Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) janë krijuar tashmë në shumë vende të Evropës, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që jo vetëm të marrin pjesë aktive në sektorin e energjisë, por edhe të investojnë bashkërisht në kapacitete të reja të cilat shfrytëzojnë energjinë diellore, të erës apo të ngrohjes. Ky artikull analizon përvojat e disa vendeve të Bashkimit Evropian në zhvillimin e komuniteteve të energjisë dhe, përmes një qasjeje krahasuese, synon të identifikojë mësimet e marra nga këto vende, të cilat mund të ndihmojnë në hartimin e politikave më efektive për nxitjen e këtyre komuniteteve në Shqipëri.
Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

Hyrje
Kalimi në energjinë e rinovueshme është një mundësi që shumë njerëz të kenë një rol aktiv në sistemin energjetik” (Guix, 2021). Tranzicioni drejt energjisë së rinovueshme po përshpejtohet në mbarë botën, po ashtu edhe në Evropë. Bashkimi Evropian, përmes “Paketës për energjinë e pastër për të gjithë evropianët”, të miratuar më 2019, njohu pjesëmarrjen aktive të komuniteteve lokale dhe qytetarëve në sektorin e energjisë, duke i njohur ata si “komunitete të energjisë së rinovueshme” (KER).
KER-et luajnë një rol kyç në demokratizimin e qeverisjes së energjisë dhe fuqizimin e qytetarëve. Studimet tregojnë se, deri në vitin 2050, rreth 83% e familjeve evropiane mund të bëhen “qytetarë energjie”, duke kontribuar drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë. Kjo do të transformojë sistemin energjetik, jo vetëm në kalimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, por edhe në kalimin nga një model i centralizuar drejt atij të decentralizuar, ku çdo qytetar apo biznes mund të bëhet pjesë aktive e tregut të energjisë (Tachelet, 2021). Vende si Gjermania, Holanda dhe Danimarka kanë zbatuar me sukses modelet e tyre, duke nxitur prodhimin e decentralizuar të energjisë dhe duke rritur pjesëmarrjen e publikut. Këto modele janë zhvilluar falë politikave mbështetëse, stimujve financiarë dhe angazhimit të fortë të komuniteteve.
Shqipëria, ndonëse ka potencial të madh në drejtimin e energjisë së rinovueshme, mbetet ende e varur nga hidrocentralet dhe nga importet e energjisë. Përfshirja e KER-ve në prodhimin e energjisë mund të ndihmojë në diversifikimin e burimeve energjetike, zvogëlimin e varësisë nga burimet aktuale dhe krijimin e një tregu më të qëndrueshëm për qytetarët. Megjithatë, zhvillimi i KER-ve në Shqipëri përballet me sfida të rëndësishme, si kufizimet ligjore, mungesa e mekanizmave të financimit dhe ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve për rolin e tyre.
Ky artikull analizon përvojat e tre vendeve të BE-së në zhvillimin e komuniteteve të energjisë dhe shqyrton mundësitë për të përshtatur këto modele në Shqipëri. Përmes një qasjeje krahasuese, synohet të identifikohen mësimet kryesore që mund të ndihmojnë në hartimin e politikave më efektive për nxitjen e KER-ve. Artikulli argumenton se, përmes reformave ligjore, mbështetjes financiare dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik, Shqipëria mund të krijojë një mjedis të favorshëm për komunitetet energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin e saj drejt një të ardhmeje të re energjetike.
Modelet evropiane të komuniteteve të energjisë
Gjermania: Kooperativat dhe politikat nxitëse
Gjermania, sot, numëron numrin më të madh të komuniteteve të energjisë në Evropë. Sipas vlerësimeve, deri në vitin 2021, vendi kishte rreth 914 komunitete energjie aktive me mbi 220 mijë anëtarë (Clean Air Task Force, 2024). Këto nisma ndahen në disa tipologji, ku më të përhapurat janë kooperativat (55%), ndjekur nga shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (37%) dhe iniciativat private (Nordic Energy Research, 2023).
