Teksa bota po ecën drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme, angazhimi i publikut në nismat e energjisë së rinovueshme është një faktor kyç për arritjen e suksesit afatgjatë. Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) ofrojnë një qasje të decentralizuar dhe demokratike për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, pasi bëjnë të mundur që qytetarët, bizneset dhe autoritetet vendore të punojnë së bashku për menaxhimin e energjisë së rinovueshme. Megjithatë, zbatimi me sukses i KER-ve është në varësi të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së publikut, në veçanti të grave dhe komuniteteve rurale që shpesh hasin pengesa për të pasur qasje në politikat e tranzicionit të energjisë ose për të marrë përfitime prej tyre.
Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

Hyrje
Teksa bota po ecën drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme, angazhimi i publikut në nismat e energjisë së rinovueshme është një faktor kyç për arritjen e suksesit afatgjatë. Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) ofrojnë një qasje të decentralizuar dhe demokratike për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, pasi bëjnë të mundur që qytetarët, bizneset dhe autoritetet vendore të punojnë së bashku për menaxhimin e energjisë së rinovueshme. Në Shqipëri, kuadri ligjor për KER-et është ende në fazat e tij të para dhe Ligji Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” prezanton për herë të parë këtë koncept. Ndonëse përbën një hap pozitiv, zbatimi me sukses i KER-ve është në varësi të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së publikut, në veçanti të grave dhe komuniteteve rurale që shpesh hasin pengesa për të pasur qasje në politikat e tranzicionit të energjisë ose për të marrë përfitime prej tyre.
Ky artikull përpiqet të nxjerrë në pah se edukimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mund të ndihmojnë në përparimin e KER-eve në Shqipëri, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes gjinore dhe pjesëmarrjen e komuniteteve rurale. Ai shqyrton më tej kuadrin ligjor dhe politikat kombëtare e ndërkombëtare që mbështesin krijimin dhe rritjen e KER-eve.
Komunitetet e energjisë së rinovueshme si mjet për demokratizimin e energjisë
KER-et janë nisma lokale, të udhëhequra nga komuniteti, që synojnë fuqizimin e qytetarëve në drejtimin e prodhimit dhe konsumit të energjisë. Duke i ofruar mundësinë komunitetit që të ketë në bashkëpronësi dhe bashkëmenaxhim burimet e energjisë së rinovueshme, KER-et ofrojnë përfitime të shumta, përfshirë këtu edhe rritjen e sigurisë së energjisë duke ulur varësinë nga rrjetet e centralizuara të energjisë, uljen e kostos së energjisë për anëtarët e komunitetit, zvogëlimin e gjurmës së karbonit përmes prodhimit të qëndrueshëm të energjisë, si dhe pjesëmarrje më të madhe të publikut në vendimmarrjet që kanë lidhje me energjinë. Pavarësisht këtyre përparësive, zhvillimi i KER-eve në Shqipëri mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të publikut, pengesave që paraqet kuadri rregullator dhe kufizimeve financiare. Direktiva e BE-së 2018/2001 për energjinë e rinovueshme (DER II), inkurajon shtetet anëtare të krijojnë kushte të favorshme për rritjen e KER-eve, duke njohur rolin e tyre në përparimin drejt demokratizimit të energjisë. Shqipëria, si kandidate për anëtarësim në BE, duhet të përafrojë politikat e saj me këtë direktivë për të lehtësuar zhvillimin e KER-eve dhe të marrë masa për një tranzicion energjetik më gjithëpërfshirës, të decentralizuar dhe të qëndrueshëm.
Edukimi dhe ndërgjegjësimi si nxitësit kryesorë drejt komuniteteve të energjisë së rinovueshme
Një nga pengesat kryesore për zgjerimin e KER-eve është niveli i ulët i ndërgjegjësimit të publikut në lidhje me ekzistencën, përfitimet dhe mekanizmat operative të tyre. Programet e edukimit dhe ndërgjegjësimit janë thelbësore për mobilizimin e angazhimit të qytetarëve në tranzicionin e energjisë.
Për të ecur drejt realizimit të këtij qëllimi, nevojitet një qasje e koordinuar që përfshin si institucionet qeveritare ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Për të informuar qytetarët për përfitimet mjedisore, ekonomike dhe sociale të projekteve të energjisë së rinovueshme të drejtuara nga komuniteti, do të duhet fushata ndërgjegjësimi në nivel kombëtar dhe lokal. Këto fushata duhet të përshtaten sipas kontekstit rajonale të Shqipërisë dhe të trajtojnë nivele të ndryshme ndërgjegjësimi të publikut. Paralelisht me këtë, përfshirja e temave rreth energjisë së rinovueshme në kurrikulat shkollore dhe universitare do të ndihmonte në rritjen e njohurive që brezat e rinj kanë rreth energjisë dhe do të krijonte një bazë për angazhimin afatgjatë të qytetarëve. Për më tepër, do të duhen edhe programe trajnimi për anëtarët e komunitetit lokal, stafin e bashkisë dhe aktorët e shoqërisë civile, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për të nisur dhe menaxhuar KER-et në mënyrë efektive. Prezantimi i modeleve të suksesshme të vendeve të tjera, duke i përshtatur ato me kuadrin ligjor e institucional shqiptar, mund të shërbejë si frymëzim për përshtatjen ose ripërsëritjen e tyre. Këto veprime përputhen me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 7 (OZHQ 7), i cili bën thirrje për qasje universale në energji të përballueshme, të besueshme e të qëndrueshme dhe që janë kritike për nxitjen e një kulture pjesëmarrjeje, pronësie dhe llogaridhënieje në tranzicionin energjetik të Shqipërisë.
