Një zyrë e gjelbër në praktikë: si të jetosh e punosh sipas vlerave të tua

Artikull

Për ne, ekipin e hbs-së Tiranë, qëndrueshmëria mjedisore nuk është thjesht një vlerë që predikohet, por është guri i themelit që manifestohet në gjithçka që ne bëjmë. Besojmë se janë ndryshimet e vogla e të ndërgjegjshme ato që bëjnë diferencën. Andaj që veprimet tona të jenë në përputhje me vlerat tona, si një Fondacion i Gjelbër, ne kemi vënë në zbatim praktika, në dukje të thjeshta, por me ndikim për arritjen e objektivave tanë: pakësimin e mbetjeve dhe ruajtjen e burimeve.

Biblioteka e zyrës
Teaser Image Caption
Biblioteka e zyrës sonë

Një vend pune miqësor me planetin

Duke u mbështetur në konceptin ekzistues të “zyrës së gjelbër”, kemi përfshirë, në punën tonë të përditshme, praktika miqësore me planetin. Mënyrat tona të të punuarit janë në ndryshim të vazhdueshëm duke u bërë përherë e më të përgjegjshme e më të ndërgjegjshme ndaj mjedisit. Jemi të përkushtuar ndaj këtij zotimi dhe me krenari e quajmë veten “një zyrë miqësore me planetin”.

Me hapjen e zyrës në Tiranë, nisëm një rrugëtim plot sfida, por dëshironim që zyra jonë të pasqyronte atë që ne vërtet jemi dhe që për ne ka rëndësi: një hapësirë që ushqen krijimtarinë, që është miqësore me mjedisin, që është e lidhur me komunitetin dhe ku ne ndjehemi se i përkasim.

Qëndrueshmëria është gur themeli i punës sonë

Për mobilimin e zyrës, përzgjodhëm mobilie të prodhuara me materiale të vendit dhe të punuara nga artizanë të vegjël vendas, duke mbështetur kështu artizanatin lokal. Rezultati është një hapësirë e ngrohtë, mikpritëse dhe plot karakter, ku na pëlqen vërtet të mblidhemi. Për ne, është më shumë se një zyrë! Është një vend që rrëfen një histori, sfidon të zakonshmen dhe të bën të ndihesh si në shtëpi. Gjithashtu, përdorim teknologji me efikasitet energjetik, siç është ndriçimi LED, sensorët e lëvizjes dhe pajisjet me kursim energjie që ndihmojnë për të minimizuar konsumin e energjisë elektrike dhe për të pakësuar gjurmën mjedisore. 

Jemi të bindur se çdo ndryshim i vogël ka peshë dhe për ne kjo nuk është thjesht një slogan, por një praktikë që e zbatojmë çdo ditë. Duke qenë të ndërgjegjshëm për lidhjen shkakësore që ekziston mes “blerjeve” dhe “mbetjeve”, jemi duke e shqyrtuar përdorimin e burimeve, duke filluar nga energjia, uji, letra, etj. Në zyrën tonë të gjelbër edhe kodi jonë i veshjes shpreh angazhimin tonë ndaj qëndrueshmërisë. Vishemi thjeshtë, duke ulur kështu trysninë për të blerë rroba të reja dhe për të shpenzuar. Në këtë mënyrë, bëhemi jo vetëm më të ndërgjegjshëm për zakonet tona të konsumit, por edhe krijojmë një mjedis ku individët vlerësohen për kontributin e tyre, dhe jo për dukjen.

Salla e mbledhjeve
Salla e mbledhjeve

Një ekip që nuk bën dot pa lule dhe bimë

Lulet dhe bimët kanë një rol të qenësishëm në zyrën tonë, jo vetëm si pjesë e dekorit, por edhe funksionalitetit. Ato sjellin freski dhe një element natyror në hapësirën tonë dhe krijojnë një ambient çlodhës. Si pastrues natyrorë, ato përmirësojnë cilësinë e ajrit të zyrës, duke ofruar një mjedis me më shumë oksigjen dhe më të shëndetshëm, ku krijimtaria mund të lulëzojë. Prania e luleve përqark zyrës, na rikujton të ngadalësojmë ritmin dhe të vlerësojmë gjërat e vogla, duke sjellë një ndjesi qetësie dhe lidhjeje me natyrën, në të përditshmen tonë.

Përdorimi i letrës me kursim

Duke qenë të vetëdijshëm se letra është një nga burimet më të zakonshme të mbetjeve dhe një faktor i madh kostoje, kemi vënë në zbatim një “politikë për menaxhimin e letrës”, e cila fokusohet në uljen e përdorimit dhe më pas të riciklimit të saj.