Politikat mbështetëse kanë luajtur rol kyç në suksesin e komuniteteve energjetike në Gjermani. Fillimisht, Ligji për energjinë e rinovueshme (Erneuerbare-Energien-Gesetz [EEG]), i vitit 2000, vendosi tarifa të garantuara (feed-in tariff) për prodhuesit e energjisë së rinovueshme (Nordic Energy Research, 2023). Në vitin 2011, qeveria gjermane krijoi Zyrën Kombëtare për Kooperativat e Energjisë, për të ofruar asistencë për këto iniciativa (Clean Air Task Force, 2024). Megjithatë, rreth viteve 2012–2017, numri i komuniteteve të reja ra ndjeshëm për shkak të disa ndryshimeve në kuadrin ligjor, që favorizuan kompani të mëdha të përfitonin nga skemat e krijuara për komunitetet e vogla. Si përgjigje, ndryshimet e fundit të ligjit EEG, në 2023, përfshijnë përkufizime më të qarta për “shoqëritë energjetike qytetare” dhe masa që parandalojnë kapjen e skemave nga korporatat e mëdha. (Clean Air Task Force, 2024).
Holanda: drejt energjisë demokratike në nivel lokal
Në Holandë, komunitetet e para lokale të energjisë u shfaqën në fund të viteve 1980 (Nordic Energy Research, 2023). Në dekadat e fundit, Holanda ka zhvilluar me sukses një rrjet të fuqishëm të komuniteteve energjetike. Numri i tyre arriti në 676 në vitin 2021, me rreth 112 mijë anëtarë dhe gjenden në 84% të bashkive të vendit (Schwencke, 2021).
Qeveria holandeze ka luajtur një rol vendimtar në këtë zhvillim, duke ofruar skema si “Postcoderoos” që lehtëson taksat për banorët e përfshirë në këto projekte apo Programi i Subvencioneve SDE+. Marrëveshja Kombëtare për Klimën (2019) vendosi si objektiv që 50% e projekteve energjetike deri në vitin 2030 të jenë në pronësi lokale (Nordic Energy Research, 2023). Edhe pse mungon një formë specifike ligjore për komunitetet energjetike, shumica operojnë si shoqata apo kooperativa.
Danimarka: traditë bashkëpronësie dhe rikthimi te komunitetet
Danimarka është një pioniere e energjisë së erës dhe përfshirjes së komuniteteve në këtë sektor. Në vitet 1980–1990, mijëra qytetarë u bënë aksionarë në fermat e erës, falë subvencioneve dhe tarifave të garantuara. Pas vitit 2002, me liberalizimin e tregut, komunitetet humbën terren ndaj investitorëve të mëdhenj (Clean Air Task Force, 2024).
Megjithatë, komunitetet u riorientuan drejt projekteve diellore dhe sistemeve të ngrohjes qendrore. Sot, rreth 300 sisteme të tilla janë në pronësi të komunitetit dhe furnizojnë mbi 1,7 milion familje duke mbuluar 65% të ngrohjes nga burimet e rinovueshme (Clean Air Task Force, 2024). Që prej vitit 2020, Danimarka ka përfshirë përkufizimet e BE-së për komunitetet energjetike në legjislacionin kombëtar dhe jep fonde për mbështetjen e tyre (Clean Air Task Force, 2024). Modeli danez thekson rolin e politikave afatgjata në nxitjen e pronësisë kolektive dhe tranzicionit energjetik.
Komunitetet e energjisë në Shqipëri: sfidat dhe mundësitë
Shqipëria mbështetet gjerësisht tek hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike, duke e siguruar mbi 94% të saj nga ky burim. Në vitin 2020, 99,98% e energjisë elektrike në vend vinte nga burime të rinovueshme, një rekord në rajon dhe Evropë (Eurostat). Kjo sjell avantazhe mjedisore, por krijon varësi të madhe nga reshjet dhe rrit nevojën për importe.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në prodhimin e energjisë është minimale dhe komunitetet energjetike, në kuptimin e projekteve në bashkëpronësi nga komuniteti lokal, nuk janë zhvilluar ende. Ky realitet parashikohet të ndryshojë me përditësimin e kuadrit ligjor. Në vitin 2023, u miratua ligji Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme” që njeh për herë të parë konceptin e “komunitetit të energjisë së rinovueshme”. (Enti Rregullator i Energjisë, 2023).
