Furgoni i Kulturës së Gjelbër
Është një qendër kulturore e lëvizshme që synon të sjellë veprimtari artistike, shoqërore dhe edukative te komunitetet jashtë kryeqytetit. I pajisur me kinema të lëvizshme, materiale për ekspozita, pajisje audio dhe video, ai shërben si një infrastrukturë e përbashkët në dispozicion të organizatave, aktivistëve dhe individëve që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitete edukative ose komunitare, por nuk kanë mjetet e nevojshme për t’i realizuar ato.
Kultura e Lëvizshme
Në Shqipëri, sikurse në shumë vende të tjera të botës, kultura, edukimi dhe arti mbeten të përqendruara kryesisht në qendrat urbane, ndërsa komunitetet rurale kanë pak ose aspak mundësi për t'u përfshirë në veprimtari të tilla. Kultura e lëvizshme ofron një alternativë dinamike, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatur sipas nevojave të komunitetit. Duke sjellë artin, dijen dhe dialogun drejt e te njerëzit, nisma si Furgoni i Kulturës së Gjelbër krijojnë hapësira dhe mundësi të reja për shkëmbim, pjesëmarrje dhe edukim, pikërisht aty ku komunitetet jetojnë dhe veprojnë.
Çfarë ofron Furgoni i Kulturës së Gjelbër?
Falë Furgonit të Kulturës së Gjelbër janë realizuar një shumëllojshmëri aktivitetesh, nga shfaqje filmash dhe ekspozita, lexime publike, panaire, punëtori, e deri te aktivitetet komunitare. Gjatë viteve të fundit, Furgoni i Kulturës së Gjelbër ka udhëtuar nëpër Shqipëri, duke sjellë aktivitete kulturore dhe edukative në vende të ndryshme: nga hapësirat studentore në Tiranë, në fshatrat e Tropojës, brigjet e Lukovës dhe peizazhet e mbrojtura të Nartës.
Zërat e komunitetit
Përjetimet e organizatorëve të "N’Fshat", një nismë që promovon turizmin e qëndrueshëm:
Me Furgonin e Kulturës së Gjelbër sollëm një përvojë të veçantë në fshatin e largët të Lekbibajt. Me anë të kinemasë së lëvizshme shfaqëm filmin "Kur hapen dyert e jetës", i cili pasqyron jetën rurale, duke e bërë aktivitetin edhe më domethënës për të gjithë pjesëmarrësit.Gent Fetahaj, GIZ Shqipëri
Përshtypjet e organizatorëve të "Festivalit të Yjeve":
Gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri me Furgonin e Kulturës së Gjelbër, patëm mundësinë jo vetëm të tregojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të biodiversitetit të vendit, por edhe të përfshijmë qytetarët në mbrojtjen e tij.Redon Hasanllari, PPNEA