Përshtypje nga Lukova

Përmes historive individuale të banorëve të Lukovës, ky artikull synon të hedhë dritë mbi dinamizmin antropologjik dhe kulturor të njerëzve të Lukovës dhe mënyrën si ndërveprimet e këtij komuniteti me natyrën shënojnë dhe shënjohen nga identiteti dhe praktikat kulturore.

Students meet locals in Lukova
Teaser Image Caption
Pjesëmarrësit bisedojnë me banorët e Lukovës

Hyrje

Ky tekst ka për objekt studimi marrëdhënien ndërmjet banorëve të Lukovës e natyrës ku jetojnë. Synimi është me e kuptu natyrën jo si një “mjedis”, por si pjesë të vetë strukturës shoqërore e simbolike që i mban këta njerëz. Kështu, përmes historive individuale të banorëve dhe ritmeve të brendshme të jetës në Lukovë, përpiqem me artikulu mënyrat e shumta se si ata jetojnë me natyrën. Duke u mbështetë në përvoja konkrete, përpiqem të kuptoj se si natyra është pjesë e përbame e mënyrës se si njerëzit e mendojnë, e ndjejnë dhe e ndërtojnë botën e tyne.

Marrëdhënia e njeriut me mjedisin natyror që e rrethon ka qenë nji nga temat e studimeve antropologjike. Studiuesit kanë kërku me kuptu jo vetëm çfarë bëjnë njerëzit në përditshmëri, por edhe si ritet kulturore, punët e tokës  lidhen ngushtë me mënyrën se si ata kujdesen dhe mbrojnë natyrën. Në shumë kontekste, si Lukova, kjo marrëdhënie nuk është veç abstrakte: ajo duket qartë në ritmet e përditshme të jetës, në mënyrën se si rriten kafshët, si mblidhen e përdoren bimët mjekësore, dhe si përcaktohen vendimet për përdorimin e burimeve natyrore.

Çdo gjest praktik, qoftë krasitja e pemëve, mbledhja e ullinjve, apo bimëve mjekësore, mbart kuptim kulturor duke treguar se natyra është pjesëmarrëse në rrjetin e gjallë të jetës njerëzore. Zakonet dhe praktikat shfaqin një ndarje të hollë të njohjes dhe respektit për ritmet natyrore.

Sfondi historik

Me kuptu marrëdhënien e sotme të banorëve të Lukovës me natyrën, duhet kuptu edhe historinë që e ka formësu. Njerëzit në këtë zonë kanë qenë të varun prej burimeve natyrore. Toka, uji, ullishtet e bimët mjekësore, kanë ndiku në mënyrën si është ndërtu jeta shoqërore e ekonomike.

Gjatë periudhës komuniste, politikat e kolektivizimit të bujqësisë ndryshuan rrënjësisht mënyrën tradicionale të pronësisë dhe punimit të tokës. Këto ndryshime, që synonin rritjen e produktivitetit dhe vetë-mjaftueshmërinë ushqimore, shpesh çuan në praktika të paqëndrueshme e në një shkëputje simbolike mes njeriut e tokës. Kjo nuk ishte vetëm një ndryshim në pronësi apo në organizimin e punës, por edhe një transformim i mënyrës se si natyra kuptohej dhe përjetohej në përditshmëri. Përmes mënyrave më të organizuara të punës, ku prodhimi ndiqte logjikën e planifikimit, ekspertizës dhe ndarjes së roleve, marrëdhënia me tokën u bë më e ndërmjetësuar dhe më pak e drejtpërdrejtë. Në kuptimin weberian të racionalizimit, jeta shoqërore organizohet përmes llogarisë, efikasitetit dhe rendit të parashikueshëm, dhe në kontekste të ndryshme historike, përfshirë edhe atë socialist, kjo mënyrë mendimi fillon të prekë edhe marrëdhënien me mjedisin. Natyra filloi të trajtohej gjithnjë e më shumë si një hapësirë që duhej vënë në rend dhe orientuar drejt prodhimit, duke krijuar një distancë të re.

Pas rënies së regjimit, Lukova përjetoi një tranzicion të ngadalshëm drejt rikthimit të pronës private dhe rimëkëmbjes së bujqësisë së vogël. Ky proces u shoqërua me shumë vështirësi: konflikte pronësie, mungesë investimesh, e ndryshime mjedisore që i shtynë njerëzit me gjetë forma të reja mbijetese.

