Pasi ti e shikon Vjosën për herë të parë, Vjosa nuk është më thjesht një lumë, Vjosa është pjesë e jotja. Ngjyra e asaj rrjedhe nuk ka njëemërtim të saktë,është ngjyra e ujit të Vjosës. Ka diçka të veçantë në atë lumë që të bën për vete, e ndoshta kjo vjen sepse po flasim për një pasuri të jashtëzakonshme, që pakkush e gëzon në botë; po flasim për një lumë të egër që rrjedh i lirë në 270 kilometra, nga malet e Pindit deri në Adriatik.
Një ekosistem i tillë i mbijetuar ka ngjallur kërshëri tëjashtëzakonshme vitet e fundit. Vetë komuniteti, organizata mjedisore dhe shkencëtarë po apelojnë të ruajnë Vjosën të paprekur, ndryshe nga synimet e qeverive të mëhershme dhe aktualja në Shqipëri; ata duan diga dhe tuba.
Me një total prej 40 HEC-esh[1], rrjedha e saj planifikohej të ndërpritej e të futet në tubacione për prodhim energjie, pa kursyer as degëzimet e Vjosës. Dikur, kur informacionet ishin më të pakta dhe mobiliteti nuk ishte krijuar ende, flitej pak për këto projekte, ndërkohë sot shumëkush i është bashkuar fushatës ndërkombëtare #VjosaNationalParkNow, që kërkon ndalimin e hidrocentraleve dhe kthimin e luginës në një Park Kombëtar.
“Ajo çfarë më erdhi menjëherë në mend kur e pashë Vjosën qe kjo: “Vjosa duhet të marrë statusin ‘Park Kombëtar’”, - rrëfen Ulrich Eichelmann, themelues i organizatës RiverWatch.
Si “u ngjiz” lëvizja për mbrojtjen e Vjosës?
Ishte vitin 2013, kur Besjana Guri dhe Olsi Nika themeluan organizatën mjedisore “EcoAlbania”, me qëllimin për të shpëtuar Vjosën nga ndërtimi i HEC-eve.Vizioni i EcoAlbanias prej asaj dite e sot është krijimi i Parkut të parë Kombëtar të lumit të egër në Evropë.
“Indicia për krijimin e organizatës ka qenë fushata për Vjosën dhe dedikimi ndaj Vjosës”, - rrëfen Guri. Që prej 2014-tës, EcoAlbania është në partneritet të vazhdueshëm me organizatën mjedisore EuroNatur[2] me bazë në Gjermani dhe RiverWatch[3] në Vienë, të cilët kanë apeluar vazhdimisht ndalimin e hidrocentraleve.
Në fillesat e tyre, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohej, ata kishin nevojë për mediatizim të kauzës.
“Konferenca e parë për shtyp që kemi bërë për Vjosën ka qenë në mars 2014 në Qesarat[4], në breg të lumit”, - kujton e buzëqeshur Besjana, teksa pohon se morën gazetarë nga Tirana, si mënyrë e vetme për të pasur mbulim mediatik të asaj konference.
“Ne donim që të bënim një konferencë ndryshe dhe nuk donim ta bënim në Tiranë. Donim ta bënim aty ku janë njerëzit, aty ku është lumi, aty ku është problem. Pra, donim ta nisnim nga Vjosa”, - pohon Guri.
Për Ulrich Eichelmann ishte e qartë se vëmendja mediatike ishte esenciale për ta ngritur çështjen e Vjosës. I bindur se përtej Shqipërisë pakkush e njeh këtë lumë, ata u angazhuan në përmbysjen e situatës.
“Kjo ishte gjëja e parë që duhej ndryshuar, ndaj duheshin gazetarë ndërkombëtarë për ta mbuluar çështjen e Vjosës. Gjithashtu, na duheshin njerëz nga Shqipëria që do të na ndihmonin të mbrojmë lumin”, -u shpreh ai.
Dhe produktet e para mediatike u publikuan. Media e parë e huaj ishte Der Speigel, pasuar nga The Guardian, e më pas shumë media të tjera vendase e të huaja i dhanë jehonë kësaj kauze. Përveç mbulimit mediatik, EcoAlbania formoi dhe grupin “Miqtë e Vjosës[5]” ku kryheshin takime të vazhdueshme dhe ftoheshin individë të ndryshëm, përfshirë politikanë, artistë, njerëz të njohur, në mënyra që kjo çështje të flitej sa më shumë.
Në muajin maj të 2016-tës, kajakistët nga Sllovenia, Greqia, Italia, Gjermania, Austria, Holanda dhe Amerika zbarkuan para dyerve të kryeministrisë në Tiranë dhe kërkuan t’i jepnin një dhuratë të veçantë kryeministrit Rama.
