjetike u krijuan vetëm në vitin 2022. Vonesa janë hasur edhe në Portugali, pavarësisht se aktet zbatuese janë hartuar në bashkëpunim me komunat dhe shoqërinë civile, duke nxitur modelin e “komuniteteve të vetëqeverisura”. Përvoja e deritanishme tregon se transpozimi nuk është thjesht një çështje juridike, por kërkon kapacitete të qëndrueshme institucionale dhe përfshirje në nivel lokal.
Krahas planeve dhe strategjive në nivel kombëtar, shtetet kanë gjithashtu detyrime ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare në lidhje me zbatimin e planeve të klimës dhe energjisë. Në këtë drejtim, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) po luan një rol aktiv duke i dhënë rëndësi respektimit të legjislacionit në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së qytetarëve nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. Konkretisht, në prill të vitit 2024, GJEDNJ-ja dha një vendim të rëndësishëm në lidhje me të drejtën për të jetuar dhe për të gëzuar një mjedis të pastër. Në çështjen Verein KlimaSeniorinnen Schweiz dhe të tjerë kundër Zvicrës, GJEDNJ-ja konstatoi se Zvicra, një shtet anëtar i Konventës, kishte dështuar të merrte masat e duhura për trajtimin dhe parandalimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Gjykata theksoi se shteti ka detyrimin pozitiv të garantojë respektimin e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), i cili nuk garanton vetëm jetën private dhe familjare, por edhe të drejtën për tu mbrojtur efektivisht nga dëmtimet që shkaktojnë ndryshimet klimatike në jetën, shëndetin, mirëqenien dhe cilësinë e jetesës.
Përfundime
Autoritetet sipas fushës së përgjegjësisë, në veçanti Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duhet të marrin masa efektive brenda një kohe sa më të shpejtë me qëllim që të qartësohet forma ligjore dhe personaliteti juridik që do të kenë këto komunitete. Ndaj tyre mund të ofrohet mundësia që të regjistrohen në cilëndo prej formave që njeh legjislacioni në fuqi, apo të kufizohet vetëm në disa tipologji të caktuara që i përshtaten më mirë qëllimit të ekzistencës dhe veprimtarisë së përditshme. Ndër modelet më të sugjeruar është modeli i krijimit të një forme ligjore specifike vetëm për subjekte të tilla, të cilat e kanë fokusin e tyre në sektorin e energjisë. Ky model ndiqet aktualisht nga Greqia dhe pasqyron një praktikë pozitive dhe atipike për të nxitur krijimin dhe pjesëmarrjen në këtë lloj organizmi, si dhe për të mbështetur në mënyrë konkrete specifikat që komunitetet energjetike të rinovueshme paraqesin. Megjithatë, do të ishte më e rekomandueshme që detaje kaq të rëndësishme të ishin parashikuar në ligj, për të garantuar siguri më të lartë juridike.
Aktet nënligjore që do të miratohen duhet të jenë të qarta në parashikimin e kushteve të pjesëmarrjes së hapur dhe vullnetare që ligji ka parashikuar, në mënyrë që të mundësohet në praktikë angazhimi i sa më shumë komuniteteve dhe konsumatorëve të interesuar. Për shkak të këtij boshllëku rregullator që ka legjislacioni në fuqi në lidhje me aspektin e financimit, mbështetjes financiare dhe rregullatore për komunitetet energjetike, është e nevojshme të hartohen aktet nënligjore me qëllim plotësimin dhe qartësimin e këtyre mungesave. Ato duhet të shërbejnë si mjete efektive dhe konkrete për zbatimin e politikave më lehtësuese në krahasim me subjekte apo shoqëri të tjera që operojnë në tregun e lirë. Kjo për arsye se sa më shumë komunitete të tilla të krijohen, aq më të mëdha do të jenë përfitimet në kuadër të uljes së kostove financiare për prodhimin e energjisë, si dhe uljen e gazrave serë dhe elementeve të tjera që dëmtojnë mjedisin e përbashkët.
Së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe çdo institucion varësie, së bashku me pushtetin lokal dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të zhvillojnë fushata periodike informimi mbi ekzistencën e parashikimeve ligjore që Shqipëria ka aktualisht në fuqi, për të rritur interesin dhe numrin e qytetarëve në krijimin e komuniteteve energjetike. Mungesa e mjeteve të përshtatshme të informimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në gëzimin e përfitimeve mjedisore, sociale dhe ekonomike që vijnë prej pjesëmarrjes aktive në to.
! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.