Perspektiva gjinore në komunitetet e energjisë së rinovueshme
Gratë luajnë një rol jetik në menaxhimin e konsumit të energjisë në familje dhe në marrjen e vendimeve të përditshme që lidhen me energjinë, megjithatë ato mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në sektorin e gjerë të energjisë në Shqipëri. Ky çekuilibër gjinor jo vetëm që kufizon gjithëpërfshirjen në tranzicionin energjetik të vendit, por gjithashtu cënon efektivitetin e tij. Arritja e një tranzicioni vërtet të drejtë kërkon integrimin e barazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes energjetike, siç theksohet nga Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe Objektivi 5 i Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 5), të cilët bëjnë thirrje për qasje dhe pjesëmarrje të barabartë në proceset e vendimmarrjes. Megjithatë, gratë në Shqipëri përballen me disa pengesa të vazhdueshme që ndalojnë angazhimin e tyre aktiv në komunitetet e energjisë. Një ndër sfidat kryesore është qasja e kufizuar në trajnime dhe informacion teknik në lidhje me sistemet e energjisë së rinovueshme, gjë që kufizon aftësinë e tyre për të kuptuar dhe marrë pjesë në modele të reja të energjisë. Kufizimet financiare rëndojnë më tej përjashtimin, pasi gratë shpesh hasin vështirësi për të pasur qasje në kredimarrje, financim ose kapital investimi të nevojshëm për të nisur ose për t'u bashkuar me projektet e energjisë. Për më tepër, nënpërfaqësimi i tyre në rolet drejtuese dhe të hartuesve të politikave në sektorin e energjisë rezulton në mungesë të perspektivave që marrin parasysh çështjet gjinore në hartimin e politikave dhe nismave të komunitetit të energjisë. Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon miratimin e ndërhyrjeve të posaçme që promovojnë edukimin dhe trajnimin e përgjegjshëm gjinor, zhvillojnë mekanizma financiarë të përshtatur për nevojat e grave dhe krijojnë korniza për qeverisje gjithëpërfshirëse, duke siguruar që zërat e grave të përfaqësohen në mënyrë të barabartë. Promovimi i pjesëmarrjes së grave në KER-e nuk është vetëm çështje barazie, por një domosdoshmëri strategjike për ndërtimin e sistemeve energjetike të forta e të qëndrueshme, të drejtuara nga komuniteti, e që të pasqyrojnë larminë e shoqërisë shqiptare.
Një hap kyç është krijimi i programeve për fonde dhe granteve të dedikuara për mbështetjen e projekteve të energjisë të udhëhequra nga gratë, duke siguruar që ato të kenë burimet financiare të nevojshme për të investuar në nismat e energjisë së rinovueshme. Përveç kësaj, duhet të zhvillohen programe trajnimi dhe drejtimi për të rritur ekspertizën teknike të grave, aftësitë e menaxhimit dhe vetëbesimin për tu angazhuar në sektorin e energjisë. Po aq e rëndësishme është hartimi i politikave gjithëpërfshirëse që garantojnë pjesëmarrje të barabartë në KER-e duke integruar aspektet gjinore në strategjitë kombëtare dhe lokale të energjisë. Miratimi i një politike për KER-et që merr parasysh çështjet gjinore jo vetëm që nxit fuqizimin ekonomik dhe përfshirjen sociale të grave, por gjithashtu kontribuon në një tranzicion më të drejtë dhe të barabartë të energjisë, duke sjellë përfitime për shoqërinë në tërësi.
Komunitetet e energjisë së rinovueshme në zonat rurale
Komunitetet rurale në Shqipëri përballen me sfida të vazhdueshme strukturore, në përgjithësi, dhe me energjinë, në veçanti, duke përfshirë koston e lartë të energjisë elektrike, ndërprerjet e furnizimit të energjisë, si dhe mungesën e investimeve për një infrastrukturë moderne të energjisë. Në të njëjtën kohë, shumë zona rurale kanë potencial të konsiderueshëm për sa i takon burimeve të energjisë së rinovueshme, veçanërisht të energjisë diellore dhe biomasës. Kjo i bën ato të mirë pozicionuara për të përfituar nga KER-et, të cilat ofrojnë një model të decentralizuar dhe gjithëpërfshirës për gjenerimin e energjisë së rinovueshme. Krijimi i KER-ve në zonat rurale të Shqipërisë nuk është vetëm një mundësi për politikën energjetike, por është domosdoshmëri strategjike që mund të nxisë zhvillimin lokal dhe të forcojë qëndrueshmërinë e komunitetit.