Për 35 ditë, ata kishin ndërmarrë “Turin e lumenjve të Ballkanit[6]” ku ishin pedaluar 23 lumenj, përfshirë dhe Vjosën, që ishte destinacioni përmbyllës. Ata dëshironin t’i dorëzonin Kryeministrit Edi Rama kajakun e firmosur nga 1000 aktivistë nga Ballkani, ku parashtrohej dhe një kërkesë.
“I dashur Edi Rama – ndaloji projektet për ndërtimin e digave në Vjosë dhe shpall Parkun e parë Kombëtar të Egër në Evropë” shkruhej në kajak që vinte edhe si dhuratë simbolike për lindjen e djalit të tij të dytë.
“Kërkesa jonë ishte që të dilte ta priste kajakun, donim t’ia bënim dhuratë për djalin e tij që kur të rritej të pedalonte në Vjosë, me idenë që të mos e shkatërrojë. Nuk doli dhe nuk na priti, ia lamë aty”, - kujton Besjana Guri.
Megjithatë, përpjekjet e tyre vazhduan.
Në vitin 2017 u bë koncerti i parë protestë[7]në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të kauzës së Vjosës. Shumë artistë iu bashkuan këngëtareve Eda Zari dhe Elina Dunit, të cilat e morën këtë nismë. Disa prej këtyre artistëve i dedikuan edhe një këngë lëvizjes kundër HEC-eve në lumenj, që tashmë kishte marrë një jehonë shumë të madhe edhe prej çështjes së hidrocentrale në Valbonë.
Kënga e titulluar “Lum, lumi i lirë[8]”, kënduar nga Elina Duni, Eda Zari, Shpat Deda, Vlashent Sata dhe Linda Rukaj, përsërit kërkesën për ndalimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe Valbonë. “Duam çdo njeri i mirë, të thërrasë: lumë, lumë i lirë!”, shkruhet në refren të këngës.
Po në 2017-tën, pavarësisht kërkesës së komunitetit, organizatave mjedisore dhe artistëve, qeveria shqiptare vijoi me planet për të ngritur digë në zemër të rrjedhës qendrore të lumit Vjosë.
Qeveria rihapi procedurat[9]për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit pasi anuloi kontratën me “Kalivaç Green Energy”. Projekti për ndërtimin e këtij HEC-i daton prej vitit 1997, i cili ka rifilluar punën për ndërtimin e digës sërish në vitin 2007, por ka pasur vazhdimisht ndërprerje të punës. Hidrocentrali i Kalivaçit ishte i planifikuar të mbulonte 16 km të lumit Vjosë, qëdo të kishte kapacitet prodhues prej 100 MW dhe kishte si investitorë “Becchetti Grup” dhe “Deutsche Bank”.
Pas Kalivaçit, projekti i dytë më i madh hidrik në rrjedhën e Vjosës ishtehidrocentrali i Poçemit[10]. Koncesioni për ndërtimin e këtij hidrocentrali iu dha kompanisë turke “Kovlu Energji” në vitin 2016, ku parashikohej ndërtimi i një dige200m e gjatë, me kapacitet 102,2 MW. Komuniteti nuk ishte njohur më herët me planin për hidrocentrale dhe zhvilloi disa protesta kundër saj. Paralelisht, 38 banorë, bashkë me tre organizata mjedisore ngritën padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë[11].
Në vitin 2017, Gjykata e shpalli të pavlefshme kontratën koncensionare[12], pasi rezultoi se kompania nuk kishte kryer asnjë dëgjesë publike me komunitetet e Bashkisë Mallkastër që preken nga ky projekt, por me 50 banorë të Fierit.
Më shumë artistë dhe aktivistë për Vjosën
Leonardo DiCaprio është një ndër artistët që i ka dhënë më së shumti popullaritet kauzës së Vjosës jashtë territorit të Shqipërisë, pikërisht prej audiencës së madhe që ai ka ndërkombëtarisht. Për herë të parë ai ka shpërndarë një dokumentar të “Associated Press” dhe prej asaj periudhe EcoAlbania është në kontakt të vazhdueshëm me stafin e tij. Ai ka shpërndarë në vazhdimësi thirrjen për shpalljen e saj Park Kombëtar.
“Leonardo DiCaprion e kishim një nga synimet tona që donim të arrinim sepse është superstar i Hollywood-it dhe sepse është i angazhuar me çështjet e klimës dhe mjedisit”, - tregon Guri.
Por ai nuk është personazhi i vetëm i famshëm që ka dalë në krah të lumit Vjosë. Aktori Edward Norton dhe këngëtarja Ellie Goulding kanë rishpërndarë materiale rreth ndalimit të HEC-eve dhe shpalljes së saj park kombëtar.