Foto nga arkiva e Melës
"E gjithë Lukova në fotografi". Foto nga arkiva e Melsës.
Foto nga arkiva e Melsës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Por sot, ullinjtë s’janë më të përbashkët, e toka s’dihet mirë kujt i përket. Në kohë komunizmi, natyra ishte e kontrolluar, e menaxhuar kolektivisht. Pas rënies së tij, natyra u kthye në një fushë të hapun: secili mundohet me mbijetu në mënyrën e vet. Kjo tregon kalimin prej një forme “domestikimi të natyrës”, ku njeriu përpiqet me e sistematizu marrëdhënien me mjedisin, drejt një rindërtimi të marrëdhënies me natyrën. Të gjitha tregojnë se natyra në Lukovë s’është më një sistem i kontrolluar, por një fushë që njerëzit duhet ta mësojnë rishtas si me e menaxhu, e si me bashkëjetu me të. 


Tregime nga Lukova

“Njeriu është si natyra, i fortë, e nuk mund të thyhet aq lehtë” S.H

Në Lukovë natyra s’është veç nji prapaskenë ku ndodh jeta, por e ndien në çdo shteg, në çdo bahçe, në çdo ulli të vjetër që ka pa breza. Njerëzit këtu se ndajnë veten prej tokës. Ajo u është mënyrë jetese e kujtese. Kanë një lidhje me tokën, me bimët, me kafshët - secila familje ka mënyrën e vet si i rri afër natyrës: si e prek, si e përdor, e si e kupton.

Wall Kimmerer shkruan se si është të jetosh në një botë ku marrëdhëniet ekonomike bazohen mbi dhuratat (gift economy -  term fillimisht i zhvilluar nga Marcel Mauss por Kimerer e ri-interpreton si marrëdhënie ekologjike, etike, shpirtërore me botën jo-njerëzore). Ajo flet për marrëdhënien e saj me tokën dhe me frutat që mbledh prej saj. Dashuria reciproke e tokës krijon, sipas Kimmerer, një “lidhje të shenjtë”. Ideja e “gift economy” më vinte shpesh ndër mend në Lukovë, sidomos kur takoja banorët që më jepnin sherebele, një shegë, ose disa mandarina të mbledhura prej oborrit të tyre. Po ashtu më vinte ndër mend në mal mbi det, teksa mblidhja cfak (sherebele mesdhetare, një nga bimët më të mbledhura në Lukovë) me Besnikun ose vëzhgoja ullinjtë. “Po sikur Toka të ta kthejë dashurinë tënde?”, pyet Wall Kimmerer. Kjo e bën njeriun të shtrembërohet, të mos ndihet rehat; a mund të më dojë natyra?

Natyra e Lukovës njeh dhembshurinë, idenë e të jetuarit së bashku. Por ajo di edhe më shumë se kaq. I gjithë mali ishte i mbushur me një bimë me gjethe të mbushura me therra të vogla që të gërvishtnin kudo ku të prekshin. Megjithatë, Besniku ecte lehtë midis tyre, pa u shqetësuar aspak; ai njihte çdo shteg dhe e dinte si t’i mblidhte bimët pa lënduar veten. Cfaku që rritet në këtë terren nuk është i lehtë për t’u mbledhur, por për Besnikun është punë rutinë, një praktikë që ai e kryen çdo vit. Për mua, çdo gërvishtje ishte një kontakt i drejtpërdrejtë me ashpërsinë e tokës dhe aty e kuptova se natyra ndjen edhe kushtet e të qenit.

Në Lukovë thonë: “Ullinjtë janë të gjallë”. Ulliri, që vendasit e quajnë “mbreti i pemëve”, është ndoshta shenja ma e fortë e kësaj lidhjeje. Ai s’është veç pemë për vaj, por kujtim e trashëgimi. Çdo ulli ka historinë e vet, shpesh të lidhun me kohën e komunizmit, me ndamjen e tokave, me pronën e me punën.  Konfliktet për ullinjtë s’janë veç çështje pronësie - janë mënyra për me negociu vendin e vet e për me mbajtë gjallë një ekuilibër. Banorët flasin e debatojnë për ullinjtë. Te shumë familje, kujdesi për ullirin bëhet bashkë me kujdesin për dinjitetin e vet: kush e mbledh, kush e krasit, kush e sheh i pari frytin. Kështu, në Lukovë toka nuk është veç “e dikujt” - ajo i ban, i mat, e ju kujton se jeta është gjithmonë marrëdhënie. Këtu s’ka ndarje të pastër mes “natyrës” e “shoqërisë”. Ulliri, toka, bimët janë pjesëmarrës në jetën e njerëzve, kanë vlerë, kërkojnë kujdes, nxisin debat, por edhe mbajnë gjallë ekonominë e fshatit.