Për të realizuar këtë potencial, nevojiten ndërhyrje të përshtatshme për të kapërcyer pengesat praktike dhe institucionale me të cilat përballen aktualisht komunitetet rurale. Procedurat administrative për krijimin e KER-eve duhet të thjeshtohen dhe të përshtaten sipas realiteteve të njësive administrative të vogla e me kapacitete të ulëta. Formatet ligjore të standardizuara, asistenca teknike dhe lehtësimi e harmonizimi i proceseve për marrjen e lejeve do ta bënin më të lehtë që aktorët ruralë të organizohen dhe të marrin pjesë. Njëkohësisht, duhet të hartohen dhe ofrohen stimujt financiarë posaçërisht për zonat rurale, si p.sh., mikro-grantet, kreditë e buta dhe subvencionet, të cilët do të mund të nxisin investimet në projekte lokale të energjisë së rinovueshme. Bashkitë duhet të marrin një rol aktiv. Ato nuk duhet të jenë vetëm zbatuese, por edhe bashkëkrijuese të nismave të energjisë së rinovueshme, duke siguruar që politikat kombëtare t'iu përgjigjen nevojave lokale. Me përmirësimin e qasjes në energji dhe me nxitjen e investimeve në KER-e në zonat rurale, Shqipëria ndërmerr kështu një hap të madh drejt një tranzicioni energjetik më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të balancuar nga këndvështrimi gjeografik.
Megjithatë, zbatimi në praktikë me sukses i KER-eve në Shqipëri varet gjithashtu nga forca dhe qartësia e kuadrit ligjor dhe e politikave kombëtare. Megjithëse vendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor përmes miratimit të Ligjit Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, i cili paraqet zyrtarisht konceptin e KER-eve, aktualisht nuk janë nxjerrë ende aktet nënligjore të hollësishme dhe mekanizmat zbatues që do të bënin të mundur zbatimin praktik të tyre. Po ashtu, ndonëse Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Energjinë 2030 thekson rolin e energjisë së rinovueshme në arritjen e qëllimeve klimatike, Shqipëria nuk ofron ende masa apo stimuj konkretë të përshtatur posaçërisht për projektet e energjisë që udhëhiqen nga vetë komuniteti. Ky boshllëk politikash saboton mjedisin praktik të nevojshëm ku KER-et mund të marrin jetë.
Në nivel evropian dhe ndërkombëtar, Shqipëria pritet të bëjë përafrimin me disa korniza kryesore. Direktiva e BE-së për energjinë e rinovueshme 2018/2001 (RED II) kërkon që shtetet anëtare dhe kandidate të promovojnë dhe të heqin në mënyrë aktive pengesat për zhvillimin e KER-eve. Paralelisht, Marrëveshja e Parisit kërkon zgjidhje të lokalizuara, të drejtuara nga qytetarët për energjinë e rinovueshme, për të ndihmuar në përmbushjen e qëllimeve globale të klimës. Shqipëria është angazhuar gjithashtu në Axhendën për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030 të OKB-së, duke përfshirë OZHQ 7, i cili synon të sigurojë qasje në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë, dhe OZHQ 5, i cili thekson barazinë gjinore - një konsideratë thelbësore në qeverisjen e energjisë. Që Shqipëria të kalojë nga njohja ligjore në zbatim efektiv, legjislacioni dhe strategjitë e saj kombëtare duhet të harmonizohen me këto detyrime ndërkombëtare, duke përfshirë një kuadër rregullator të qartë që ofron mbështetje institucionale dhe krijon mundësi që qytetarët të marrin pjesë në ndërtimin e një të ardhmeje me energji të rinovueshme për vendin. Përmes këtij përafrimi, KER-et mund të bëhen një mjet i fuqishëm jo vetëm për qëndrueshmërinë mjedisore, por edhe për përfshirjen ekonomike dhe qeverisjen demokratike të energjisë.
Përfundime dhe rekomandime
Zhvillimi i KER-eve paraqet një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më demokratik dhe më të qëndrueshëm të energjisë. Megjithatë, që këto komunitete të lulëzojnë, duhet të jenë më intensive përpjekjet për edukimin dhe ndërgjegjësimin, veçanërisht të grave dhe popullsive rurale.
Rekomandime kryesore:
- Legjislacioni kombëtar të përafrohet plotësisht me direktivat e BE-së dhe politikat ndërkombëtare të energjisë.
- Të zhvillohen fushata ndërgjegjësimi dhe programe edukimi të posaçme për KER-et.
- Të ofrohet mbështetje financiare dhe stimuj për gratë dhe komunitetet rurale.
- Organet e qeverisjes vendore të jenë më aktivë në promovimin e KER-eve.
Me zbatimin e këtyre masave, Shqipëria mund të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve në tranzicionin e energjisë së rinovueshme, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe të drejtë nga pikëpamja sociale.
! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.