Printojmë vetëm kur është e detyrueshme me ligj ose kur është absolutisht e nevojshme, gjithmonë duke përdorur opsionin e printimit “nga të dyja anët e faqes”. Kjo ka bërë që ne të ulim ndjeshëm përdorimin e letrës dhe të bojës (tonerit). Përveç kësaj, kemi nisur tashmë një proces tranzicioni dhe synojmë të mbështetemi përherë e më shumë te zinxhirë furnizimi që punojnë në mënyrë të qëndrueshme me mjedisin, të përdorim letër të ricikluar në pjesën më të madhe të materialeve tona, përfshirë blloqet e shënimeve, kalendarët dhe materialet e tjera të printuara që shpërndajmë në aktivitetet tona.

Sjellim për herë të parë në Shqipëri teknologjinë e printimit RISO

Ne e kuptojmë fuqinë dhe rëndësinë e imazheve të forta në materialet promovuese, por gjithashtu besojmë se një skicim i mirë nuk duhet të realizohet në dëm të mjedisit. Për këtë arsye, jemi krenarë që jemi organizata e parë në Shqipëri që sjellim teknologjinë e printimit RISO, një metodë miqësore me mjedisin që përdor më pak energji dhe bojëra të biodegradueshme të prodhuara nga soja. Kjo alternativë e qëndrueshme nuk cenon krijimtarinë, por është më e kujdesshme me mjedisin, pasi materialet e prodhuara janë tërheqëse, me tekstura unike dhe ndikim minimal në mjedis, plus që është më me leverdi nga ana ekonomike!

Pakësimi i plastikës njëpërdorimëshe

Që nga dita e parë, kemi ndjekur një politikë që synon zero plastikë. Në kuzhinë përdorim enë prej qelqi, porcelani dhe çeliku inoks që kanë jetëgjatësi. Ndërsa për furnizimet e zyrës, mobilieve dhe pajisjeve, iu japim përparësi atyre që janë sa më miqësore me mjedisin, shpesh të bëra me materiale të ricikluara ose të qëndrueshme. Kjo qasje gjen zbatim edhe në planifikimin e aktiviteteve tona. Duke shmangur ambientet që kanë ndikim të madh në drejtimin e konsumit të burimeve, preferojmë të zgjedhim hapësira që menaxhohen nga vetë komuniteti lokal, organizata jofitimprurëse, ose biznese të vogla e të mesme që përputhen me vlerat tona të qëndrueshmërisë.

Për shije dhe merak, zgjedhim produktet vendase dhe ushqimin vegjetarian

Në aktivitetet dhe takimet tona, shërbejmë ushqim vegjetarian, gatime të përgatitura me përbërës vendas dhe sezonalë, duke mbështetur kështu fermerët lokalë dhe duke pakësuar gjurmën tonë të karbonit. Në tryezat e shtruara nga ne nuk do të gjeni karkaleca të importuar, por nëse keni neps për pispili tradicionale me presh të freskët e sezonalë, do ta shijoni me të vërtetë! Çdo ushqim që mbetet paketohet në ambalazhe miqësore me mjedisin dhe iu ofrohet pjesëmarrësve për ta marrë me vete, në fund të aktivitetit.

Ushqim vegjetarian
Ushqim vegjetarian

Transporti i gjelbër

Transporti i qëndrueshëm është një nga çështjet që ne i japim shumë përparësi. Për lëvizjet në qytet, përdorim vetëm biçikletat, ndërsa për distanca më të gjata përdorim makinat elektrike. Për më tepër, drejtori i zyrës sonë ka zgjedhur të përdorë një biçikletë të përdorur, dhuratë nga organizata jonë, në vend të makinës, duke kursyer para, duke ulur nivelin e ndotjen dhe duke promovuar lëvizshmërinë miqësore me mjedisin. Në fakt, kostoja totale e mirëmbajtjes së biçikletës (duke përfshirë të gjitha riparimet përgjatë tre viteve të fundit) nuk është as 1/100 e asaj që do të duhej për mirëmbajtjen e një makine përgjatë së njëjtës periudhë. Kjo dëshmon se zgjedhjet e qëndrueshme janë jo vetëm më të mira për mjedisin, por edhe më të leverdishme nga ana financiare. 

Me anë të këtyre praktikave, dëshirojmë të bëhemi pionierë të një modeli lëvizshmërie të gjelbër, duke vendosur një standard të ri për transportin e qëndrueshëm në qytet. 

Misioni nuk mbyllet me kaq, por kërkon përpjekje të vazhdueshme

Qëndrueshmëria është një proces i vazhdueshëm. Duke e ditur mirë këtë rivlerësojmë herë pas here zakonet tona të konsumit për të gjetur mënyra që ulin ndikimin tonë në mjedis dhe për të identifikuar fusha ku mund të përmirësohemi. Ndonëse ndërhyrje madhore, siç është instalimi i paneleve diellore, mund të mos jenë ende të bëshme, ne jemi të përkushtuar të përshtatim zakonet tona dhe të bëhemi një shembull i mirë për tu ndjekur. Duke rishikuar vazhdimisht mënyrën se si përdorim burimet dhe duke bërë zgjedhje të ndërgjegjshme, shpresojmë të frymëzojmë edhe të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë, sepse qëndrueshmëria mjedisore nuk është thjesht një politikë, por një mënyrë jetese.