Natyra nuk shihet njësoj prej të gjithëve. Për Besnikun dhe gruan e tij, Rozën, që mbledhin e shesin bimë mjekësore, natyra merr kuptim përmes punës e nevojës. Jetojnë veç të dy, vajzat i kanë të martuara e të ikuna jashtë. Puna e tyre ndahet ndër stinë: për disa muaj punojnë për “Nena Farm”, një pjesë e kalojnë duke mbledhë bimë mjekësore, duke u marrë me kopshtin, e ndihmu të tjerët nëpër hotele a shtëpi. Në kopsht kanë domate, kastravecë, speca e patëllxhanë, e rreth shpisë u rriten hardhitë që çdo vjeshtë u japin rakinë. Degët që mbesin prej krasitjes së pemëve, i përdorin për me ndezë sobën. Asgjë nuk shkon dëm. Krejt ajo çka kanë, kthehet në diçka tjetër.

Dalje në mal për të mbledhur cfak
Në mal për të mbledhur cfak me Besnikun
Cfak (Salvia triloba)
Cfak (Salvia triloba)

 

Puna me bimët mjekësore kërkon udhëtime të gjata nëpër male, e ndonjëherë lodhje të madhe, por për ta ajo lodhje është pjesë e natyrshme e jetës. Besniku e Roza i njohin vendet ku rriten bimët ma të mira, e çdo shteg u është bërë i njohur. Bimët që ata mbledhin janë të ndryshme: Rigoni (Origanum officinalis), Cfak (Salvia triloba), Lulebasani (Hypericum perforatum), Sherebela (Salvia officinalis), Dafina (Laurus nobilis), Kulpra (Clematis vitalba). Ato kërkojnë përkushtim e vëmendje. Për ata që i mbledhin, ky veprim nuk është vetëm punë; ai është kujdes për shëndetin, dhe pjesë e rregullave të vogla të përditshme që lidhen me përdorimin e bimëve. Çdo hap - ku t’i gjesh, si t’i ruash është njohuri e praktikë e ndërtuar prej përvojës dhe traditës. Për Rozën e Besnikun, njohja e secilës bimë - ku rritet, kur është më e mira për t’u mbledhur dhe si përdoret, gjen vendin e vet në ritmet e përditshme të fshatit. Në mal, dallimet mes bimëve përcaktohen nga përdorshmëria e tyre. Një ndarje që nuk tregon mospërfillje, por një formë praktike njohjeje. Për ta, natyra ndahet në “ato që vlejnë” e “ato që s’vlejnë”. Është një mënyrë jetese që vjen prej nevojës, por që tregon edhe sa e fortë asht lidhja me shfrytëzimin e natyrës. 

Në këtë rrjedhë, Nena Farm funksionon si nji shembull i përpjekjes për t’i lidhë praktikat tradicionale me mundësitë bashkëkohore. Një ndër nismat ma të njohura të fshatit, tregon se si praktikat tradicionale mund të bashkëjetojnë me teknikat bashkëkohore. Në këtë fermë, ullinjtë Kalinjot të Lukovës mbahen me kujdes të madh dhe çdo hap - nga rrahja e pemëve e deri te mbledhja e tyre tregon qartë se tradita dhe përkujdesi i përditshëm lidhen ngushtë me produktin që arrin në tryezën e njerëzve. 

Industria e ullirit, përfshi edhe aktivitetet e Nena Farm, kontribuon në jetën e përditshme të fshatit. Nëse çdo pemë mbahet e menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme, ajo mund të ofrojë një burim të sigurt për fshatin dhe të ndihmojë në ruajtjen e praktikave tradicionale, duke lidhur ekonominë lokale me kujdesin për tokën. Nëpërmjet menaxhimit të kujdesshëm të tokës dhe ruajtjes së burimeve natyrore, Milto, i cili është themeluesi i Nena Farm, kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit dhe forcon lidhjet e komunitetit me natyrën.

Në anën tjetër, familja e Sonilës e Valentinos ka jetën të mbështetun krejt mbi tokën. A është e vetmja që punon në familjen e saj, për një pagesë modeste. Bahçja, lepujt, bimët mjekësore e dekoruese janë mënyra e tyre me mbajt gjallë shtëpinë. Vjehrra e saj, Dhimitrulla, ka punu gjatë gjithë jetës në bujqësi. Burri i Sonilës, që prej moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç është marrë me bagëti, e në moshën tetëmbëdhjetë vjeç ka nisë me rritë lepuj, një zanat që ia ka lanë i ati. Sot, ai ka shtu njëzetë e pesë lepuj të rinj nga viti i kaluar, që i përdorin për ushqim. Kjo trashëgimi e babës që ka qenë roje në koperativë në kohë të komunizmit, aty ku mblidheshin limonat, e deri te djali që sot jeton prej kafshëve e tokës, tregon një vijimësi të varësisë prej natyrës.

