Rregullimi ligjor i komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe Evropë

Artikull

Komunitetet e energjisë së rinovueshme janë nisma të përbashkëta të anëtarëve të një komuniteti, të cilat i japin anëtarëve dhe komunitetit lokal mundësinë të prodhojnë energji, ta menaxhojnë dhe ta konsumojnë atë në mënyrë të qëndrueshme. Ato ulin varësinë nga burimet fosile dhe nxisin një tranzicion energjetik gjithëpërfshirës. Por a është Shqipëria gati të ndjekë shembujt më të suksesshëm dhe të zhbllokojë potencialin e saj?

Ky artikull është pjesë e projektit “Identifikimi i faktorëve socio-ekonomikë për nxitjen e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, të zbatuar në bashkëpunim me Deutsche Bundesstiftung Umwelt (DBU). Përmes shkrimeve nga studentë dhe ekspertë të rinj, kjo seri artikujsh trajton dinamikat dhe sfidat kryesore që lidhen me zhvillimin e këtyre komuniteteve në vend.

A group of houses, by itaypeer, on Unsplash
Teaser Image Caption
Një grup shtëpish me panele diellore, Itay Peer, Unsplash

Hyrje

Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) janë nisma të përbashkëta që u japin qytetarëve dhe komuniteteve lokale mundësinë të prodhojnë dhe menaxhojnë energjinë në mënyrë të qëndrueshme. Ato ulin varësinë nga burimet fosile dhe nxisin një tranzicion energjetik gjithëpërfshirës. KER-et janë zhvilluar si një përgjigje ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike dhe varfërisë energjetike, duke u bërë pjesë kyçe e politikave energjetike të Bashkimit Evropian (BE). Ndërkohë që vendet e BE-së po përparojnë, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten në hapat e parë të zhvillimit të KER-eve.

Ky artikull synon të bëjë një analizë krahasuese të kuadrit ligjor të KER-eve në BE, në përgjithësi, dhe të disa shteteve anëtare, si Gjermania, Spanja dhe Çekia, në veçanti, krahasuar me kuadrin ligjor të disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.

Analiza bazohet në krahasimin e kuadrit ligjor dhe vlerësimin cilësor të kuadrit rregullator, duke përdorur indikatorë si: përkufizimi ligjor i KER-eve, qasja në rrjet, ndarja e energjisë, mbështetja financiare, përfshirja e grupeve të cenueshme dhe roli i autoriteteve vendore. Për më tepër, artikulli synon të vlerësojë përputhshmërinë me standardet e BE-së, të identifikojë boshllëqet ligjore dhe të evidentojë praktika të përshtatshme për Shqipërinë, në funksion të tranzicionit të qëndrueshëm energjetik dhe integrimit Evropian. Artikulli është organizuar në tre pjesë: (1) kuadri ligjor i BE-së dhe vendeve të përzgjedhura; (2) analiza krahasuese e vendeve të përzgjedhura; dhe (3) përfundime dhe rekomandime.

Kuadri ligjor i BE-së dhe vendeve të përzgjedhura

Zhvillimi i komuniteteve të energjisë në BE u përshpejtua nga Direktiva për energjinë e rinovueshme (2018), si dhe “Paketa për energjinë e pastër për të gjithë evropianët” (2019). Në vitin 2023, BE-ja ndryshoi Direktivën për energjinë e rinovueshme duke rritur objektivin për energjinë e rinovueshme në 42.5% deri në vitin 2030 dhe duke forcuar kuadrin ligjor për KER-et. Kriza e fundit energjetike e ka shtuar më tej nevojën për siguri dhe qëndrueshmëri.

Sipas Direktivës për energjinë e rinovueshme (DER II), KER-et janë persona juridikë me pjesëmarrje të hapur, vullnetare dhe me qeverisje demokratike, që synojnë përfitime mjedisore, sociale dhe ekonomike për anëtarët apo zonën përreth. Ato mund të përfshijnë individë, NVM dhe autoritete lokale, me të drejtë të prodhojnë, konsumojnë, ruajnë dhe shesin energji të rinovueshme. Ndërkohë, Direktiva DER III forcon të drejtat e KER-eve duke kërkuar transparencë, përfshirje sociale, ndarje të energjisë dhe mbështetje për grupet cenueshme. Në aspektin financiar, DER II kërkon përfshirjen e tyre në skemat mbështetëse dhe lehtësim procedurash, ndërsa DER III shton kërkesa për instrumente të dedikuara si p.sh., grante dhe mekanizma monitorimi për to.

