Solar në Kutë: Iniciativa për të shndërruar fshatin Kutë në fshatin e parë solar në Shqipëri

Protesta e banorëve të fshatit Kutë kundër hidrocentralit në lumin Vjosa në Poçem rezultoi e suksesshme në gjykatën e shkallës së parë në vitin 2017. Ndërsa procesi gjyqësor vazhdon, fushata Solar in Kuta tregon se energjia hidroelektrike nuk është e nevojshme dhe se Kuta mund të gjenerojë energjinë e saj përmes alternativave më të gjelbra.

Vjosa

Komuniteti i fshatit Kutë do të mbahet mend gjatë në historinë e mbrojtjes së lumenjeve në Shqipëri. Të gjendur para një fakti që do t’ju ndryshonte jetën përgjithmonë, në mënyrë negative, ata u mobiluzuan shumë shpejt dhe i dolën në mbrojtje lumit të tyre. Një hidrocentral i madh planifikohej të ndërtohej në lumin Vjosa në Poçem, i cili do të përmbyste tokat e banorëve të fshatit Kutë dhe do të detyrontë ata të shpernguleshin nga shtëpitë e tyre. Por ata nuk u dorëzuan, me mbështetjen e organizatave mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur protestuan dhe iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar këtë projekt. Në vitin 2017 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë i dha të drejtë banorëve dhe organizatave duke shpallur kontratën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit të pavlefshme. Një fitore e madhe për banorët dhe për shoqërinë civile në Shqipëri. 

Ndërsa beteja ligjore vazhdon për mbrojtjen e Vjosës, fushata “Solar në Kutë” vjen për ti treguar qeverisë se Kuta nuk ka nevojë për hidrocentralin dhe se ata mund të gjenerojnë vetë energjinë e tyre përmes alternativave të tjera më miqësore me mjedisin.  

Solar në Kutë

Shqipëri nisën fushatën “Solar në Kutë” me qëllim mbledhjen e fondeve për zbatimin e një projekti pilot i cili do ti vinte në ndihmë komunitetit të fshatit Kutë, si një nga komunitetet më të prekura nga hidrocentrali i Poçemit.

Projekti Solar në Kutë është një risi për Shqipërine, pasi ky është projekti i parë komunitar për prodhimin e energjisë diellore që synon të instalojë një sistem të pavarur të prodhimit të enegjisë i cili do të furnizojë me energji elektrike 5 ndërtesat publike të fshatit: Qendra Shëndetësore, Shkolla, Qendra e Kulturës, Njësia Administrative dhe stacioni i pompimit të ujit. “Ne jetojmë në një vend me shumë ditë me diell dhe mendojmë së ky potencial duhet të shfrytëzohet për të furnizuar fshatin tonë me energji. Kështu mund të mbajmë edhe Vjosën të lirë dhe mund të zhvillohemi me shumë si fshat. Solar në Kutë është një projekt shumë i vlefshëm dhe një ndihmë e madhe për komunitetin tonë”, tha Demir Murataj, banor i fshatit Kutë.

Sipas projekt idesë së OJF-ve nismëtare , ky do të ishte vetëm hapi i pare i një projekti më madhor i cili synon të shndërrojë të gjithë fshatin Kutë në një fshat diellor, komuniteti i të cilit do të prodhonte vetë energjinë e nevojshme për të përmbushur nevojat e tyre, kjo duke instaluar panele diellore në çatitë e shtëpive të tyre. 

“Ne duam që të ndihmojmë komunitetin e fshatit Kutë të gjenerojnë energjinë përmes alternativave të tjera siç është enegjia diellore, për të treguar se ata nuk kanë vërtetë nevojë për hidrocentralin e Poçemit dhe se Vjosa mund të shpëtohet nga sakrifikimi për shkak të nevojës për energji. Kjo është një mundësi e mirë edhe për bashkinë e Mallakastrës për të ulur faturën mujore të energjisë elektrike për 5 ndërtesat publike të fshatit Kutë”- tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Pas një fushatë të sukseshme për mbledhjen e fondeve edhe pse në kohë të vështira si kjo që po kalon bota në kohën e pandemisë, u bë e mundur sigurimi i shumës prej 80,500 Euro për zbatimin e fazës së parë të projektit Solar në Kutë. Së shpejti pritet të fillojë instalimi i paneleve diellore në pesë ndërtësat publike të fshatit.