Kompania amerikane “Patagonia” ka qenë po ashtu një ndër kontribuesit kryesorë në kauzën e Vjosës. Besjana Guri shpjegon se Patagonia ka udhëhequr fushatën #VjosaNationalParkNow dhe ka realizuar dokumentarin “Blue Heart” ku Vjosa është pjesë thelbësore e saj.
Me krenari, Besjana pohon se tashme nuk ka të madh e të vogël që nuk ka dëgjuar për Vjosën.
“Në qoftë se më përpara në Shqipëri kishte njerëz që e kishin bërë vetëm në gjeografi dhe nuk e dinin për Vjosën tani jo në Shqipëri, por edhe në mbarë botën e dinë që ekziston një lumë i tillë si Vjosa”.
Shkencëtarët për Vjosën
Tara Sukic dhe Ulrich Eichelmann nga organizatat mjedisore EuroNatur dhe RiverWatch shprehen se janë mahnitur menjëherë nga Vjosa sapo e kanë parë atë.
Sukic, specialiste e ujërave të ëmbël, tregon se ndërtimi i hidrocentraleve dëmton në formë të pariparueshme mjedisin dhe nuk i vjen në ndihmë komunitetit.
“Mendimi im personal është se duhet t’i mbajmë njerëzit të lidhur dhe ta përdorim atë zonë në mënyrë që t’u shërbejë të gjithëve, jo vetëm një grushti njerëzish”.
Ekologjisti Elrich Eichelmann nga River Watch tregon se ka një lidhje të veçantë me lumenjtë, pasi është rritur pranë tyre, por vit pas viti ai vështroi si këto lumenj po zhdukeshin.
“Unë jam rritur afër një lumi. Babai im mësoi të notojë në një lumë, unë mësova të kap peshq me duart e mia në lumë, kam kaluar rininë time aty dhe pastaj pashë si në Gjermani si çdo lumë po kanalizohej, po shkatërrohej dhe fillova të reagoj”.
“Vjosa është tërësisht unike dhe ka nevojë për mbrojtje unike”, - vijon më tej ai.
Në vitin 2020, mendimit të Sukic dhe Eichelmann iu bashkuan plot 776 shkencëtarë[13]nga e gjithë bota, ku kërkuan përmes një peticioni ndalimin e ndërtimit të digave në lumin Vjosë dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje. 129 ekspertë që nënshkruan këtë peticion ishin nga Shqipëria.
Po Qeveria Shqiptare a është për Vjosën?
Vigjilenca e aktivistëve ndaj deklaratave të qeverisë shqiptare për Vjosënu rrit veçanërisht gjatë periudhës së fushatës zgjedhorepara zgjedhjeve të 25 prillit 2021[14], ku intensifikuan thirrjen për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Në një deklaratë të paqartë dhe kontradiktore,[15]në muajin janar të 2021, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se Vjosa do të mbrohet ligjërisht, duke përmendur dy koncepte të ndryshme ligjore; “Park Kombëtar” dhe “Peizazh i mbrojtur”.
Sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, në një zonë të shpallur “Park Kombëtar” nuk mund të ndërtosh hidrocentrale, ndërsa në një zonë “Peizazh i mbrojtur” mund të ndërtosh pasi të kesh marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë është miratuar ndërtimi i aeroportit të Vlorës[16], i cili po ashtu ka hasur shumë kundërshtime nga aktivistët mjedisorë.
Përmes një deklarate për shtyp, EcoAlbania pohoi se ata zotërojnë informacione se nuk do të mbrohej e gjithë lugina e Vjosës por vetëm pjesa e sipërme e saj, duke përjashtuar pjesën ku ishin planifikuar të ndërtoheshin hidrocentralet e Poçemit dhe Kalivaçit.
Më pas, në muajin shkurt 2021, EcoAlbania së bashku me 20 organizata mjedisore dërguan një propozim në Ministrinë e Mjedisit për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.
“Kemi dërguar propozim zyrtar për Vjosën në shkurt të këtij viti dhe nuk kemi marrë ende një përgjigje që e morëm. Kemi vite që kerkojmë takim me ministrin Klodi dhe nuk kemi arritur ta takojmë. Komunikimi ka qenë vërtetë shumë i vështirë, qoftë shkresërisht”, - pohon Besjana Guri.
Në njërën anë, aktivistë dhe organizata mjedisore kërkonin shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, e nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama deklaronte se pjesa e sipërme e Vjosës[17]ishte shpallur e tillë dhe po punohej për ta shpallur edhe pjesën e poshtme të saj Park Kombëtar. Kjo ishte një deklaratë e rremë e artikuluar nga ai në ditën e inagurimit të qëndrës kërkimore të Vjosës në Tepelenë “Fritz Scheimer”, në shtator të 2020, por asnjë dokument nuk e vërteton fjalën e tij.
