Zbatimi në praktikë i komuniteteve të energjisë në Shqipëri: nga ligji në realitet

Artikull

Për t'u bërë operative, komunitetet e energjisë, në Shqipëri hasin disa sfida të rëndësishme. Si mund të zhbllokohet potenciali i tyre për të marrë prej tyre përfitime, për të arritur demokraci energjetike dhe zhvillim lokal?

Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

Pamje nga lart e një qyteti me shumë shtëpi
Teaser Image Caption
Pamje nga lart e një qyteti me shumë shtëpi, Maria Kovalets, Unsplash

Hyrje

Ndonëse Shqipëria i ka njohur zyrtarisht komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) përmes reformave ligjore të kohëve të fundit, rruga nga ligji në zbatim mbetet komplekse. Sfidat kryesore janë pengesat burokratike, kapacitetet e kufizuara institucionale dhe mungesa e mekanizmave të qartë mbështetës. Si sektori publik, ashtu edhe palët private të interesuara luajnë rol në krijimin e kushteve që këto komunitete të marrin jetë, por kuadri aktual dhe modelet e financimit janë ende gjerësisht të pazhvilluara. Ky artikull shqyrton hendekun mes legjislacionit dhe praktikës, duke u përqendruar tek vështirësitë që hasen në zbatim dhe mekanizmat financiarë të nevojshëm për të zhbllokuar potencialin e KER-eve në Shqipëri.

Zbatimi në praktikë i komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri

Pavarësisht se Ligji Nr. 24/2023 ofron një bazë ligjore premtuese, realizimi në praktikë i KER-eve, në Shqipëri, mbetet shumë sfidues. Aktualisht procesi është tepër burokratik, gjë që i pengon qytetarët e zakonshëm të nisin vetë projekte. Në shumicën e rasteve, duhet pajtuar një shoqëri inxhinierie për të përgatitur dokumentacionin teknik dhe për të ndjekur procesin e aplikimit.

Kohëzgjatja mesatare e procesit të miratimit shpesh i tejkalon 30 ditë dhe nuk ka ndarje teknike sipas kapacitetit, gjë që mund të kishte thjeshtuar procesin për instalimet me kapacitet të vogël. Për më tepër, kostoja e përgatitjes së dokumentacionit, tarifat e miratimit dhe blerja e matësve me dy drejtime krijon një barrë financiare që dekurajon së shumti palët e interesuara.

Pas instalimit, lindin komplikime të mëtejshme. Në shumë raste, OSHEE-ja ka dështuar të regjistrojë sasinë e energjisë së emetuar në rrjet për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të matësve manualë. Kjo çon në faturim të pasaktë dhe dekurajon KER-et dhe vetëprodhuesit e mundshëm që të duan të angazhohen plotësisht në këtë sistem.

Kjo është veçanërisht shqetësuese duke marrë parasysh faktin se OSHEE-ja i ka aftësitë teknike për të integruar matës inteligjentë dhe për të lexuar online të dhënat e prodhimit dhe emetimit, si pjesë e infrastrukturës së saj të centralizuar të matjes dixhitale.

Në një rast, OSHEE-ja refuzoi një pikë lidhjeje pavarësisht detyrimit ligjor për të ofruar shërbim cilësor sipas kuadrit në fuqi. Kjo nxjerr në pah nevojën e ngutshme për të pasur qartësi procedurale dhe që institucionet të jenë të përgjegjshme për të ofruar lehtësi për të pasur qasje në rrjetin kombëtar.

Së fundmi, ndonëse skema e matjes neto bazuar në balancimin vjetor është ekonomikisht e favorshme dhe ndihmon bizneset të arrijnë autonominë energjetike, ajo kufizon mundësinë që KER-et të shkojnë përtej vetëkonsumit. Nëse sasia e energjisë e prodhuar me tepricë do të mund të emetohej në rrjet kundrejt një tarife nxitëse të garantuar, kjo gjë do të ofronte stimuj dhe të ardhura shtesë, duke i ndihmuar KER-et të bëhen më aktive, të zgjerohen dhe të jenë financiarisht të qëndrueshëm dhe me leverdi.

Që KER-et të marrin vërtet jetë, është e nevojshme të kryhet një fazë përgatitore, jo vetëm në aspektin rregullator, por edhe në aspektin e ngritjes së kapaciteteve të brendshme të OSHEE-së dhe Autoritetin Rregullator të Energjisë (ERE), si dhe të miratohen procedura transparente që mbështesin pjesëmarrjen kolektive në tranzicionin e energjisë.

Mekanizmat financiarë për vetëprodhuesit dhe komunitetet e energjisë në Shqipëri

Zhvillimi i komuniteteve të vetëprodhimit dhe energjisë në Shqipëri është i lidhur ngushtë me disponueshmërinë e mekanizmave financiarë të arritshëm dhe të qëndrueshëm. Megjithëse kuadri ligjor ka hedhur një themel, mbështetja financiare reale mbetet e kufizuar dhe e fragmentuar.