“Energjia diellore mund t'u japë banorëve të Kutës dhe Shqipërisë mundësinë e pronësisë në prodhimin e energjisë, e cila do të vijë sëbashku me përgjegjësine dhe lidhjen edhe më të fortë të komunitetit. Kjo bëri edhe më të lehtë vendimin për të nisur fushatën Solar në Kutë. Ne jemi të kënaqur që tani mund të fillojmë instalimin e paneleve foto-voltaike me besimin se ky projekt pilot do të shërbejë si një model i mirë për komunitetet e tjera në Shqipëri”,- tha Tara Sukiç, menaxhere e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” pranë EuroNatur.

Vjosa zë një vend të veçantë dhe thelbësor në jetën përditshme të banorëve të Kutës dhe vlerat shoqërore dhe kulturore të lumit Vjosa për ta janë të pazëvendësueshme. Mundësia e zhvillimit të zonës nga parku kombëtar i Vjosës do të sillte zhvillimin e turizmit në zonë duke rritur edhe kërkesën për inestime. Ky do të ishte invesitimi parë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të luginës së Vjosës dhe vecanërisht të fshatit Kutë.

Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë

Lumi Vjosa është një xhevahir i natyrës shqiptare dhe një pasuri ndërkombëtare. Ky ekosistem unik vështirë të gjendet sot në Evropë. Rrjedha e saj e pandërprerë përshkon qytete e fshatra të shumtë, banorët e të cilëve e kanë lidhur jetën me këtë lumë për shekuj me radhë. Komunitetet përgjatë luginës së lumit Vjosa dhe organizatat mjedisore të shqetësuar kanë ngritur shpesh zërin kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë. Mbi 40 hidrocentrale janë planifikuar në gjithë basenin e Vjosës, duke rrezikuar shkatërrimin e ekosistemit dhe jetesën e shumë banorëve të prekur. Nisur nga ky shqetësim, organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare kanë më shumë se 8 vjet që po zbatojnë fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” e cila synon të mbrojë lumenjtë e Ballkanit nga epidemia e hidrocentraleve, me fokus të veçantë ndaj Vjosës, lumit të fundit të egër në Evropë (pa përfshirë Rusinë).  Vizioni i tyre është shpallja e të gjithë luginës së Vjosës park kombëtar, e cila do të përbënte parkun e parë kombëtar të një lumi të egër në Evropë.

Në mbështetje të këtij vizioni një grup shkencëtarësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë angazhuar për të mbledhur të dhëna dhe argumente shkencore për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe degëve të saj. Këto argumente shkencore kanë bërë të mundur që institucionet të marrin një vendim tjetër të rëndësishëm për lumin Vjosa: rrëzimin e projektit të hidrocentralit të dytë të madh në Vjosë, atë të Kalivacit. “Ky është një moment historik ku qeveria shqiptare ka mundësinë të sigurojë të ardhmen e luginës së Vjosës përgjithmonë. Vjosa është mundësia e fundit që kemi për të krijuar parkun e parë të një lumi të egër në Evropë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë luginës në të mirë të natyrës dhe komuniteteve të saj.” u shpreh Olsi Nika.

Megjithatë qeveria shqiptare duket se i ka dëgjuar pjesërisht zërat e banorëve dhe aktivistëve, pasi në dhjetor 2020 mori vendimin për ti dhënë Vjosës thjeshtë statusin e zonës së mbrojtur Park Natyror, një status i cili sipas ligjit vendas dhe standardeve të IUCN i përket kategorisë së IV të zonave të mbrojtura i cili siguron mbrojtje në nivel të ulët për një ekosistem unik si ai i Vjosës. Aktivistët janë të kënaqur me atë cfarë kanë arritur deri tani, megjithatë  vazhdojnë të kërkojnë shpalljen e Vjosës park kombëtar.

Përpjekjet e aktivistëve për ta shpallur Vjosën dhe degët e saj park kombëtar vazhdon ndërkohë që cështja ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe mbështetjen e personazhe të famshëm në botë si Leonardo Di Caprio, Edward Northon, Ellie Goulding, etj, të cilët kanë bërë thirrje në rrjetet e tyre sociale për ndaljen e planeve të hidrocentraleve dhe shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombërtar.