
Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) janë nisma të lidhura ngushtësisht me territorin dhe zonat lokale ku ato marrin jetë. Roli i aktorëve të qeverisjes vendore, në veçanti i bashkive, është vendimtar për krijimin e një klime favorizuese. Kësisoj, ofrimi i mbështetjes institucionale, financiare dhe teknike nga ana e bashkive, krahas lehtësimit të procedurave burokratike, do të ndihmonte në krijimin dhe jetëgjatësinë e KER-eve.
Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

Energjia e rinovueshme
Prodhimi dhe konsumi i energjisë së rinovueshme është tashmë një objektiv dhe ambicie mbarë botërorë. Për sa i përket kalimit në energji të rinovueshme, burimet e energjisë së rinovueshme janë të disponueshme në të gjitha vendet dhe potenciali i tyre ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA) vlerëson se 90 për qind e energjisë elektrike në botë mund dhe duhet të vijë nga burime të rinovueshme të energjisë deri në vitin 2050. Të gjitha vendet në botë po priren të ulin emetimet e karbonit dhe të bazohen vetëm në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme
Shqipëria është një vend që pothuajse gjithë prodhimin e energjisë e bazon në energji të rinovueshme, duke mbizotëruar ajo hidrike me 95%, panelet diellore me 1%, dhe nafta me rreth 4 %. Për prodhimin e energjisë elektrike, sistemi energjetik në Shqipëri mbështetet kryesisht në burime ujore. Në periudha me reshje të bollshme, vendi arrin të eksportojë energji, ndërsa gjatë stinëve të thata detyrohet të importojë për të përmbushur nevojat e brendshme. Kjo varësi e lartë nga kushtet klimatike e bën prodhimin e energjisë të paqëndrueshëm, pavarësisht se burimet hidrike janë të rinovueshme. Për pasojë, Shqipëria shpesh eksporton energji me çmime të ulëta gjatë periudhave me tepricë dhe importon me kosto të lartë në kohë thatësire.
Vetëqeverisja vendore
Ligji Nr. 139 “Për vetëqeverisjen vendore në Republikën e Shqipërisë” rendit funksionet që bashkitë mbulojnë, përfshirë shërbimet publike si furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e rrugëve, ndriçimi dhe menaxhimi i mbetjeve. Ato ofrojnë mbështetje për shtresat në nevojë, si dhe nxisin zhvillimin kulturor, sportiv dhe argëtues. Po ashtu, kujdesen për mbrojtjen e mjedisit, mbështesin bujqësinë dhe zhvillimin rural, hartojnë plane zhvillimi ekonomik lokal dhe ofrojnë shërbime për sigurinë publike si mbrojtja civile dhe shërbimi zjarrfikës.
Rreth 70% e zbatimit të legjislacionit ndodh në nivel vendor, megjithëse ka debate të vazhdueshme mbi efektivitetin dhe efiçencën e këtij zbatimi. Kjo vjen për shkak të kapaciteteve të kufizuara të bashkive në raport me përgjegjësinë për të menaxhuar një gamë komplekse politikash në nivel lokal, sidomos në sektorë si energjia dhe mjedisi që kanë nevoja specifike për zbatimin e politikave të caktuara. Kjo tregon se roli i njësive të vetëqeverisjes vendore është thelbësor dhe i pashmangshëm në procesin e tranzicionit drejt energjisë së rinovueshme dhe alternativave të saj.
Korniza rregullatore për energjinë e rinovueshme
Varësia nga importet është një nga arsyet kryesore pse sistemi shqiptar i energjisë duhet të zhvillohet për t’u transformuar në një sistem energjie të diversifikuar që përdor burime alternative të energjisë. Sistemi duhet të mbështetet te prodhimi i brendshëm dhe të jetë i përballueshëm për konsumatorët, duke ndihmuar në reduktimin e varfërisë. Viti 2023 pati një eksport prej 34 % e prodhimit total të brendshëm. Për këtë arsye kuvendi miratoi ligjin Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë̈ nga burimet e rinovueshme, më 14 prill 2023.
Ky ligj synon të nxisë përdorimin e energjisë nga burime të rinovueshme për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me direktivat dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai ka për qëllim të reduktojë varësinë nga lëndët djegëse fosile, të ulë ndotjen mjedisore, të promovojë zhvillimin dhe integrimin rajonal të energjisë së rinovueshme, të rrisë sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit me energji, si dhe të përmirësojë furnizimin me energji në zonat rurale dhe të izoluara.
Në nivel BE-je, direktiva 2018/2001 për energjinë e rinovueshme e përkufizon komunitetin e energjisë si një subjekt juridik, me pjesëmarrje vullnetare, i cili kontrollohet nga persona fizikë, autoritete lokale ose ndërmarrje të vogla; ka për qëllim primar të sigurojë përfitime mjedisore, ekonomike dhe përfitime komunitare më shumë sesa përfitime financiare; së treti, nxit prodhimin e energjisë, shpërndarjen, shitjen, konsumin, ruajtjen dhe efiçencën energjitike.
Komunitetet e energjisë së rinovueshme në nivel vendor
Në vitet e fundit, pushteti vendor. po kalon një sërë sfidash financiare dhe demografike. Niveli i vjeljes së taksave vendore nga njësitë e qeverisjes vendore është në nivele tejet shqetësuese sidomos në bashkitë e vogla. Duhet të theksohet fakti se bashkitë tona kanë normën e vjeljes së taksave ndër më të ulëtat në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Thënë kjo, njësitë e vetëqeverisjes vazhdojnë të jenë me nivele të ulëta të realizimit të linjave buxhetore të përcaktuara nga vetë to. Krahas problemeve me borxhin dhe mbledhjen e të ardhurave, Censi 2023 nxori në pah problematikën e tkurrjes së popullsisë, e cila prek ekzistencën e disa bashkive të vogla. Numrin më të ulët të banorëve e ka bashkia Pustec, në Qarkun e Korçës, me 1 843 banorë, e ndjekur nga ajo e Libohovës, në Qarkun Gjirokastër me 2 765 banorë, Këlcyra me 4 400 banorë, Fushe-Arrësi me 4 878 banorë dhe Konispoli me 4 898 banorë. Ky trend është një tregues i rëndësishëm i kontekstit social dhe sfidave në nivel lokal për të implementuar projekte si KER.
Pavarësisht sfidave që po përballet sot pushteti vendor, mund të ndërmarrë politika të përshtatshme nëpërmjet mbështetjes financiare dhe ndërgjegjësimit publik për krijimin e KER-ve. Ato mund të ofrojnë hapësira për vendosjen e infrastrukturës energjetike, të aplikojnë stimuj fiskalë dhe të organizojnë fushata informuese për komunitetin lokal. Po ashtu, bashkitë mund të kenë një rol të rëndësishëm në thjeshtimin e procedurave administrative dhe në ndërtimin e bashkëpunimeve me sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile për të lehtësuar qasjen në financime dhe teknologji të qëndrueshme. Sigurimi i mbështetjes për komunitetet e energjisë duhet të përfshijë qasje të lehtësuar në informacion teknik, udhëzime praktike dhe burime financiare. Qeveria vendore mund të krijojë skema të posaçme financimi për t’i ndihmuar këto komunitete, veçanërisht në fazat fillestare të planifikimit dhe ngritjes së projekteve. Këto skema mund të përfshijnë grante, garanci për kredi apo mundësi për financim me kushte të favorshme. Gjithashtu, mund të vihet në dispozicion përdorimi i pronave publike. Përveç kësaj, është thelbësore që komunitetet të kenë qasje të thjeshtuar në udhëzime teknike dhe materiale informuese për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve të energjisë së përbashkët.
Zhvillimi i një fushe të re biznesi dhe partneriteti publik-privat
Tranzicioni energjetik, përveçse kontribuon në uljen e emetimeve të karbonit përmes përdorimit të burimeve të rinovueshme, përfaqëson gjithashtu një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik. Ai ka hapur fronte të reja për sektorin e energjisë, duke krijuar vende të reja pune, duke kërkuar aftësi të reja të kualifikuara dhe duke nxitur ofrimin e produkteve dhe shërbimeve inovative. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, industria e energjisë së rinovueshme është ende në fazat e para, por potenciali i saj për të ndikuar pozitivisht në ekonomi është i konsiderueshëm.
Zhvillimi i kësaj industrie do të ndihmonte gjithashtu në uljen e varësisë nga hidro-energjia dhe në nxitjen e diversifikimit të burimeve energjetike, si energjia fotovoltaike, ajo e erës apo gjeotermale. Megjithatë, ky tranzicion duhet të zhvillohet në përputhje me realitetin social dhe të shmangë krijimin e pabarazive të reja. Në këtë kuptim, instalimet në shkallë të vogël mund të jenë një zgjidhje e drejtë dhe efektive për të rritur pranimin nga publiku dhe për të mundësuar zbatimin e me sukses të projekteve energjetike në nivel lokal. Në një të ardhme afatmesme, Shqipëria mund të krijojë kapacitete të mjaftueshme për të eksportuar energji jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Roli i bashkive në zhvillimin e KER-eve
Bashkitë, si njësi të vetëqeverisjes vendore, mund të luajnë një rol kyç në krijimin dhe funksionimin e KER-ve duke vepruar si ndërmjetës mes komunitetit lokal dhe aktorëve të tjerë si sektori privat, shoqëria civile dhe qeveria qendrore. Ato mund të ftojnë qytetarë, biznese dhe organizata lokale për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta energjetike.
Në kuadër të funksioneve të tyre për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit, bashkitë mund të hartojnë politika nxitëse për energjinë e rinovueshme dhe të kontribuojnë në arritjen e objektivave kombëtare për tranzicionin energjetik. Përmes planifikimit të territorit dhe ofrimit të asistencës teknike, bashkitë mund të vendosin në dispozicion hapësira publike për instalimin e paneleve diellore, si p.sh. në çatitë e shkollave apo ndërtesave publike.
Për më tepër, duke thjeshtuar procedurat burokratike dhe ofruar mbështetje teknike, bashkitë mund të lehtësojnë krijimin dhe funksionimin e KER-ve. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndërgjegjësimi: përmes fushatave informuese në nivel lokal, bashkitë mund të nxisin pjesëmarrjen e qytetarëve në prodhimin e energjisë së pastër. Së fundi, në fushën e financave, ato mund të ofrojnë stimuj fiskalë, subvencione lokale apo të lehtësojnë qasjen në fondet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e KER-ve.
! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.