Aktualisht, Shqipëria nuk ofron një skemë subvencionesh publike të dedikuar për komunitetet e energjisë së rinovueshme. E vetmja nxitje financiare e tërthortë është skema e matjes vjetore neto, e cila lejon zbritjen e energjisë suficit nga konsumi vjetor. Megjithatë, ky mekanizëm nuk ofron rimbursim monetar dhe nuk mbështet investimet kolektive.

Në sektorin bankar, disa institucione financiare kanë nisur të ofrojnë produkte kredie, të cilat përfshijnë deri në 20% mbështetje me grante për individët që instalojnë sisteme fotovoltaike. Megjithatë, këto oferta janë shpesh të kufizuara dhe ofrohen vetë nga ato banka me depërtim të vogël në treg, si dhe janë të arritshme vetëm nga klientët me besueshmëri të lartë. Kjo zvogëlon përhapjen e këtyre skemave dhe kufizon që të përfshihen grupe më të gjera të popullsisë.

Për bizneset që veprojnë si vetëprodhues, situata është më dinamike. Disa banka tregtare në Shqipëri kanë miratuar financimin deri në 100% të vlerës së investimit për instalimet fotovoltaike (PV). Këto kredi shpesh ofrohen kundrejt normave konkurruese të interesit, me kushte elastike dhe periudha maturimi të përshtatura për projektin specifik të energjisë. Në shumicën e rasteve, i vetmi kolateral që kërkohet është vetë sistemi fotovoltaik. Kjo përvojë tregon se sektori bankar është i hapur për projekte të strukturuara mirë në sektorin e energjisë së rinovueshme.

Kjo hap një dritare mundësish për KER-et. Nëse projektet e komuniteteve të energjisë mbështeten nga një kuadër teknik e ligjor, të ngjashme me ato të përdorura për vetëprodhuesit individualë, bankat mund të inkurajohen t'i financojnë ato në kushte të krahasueshme. Bashkëpunimi i strukturuar mes komuniteteve të energjisë dhe bankave mund të hapë rrugën për produkte të dedikuara të kredisë të përshtatura për nevojat e KER-eve.

Një model tjetër që meriton vëmendje është modeli i një "shoqërie për shërbimin e energjisë" (SHSHE). Në këtë model, shoqëria investon në instalimin e sistemit fotovoltaik dhe rikuperon koston përmes një pjese të kursimeve të energjisë së gjeneruar. Pasi të rikuperohet investimi, pronësia e sistemit transferohet në komunitet. Kjo qasje është veçanërisht e dobishme për komunitetet me kapital fillestar të kufizuar dhe mund të përshpejtojë zbatimin pa rrezik financiar për komunitetin.

Modeli SHSHE-ve promovon gjithashtu një kulturë të përgjegjësisë së përbashkët dhe shërbimit të bazuar në performancë. Megjithatë, ai kërkon qartësi kontraktuese dhe mbështetje rregullatore për të siguruar transparencë dhe drejtësi. Në kontekstin shqiptar, ku shumica e qytetarëve kanë ekspozim të kufizuar ndaj mekanizmave të tillë, ndërgjegjësimi dhe orientimi për aspektet ligjore do të jenë thelbësore.

Në fund të fundit, zhbllokimi i potencialit financiar të KER-eve në Shqipëri do të kërkojë një përpjekje të kombinuar: si mbështetje të synuar nga qeveria, bashkëpunim të hapur nga sektori bankar dhe partneritete inovative mes investitorëve privatë dhe komuniteteve lokale. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të integruar, projektet e komuniteteve të energjisë mund të kalojnë nga një vizion në zbatim të qëndrueshëm të praktikë.

Përfundime dhe rekomandime

Zhvillimi i KER-eve paraqet një mundësi reale për të transformuar sektorin e energjisë në Shqipëri drejt një modeli më të drejtë, më demokratik dhe më të decentralizuar. Megjithatë, zbatimi i këtij koncepti në praktikë has pengesa të shumta teknike, burokratike dhe financiare.

Ligji Nr. 24/2023 siguron një bazë ligjore për KER-et, por që ky sistem të bëhet funksional duhet të ndërmerren masa të drejtpërdrejta, të tilla si: thjeshtësimi i procedurave teknike; vendosja në zbatim e akteve nënligjore; krijimi i skemave të dedikuara që ofrojnë mbështetje financiare; ngritja e kapaciteteve institucionale; dhe nxitja e partneriteteve mes sektorëve privatë dhe financiarë.

KER-et nuk janë thjesht një zgjatim i modelit të vetëprodhuesit dhe konsumator individual, por përfaqësojnë një mënyrë të re për të gjeneruar vlerë të përbashkët për komunitetin, nga ulja e kostove të energjisë deri te rritja e angazhimit qytetar. Për ta realizuar këtë, duhet që KER-et të trajtohen dhe mbështeten si subjekte reale, funksionale, jo vetëm si modele teorike.

 

! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.