Përveç kuadrit ligjor për energjinë e rinovueshme, legjislacioni i BE-së forcon rolin e komuniteteve në prodhimin, furnizimin dhe ndarjen e energjisë, si dhe në planifikimin lokal për efikasitet energjetik dhe ndërtesa me emetime zero (shih përkatësish Direktivën 2019/944, Direktivën 2023/1791, dhe Direktivën 2024/1275).

Gjermani, KER-et mbështeten përmes një kuadri të gjerë ligjor, duke përfshirë ligjin për burimet e rinovueshme, ligjin për energjinë dhe atë për kooperativat. Megjithëse nuk përdor terminologjinë e BE-së, koncepti Bürgerenergiegesellschaft  thekson pronësinë e komunitetit dhe kërkon që 75% e të paktën 50 anëtarëve të jenë nga zona brenda 50 km nga projekti (Deißler & Weinke, 2023). Projektet, kryesisht për energjinë e diellit, erës dhe biomasës, përfitojnë nga grante dhe përjashtime nga ankandet për kapacitete të vogla (ankandet janë proceset konkurruese për përzgjedhjen e projekteve që do të mbështeten financiarisht nga shteti). Megjithatë në Gjermani, mbetet sfidë zbatimi i plotë i DER II, veçanërisht për ndarjen e energjisë dhe përfshirjen e grupeve të cenueshme (Rescoop.eu, 2025).

Spanjë, dekret-ligji 23/2020 rregullon KER-et dhe, ndonëse pjesërisht i përafruar me DER II, tejkalon kërkesat e BE-së. Ai eliminon tarifat për ndarjen e energjisë, siguron përparësi në rrjet (5% e rezervuar për komunitetet) dhe ofron kuota ankandi, mbështetje financiare dhe përjashtime nga taksat (López et al., 2024; Līviņa et al., 2022). Bashkitë janë të përfshira në mënyrë aktive, ndërsa komunitetet përdoren në mënyrë efektive për të trajtuar varfërinë energjetike (Bolle & Giovannini, 2020).

Republikën Çeke, ndryshimet në Ligjin nr. 165/2012 në vitin 2024 përfshijnë parimet e KER si pjesëmarrja vullnetare, kontrolli i anëtarëve dhe afërsia gjeografike. KER mund të jenë shoqata, kooperativa apo entitete të ngjashme dhe anëtarësimi u lejohet vetëm individëve, NVM-ve dhe bashkive (REScoop.eu, 2025). Çdo anëtarë nuk mund të ketë më shumë se 10% të votës dhe duhet të jenë nga zona e afërt (deri në tre bashki ose kryeqyteti). Mbështetja financiare bëhet kryesisht nëpërmjet tarifave nxitëse  dhe Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, megjithëse pa instrumente të dedikuara për komunitetet, ndërsa integrimi në treg mbetet sfidues (Rescoop.eu, 2025). Bashkitë marrin pjesë përmes pronësisë ose partneriteteve me kooperativat, por shpesh në mënyrë joformale dhe përballen me kufizime ligjore, sidomos për përdorimin e tokës bujqësore (Kupiec et al., 2024).

Ballkanin Perëndimor, kuadri ligjor për KER-et është në zhvillim. Mali i Zi dhe Serbia kanë njohur zyrtarisht KER-et përmes ligjit për energjinë e rinovueshme, duke iu dhënë atyre të drejtën për prodhim dhe tregtim të energjisë, por në të dyja këto vende mungesa e akteve ligjore dytësore ka penguar zbatimin e plotë. Maqedonia e Veriut është ende në fazën e hartimit të ligjit. Ndërkohë, Kosova nuk e ka përfshirë ende konceptin e komuniteteve në ligjin ekzistues.

Shqipëri, KER-et rregullohen nga ligji Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, i cili i përkufizon ato si njësi të pavarura juridike me pjesëmarrje vullnetare nga individë, NVM dhe autoritete lokale, që synojnë të ofrojnë përfitime mjedisore, sociale dhe ekonomike për komunitetin. Komunitetet kanë të drejtë të prodhojnë, konsumojnë, ruajnë, ndajnë dhe shesin energji të rinovueshme, si dhe të marrin pjesë në treg pa diskriminim, përfshirë përmes agregimit (d.m.th., mbledhjen e energjisë së prodhuar nga anëtarët për ta shitur si njësi të vetme). Ligji lejon ndarjen e energjisë brenda komunitetit dhe përfshirjen e grupeve të cenueshme, por nuk parashikon përjashtime nga tarifat e rrjetit (pagesat për përdorimin e rrjetit elektrik kombëtar) apo detyrimet tatimore. Ligji është pjesërisht i përafruar me direktivën DER II, ndërsa zbatimi mbetet i varur nga miratimi i akteve nënligjore (rregulloreve) që do të përcaktojnë formën ligjore, organizimin dhe masat mbështetëse për KER-et. Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020-2030 përfshin skemën e faturimit neto për vetëkonsumatorët, duke mundësuar pjesëmarrjen e tyre në komunitete pa humbur statusin si konsumatorë fundorë.