Sipas këtij ligji, një komunitet energjetik është një person juridik me pjesëmarrje të hapur dhe vullnetare, i kontrolluar nga anëtarët lokalë me qëllim përfitimin social, ekonomik dhe mjedisor të komunitetit, jo financiar. “Vetëprodhuesit e energjisë së rinovueshme kanë të drejtë të gjenerojnë, të konsumojnë, të ruajnë dhe të shesin prodhimin e tepërt të energjisë elektrike të rinovueshme”.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Së pari, mungesa e informacionit. Një studim i vitit 2021 vë në dukje se koncepti i “komunitetit energjetik” është pak i njohur për publikun shqiptar (Vaso, 2021). Së dyti, mungesa e skemave financiare. Vlera e investimit fillestar për një projekt të tillë është e lartë dhe mund të mos përballohet vetëm nga anëtarët. Sfidë tjetër është infrastruktura dhe rregullat teknike. Ndonëse ligji nuk ndalon bashkëprodhimin e energjisë, përdorimi i rrjetit publik për shpërndarjen paraqet vështirësi (Enti Rregullator i Energjise, 2023).
Pavarësisht këtyre sfidave, potenciali është i lartë. Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të rrezatimit diellor në Evropë, duke e bërë instalimin e paneleve fotovoltaike shumë të favorshëm. Po ashtu, ekziston potenciali për vendosjen e turbinave të erë në zonat bregdetare, ose për vendosjen e sistemeve të ngrohjes kolektive në pronësi të banorëve zonat me dimër të ftohët, si Korça.
Modelet e angazhimit të komunitetit dhe të qeverisjes së KER-eve në nivel lokal
Shqipëria ka potencial të madh për zhvillimin e komuniteteve të energjisë së rinovueshme, por ka nevojë për modele që pasqyrojnë realitetin tonë social dhe gjeografik. Përvojat e Gjermanisë, Holandës dhe Danimarkës ofrojnë shembuj të vlefshëm që mund të përshtaten sipas kushteve shqiptare.
Në Danimarkë, komunitetet energjetike lulëzuan përmes kooperativave të erës dhe sistemeve të ngrohjes kolektive në pronësi të vetë banorëve (Clean Air Task Force, 2024). Shqipëria mund të përshtatë modele të ngjashme në zonat malore dhe fshatra të izoluara, ku një impiant ere apo biomase i administruar nga komuniteti do të siguronte ngrohje dhe energji të qëndrueshme.
Modeli i Gjermanisë, përmes tarifave të garantuara dhe mbështetjes lokale, mund të zbatohet në Shqipëri në lagje urbane, ku banorët mund të investojnë bashkërisht në panele fotovoltaike mbi pallate, duke përfituar drejtpërdrejt në faturat e tyre.
Në Holandë, komunitetet kanë krijuar rrjete të forta kombëtare që i ndihmojnë të mbrojnë interesat e tyre. Shqipëria mund të krijojë një shoqatë kombëtare të komuniteteve energjetike, që do t’u jepte këtyre nismave një zë të përbashkët në vendimmarrje.
Zhvillimi i KER-eve në Shqipëri duhet të jetë i decentralizuar dhe të marrë parasysh kontekstin lokal. Pjesëmarrja e gjerë e komunitetit dhe qeverisja demokratike janë çelësat e suksesit. Përmes një kombinimi të politikave të qarta, mbështetjes financiare dhe shfrytëzimit të disa prej modeleve evropiane, Shqipëria mund të krijojë modele të qëndrueshme energjetike.
Përfundime dhe rekomandime
Si përfundim, në nivel kombëtar, miratimi i akteve nënligjore është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të krijuar siguri rregullatore për komunitetet energjetike. Në nivel qeverie lokale, njësitë e vetqeverisjes vendore duhet të konsiderohen si një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit pasi ato do duhet të ofrojnë mbështetje për KER-et, duke marrë parasysh që janë më afër me komunitetin dhe kanë mundësi të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta të. Për këtë arsye, Bashkitë do duhet të luajnë një rol aktiv në këtë drejtim, si për të ofruar mbështetje financiare, për heqjen e barrierave burokratike, informimin dhe promovimin e përfitimeve që vijnë nga KER-et, dhe pse jo edhe në inkurajimin e projekte pilot.
! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.