Ishte vetë personalisht Kryeministri Rama që e hodhi poshtë fjalën e tij në fillim të muajit prill, 2021. Në një emision prime-time, teksa u pyet për Vjosën, ai tha se nuk mund ta shpallin luginën e Vjosës Park Kombëtar[18]pasi dëmton agroturizmin por mohoi kategorikisht lejimin e hidrocentraleve në Vjosë.
“Hidrocentralet asnjëherë por nuk mundemi dot që gjithë atë luginë të madhe ne të frenojmë për shembull agroturizmin, përkundrazi agroturizmi duhet të jetë pjesë e asaj historie”, - tha Rama në emisionin “Open”.
“E kemi çuar përpara ne, zonë të mbrojtur Vjosën e kemi shpallur ne dhe hidrocentrale në Vjosë nuk ndërtohen se përndryshe nuk do ishim nëpër gjyqe me historitë e Saliut”, përfundoi ai.
Referenca e Ramës si “Gjyqeve të Saliut” lidhet me lejen për ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit, dhënë fillimisht në vitin 1997, ku punimet rifilluan në 2007-tën,gjatë kohë që Shqipëria qeverisej nga Partia Demokratike, me kryeministër Sali Berishën dhe u ndërprenë më pas.
Qeveria socialiste, që qeveris prej vitit 2013 dhe fitoi për së treti herë zgjedhjet parlamentare në prill të këtij viti, ripahi tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në 2017, por pas kundërshtimeve të vazhdueshme kombëtare dhe ndërkombëtare, në tetor të vitit 2020, Ministria e Mjedisit i sugjeroi Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të mos i jepte leje[19]kompanisë turke “Ayen – Alb” për ndërtimin e këtij hidrocentrali, bazuar në argumente prej nëntë pikash.
Kompania “Ayen – Alb” ngiti në padi ndaj Ministrisë së Mjedisit[20]në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, duke kërkuar shfuqizimin e deklaratës negative mjedisore.
Në muajin maj të 2021, Gjykata rrëzoi padinë e kompanisë turke[21]pasi rezultoi se në përpilimin e Vlerësimin të Ndikimit në Mjedis (VNM), ata kanë përdorur raportet shkencore të organizatave dhe shkencëtarëve të angazhuar në kauzën e Vjosës për t’u përdorur si argumente pro hidrocentraleve.
Mbrojtja e Vjosës përjashton tributarët e saj
Qeveria shqiptare ka lënë jashtë mbrojtjes degëzimet e Vjosës si Shushica, Bënça apo Drinosi. Në total, këto tre tributarë rrezikohen nga 18 hidrocentrale, ku përkatësisht katër hidrocentrale të vegjël në Shushicë, tetë në Bënçë dhe gjashtë në Drinos.
30 shkencëtarë[22] nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëri u mblodhën më 30 maj në Brataj,Vlorë për të nisur javën shkencore në Shushicë dhe Bënçë, tributarë të Vjosës. Këto të dhëna të mbledhura do të shërbejnë si argumentim për ta shpallur të gjithë luginën Park Kombëtar, duke përfshirë dhe degëzimet e saj.
Kjo kategori mbrojtjeje për ekologjistin Eichelmann do të siguronte të ardhura për komunitetit përmes ekoturizmit, duke u siguruar se nuk do të dëmtohet natyra. Kjo do të çonte dhe në krijimin e programeve edukuese për studentët dhe fëmijët, shpjegon më tej ai.
“Unë vërtetë e besoj se Parku Kombëtar i lumit të egër të Vjosës do të shkëlqente globalisht sepse lumenjtë dhe sistemi i tyre i tyre është më i kërcënuari në botë”, - shprehet Ulrich Eichelmann.
Tara Sukic nga EuroNatur tregon se këmbëngulja dhe fushata ka filluar të japë rezultat pozitiv edhe në Shqipëri.
“Ne kemi marrë mbështetje nga njerëz në Shqipëri që kanë hapur faqe në Instagram për mbrojtjen e Vjosës, çka ishte një mënyrë shumë e mirë për të shprehur mbështetje ndaj nesh”, - përfundon ajo.
Aktivistët në mbrojtje të lumit të fundit të egër në Evropë nuk duket se do të lëshojnë pe në kauzën e tyre. Mbetet për t’u parë në vijim qëndrimi i qeverisë shqiptare, nëse vullneti i tyre shkon drejt eko-turizmit apo prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve, në një kohë kur ndryshimet klimatikë janë diskutim global.