Babai i Valentinos gjatë punës si roje në kooperativë


 

Babai dhe nëna e Valentinos gjatë mbledhjes së limonave.
Babai dhe nëna e Valentinos gjatë mbledhjes së limonave.


Për familjen e Sonilës, toka, bahça dhe kafshët janë i vetmi burim i mbijetesës, mënyra për të ushqyer dhe mbajtur familjen. Ata kuptojnë ritmet e bimëve dhe kafshëve, ciklet e prodhimit, dhe mënyrën se si jeta e përditshme lidhet ngusht’ me ritmet e natyrës. Çdo veprim është pjesë e një dialogu me natyrën, ku çdo element ka rolin e vet dhe ndikon në mënyrën se si ata jetojnë dhe kujdesen për familjen.

Sonila me bagëti
Sonila me bagëti.


Në oborrin e Josifit, kjo marrëdhënie merr një formë tjetër, më të qetë e më përsonale. Oborri i tij është i bukur e plot gjelbërim, me limona, portokaj e ullinj. Ai i ka mbjellë jo veç për prodhim, por për “estetikë”, për dëshirë. Për Josifin, toka nuk është barrë, por pjesë e identitetit të vet, diçka që e përfaqëson. Ai ka fillu me punu që në moshën trembëdhjetë vjeçare, në ndërmarrjen “Rruga Ura” në Ndroq, e pasi bëri ushtrinë është kthyer në shtëpinë e babës në Lukovë.

“Kur erdha në Lukovë nga aroma e limonit, portokallit, më kënaqej shpirti.”

Për të, kthimi në fshat nuk ka qenë thjesht një vendim, por një rikthim në kujtesë, në natyrën që e qetëson dhe e njeh.

Njerëzit këtu nuk e shohin natyrën si diçka që qëndron jashtë tyre, ata banojnë me të, janë pjesë e saj përditë. Ajo s’është kategori e ndame prej kulturës, por mënyrë jetese, kujtese e bashkëjetese. Njerëzit këtu nuk e “posedojnë” natyrën ata rrijnë me të, e formojnë, e përjetojnë, e ruajnë sipas mundësisë e nevojës. Çdo formë jetësore është një mënyrë me tregu marrëdhënien e tyre me botën që e rrethon: herë përmes kujdesit, herë përmes varësisë, e herë përmes përfitimit. Por në të gjitha rastet, ajo lidhje mbetet e gjallë, e prekshme, dhe thellësisht njerëzore.

Përmbledhje

Në këtë marrëdhënie, dallohen mënyra të ndryshme të përjetimit, që nuk qëndrojnë të ndara, por kalojnë njëra në tjetrën në varësi të situatës. Natyra shfaqet si ekonomi në njohjen e detajuar të terrenit: rrugët drejt malit, vendet ku rritet rigoni më i mirë, apo dallimi mes asaj që “vlen” dhe asaj që “s’vlen” nuk janë thjesht orientime praktike, por dije të ndërtuara me trup, përmes lëvizjes, punës dhe përsëritjes në kohë. Në momente të tjera, ajo bëhet mbijetesë, një ritëm i domosdoshëm jetese ku puna me tokën dhe ciklet e saj lidhen drejtpërdrejt me vazhdimësinë e familjes; këtu natyra nuk është as simbol e as ide, por kusht i jetës së përditshme që kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe përfshirje trupore. Ndërsa herë të tjera, e njëjta marrëdhënie hap një dimension tjetër, ku toka, aroma e limonit, drita dhe gjelbërimi nuk janë vetëm elemente të mjedisit, por rikthime në kujtesë, ndjesi që regjistrohen në trup si një formë njohjeje dhe qetësimi. Aty natyra është strehë e brendshme, jo detyrim. 

Këto tri forma nuk janë të ndara: janë mënyra të ndryshme që Lukova i jep trup kulturës së vet. Në përfundim, Lukova ofron një shembull të një ekologjie të banimit: njerëzit nuk rrinë para natyrës, por me natyrën. Ata krijojnë botë të përbashkëta, ku jeta zhvillohet në ndërvarësi, në kujdes, në ritme të mishëruara. Natyrshmëria e kësaj marrëdhënieje nuk qëndron në idetë abstrakte, por në praktikat e përditshme që ndërtojnë një “ekologji te përvojës” ku përmes kujdesit dhe vëmendjes së përditshme, njerëzit kultivojnë njohuri, identitet dhe kujtesë kolektive.