Analiza krahasuese e vendeve të përzgjedhura

Në këtë analizë krahasuese, vendet e përzgjedhura janë vlerësuar me një sistem pikësh nga 0-5, ku 0 tregon nivelin më të ulët të zhvillimit të kuadrit ligjor, ndërsa 5 nivelin më të lartë. Bazuar në rezultatet e analizës krahasuese, Spanja vlerësohet me 5 pikë, sepse legjislacioni i saj tejkalon kërkesat e BE-së, ofron mbështetje financiare, sociale dhe përfshirje të bashkive. Gjermania dhe Çekia marrin nga 4,5 pikë për kuadrin e zhvilluar, megjithëse përballen me sfida në zbatimin e plotë të direktivave të BE-së. Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi vlerësohen me 3 pikë, sepse megjithëse ligji është miratuar, zbatimi në praktikë varet nga rregulloret që duhet të hartohen nga ministritë përkatëse të secilit vend. Maqedonia e Veriut merr 1 pikë, ndërsa Kosova 0.5, pasi nuk kanë ende dispozita të qarta për KER-et.

Figura 1: Vlerësimi i kuadrit ligjor bazë për KER-et në vendet e analizuara, ku 0 pikë - “pa kuadër ligjor”, 5 pikë -“kuadër ligjor i zhvilluar”.

Figura 1: Vlerësimi i kuadrit ligjor bazë për KER-et në vendet e analizuara

Këto rezultate reflektojnë dallime të mëdha në përgatitjen ligjore dhe kapacitetet e zbatimit mes vendeve. Diferenca buron kryesisht nga mungesa e detyrimeve të njëjta ligjore, kapaciteteve të kufizuara institucionale dhe administrative, si dhe nga prioritetet e ndryshme të politikave energjetike.

Vendet e BE-së janë të detyruara të transpozojnë dhe zbatojnë direktivat përkatëse, ndërsa vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor shpesh miratojnë kuadrin ligjor vetëm në formë simbolike, pa masat zbatuese përkatëse. Gjithashtu, mungesa e decentralizimit dhe përfshirjes së aktorëve lokalë në rajon kufizon funksionimin praktik. Modelet e vendeve të BE-së ofrojnë praktika të mira për Shqipërinë, si për shembull bashkëpunimet dhe përjashtimet nga ankandet në Gjermani, heqja e tarifave të rrjetit dhe përfshirja sociale në Spanjë, apo kontrolli demokratik dhe kufizimi i ndikimit të kompanive të mëdha në Çeki.

Përfundime dhe rekomandime

Gjetjet e këtij artikulli ofrojnë një vlerësim orientues të kuadrit ligjor për KER në Shqipëri, duke evidentuar boshllëqet ekzistuese dhe nevojën për analiza të mëtejshme praktike dhe kontekstuale.

Komunitetet e energjisë përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për një tranzicion energjetik të drejtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri. Megjithëse ligji aktual përbën një hap pozitiv drejt përafrimit me standardet e BE-së, mungesa e rregulloreve zbatuese pengon zbatimin e tij efektiv. Kështu, për të nxitur zhvillimin e KER-eve, nevojitet miratimi i akteve nënligjore të posaçme që zbatojnë ligjin në praktikë, krijimi i skemave financiare stimuluese për qytetarët dhe bashkitë, si dhe thjeshtimi i procedurave të licencimit për të shmangur burokracitë. Po ashtu, kërkohet një qeverisje demokratike që ndalon dominimin e aktorëve privatë dhe që angazhon aktivisht grupet e cenueshme dhe zonat rurale për një tranzicion energjetik të drejtë e gjithëpërfshirës.

Nëse qytetarët shqiptarë do të përfshihen realisht në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së pastër, ata mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e faturave dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet e tyre. Për të shfrytëzuar plotësisht këtë potencial, është e domosdoshme që politikat dhe zbatimi të garantojnë qasje të barabartë, pjesëmarrje qytetare dhe mbrojtje sociale, në përputhje me praktikat më të mira Evropiane.

! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.