
Trendet e energjisë së rinovueshme po përhapen me ritme të shpejta, për shkak të rolit kyç në tranzicionin e gjelbër dhe mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe social që vijnë me to. Ky proces po shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në qeverisjen e energjisë, duke nxitur vendimmarrësit të demokratizojnë sektorin energjetik dhe të krijojnë hapësira për përfshirjen e qytetarëve dhe komuniteteve.
Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme (KER) janë një instrument që synon demokratizimin e sektorit energjetik dhe fuqizimin e qytetarëve si prodhues dhe konsumatorë të energjisë. Në legjislacionin shqiptar, Ligji nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” përfshin për herë të parë konceptin e KER-ve, siç përcaktohet në Nenin 21. Duke pasur parasysh potencialin e madh të Shqipërisë për energjinë diellore dhe nevojën për të reduktuar varësinë nga hidrocentralet dhe importet e energjisë, KER-të mund të ndihmojnë në krijimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të përballueshëm. Megjithatë, zbatimi i tyre përballet me sfida të rëndësishme si barrierat rregullatore, mungesa e mekanizmave financiare dhe nevoja për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e qytetarëve në këto nisma. Këto aspekte duhet të adresohen për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të KER-ve në Shqipëri.
Në këtë kontekst, kemi kënaqësinë të hapim thirrjen për artikuj me temën “Perspektiva e Komuniteteve të Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri”. Përmes kësaj thirrjeje, synojmë të inkurajojmë profesionistët e rinj dhe studentët të kontribuojnë me punime që analizojnë dinamikat dhe sfidat kryesore të KER-ve.
Kush mund të aplikojë?
Kjo thirrje është e hapur për studentë të nivelit Master, profesionistë të rinj nga institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile që janë të interesuar në qeverisjen e energjisë.
Tematika kryesore (por jo përjashtuese)
• "Përfitimet mjedisore, sociale dhe ekonomike të komuniteteve të energjisë së rinovueshme"
• "Roli i komuniteteve të energjisë në demokratizimin e qeverisjes energjetike dhe forcimin e pjesëmarrjes qytetare"
• "Komunitetet e energjisë së rinovueshme në raport me trendet globale të energjisë së pastër"
• “Aspektet ligjore dhe politikat e Shqipërisë në raport me BE mbi komunitetet energjetike – Si ndikon legjislacioni në zhvillimin e komuniteteve energjetike në Shqipëri?”
• “Politikat e financimit për Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme: Mundësitë dhe sfidat”
• “Qeverisja lokale dhe Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme: Roli i bashkive dhe autoriteteve vendore”
• “Edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme: Rëndësia e angazhimit të publikut”
• “Përvoja dhe mësime nga komunitetet energjetike në Ballkan dhe/ose Evropë – Studime krahasuese me vende të tjera për të parë çfarë mund të adaptohet në Shqipëri.”
Propozime nga perspektiva të tjera janë të mirëpritura, për aq kohë sa kontribuojnë në eksplorimin e komuniteteve të energjisë së rinovueshme.
Dërgimi i artikujve dhe afatet kohore
• Artikujt duhet të jenë midis 1,000 – 1,500 fjalë, të shkruar në gjuhën shqipe ose anglisht.
• Ju ftojmë të dërgoni një abstrakt (200 - 300 fjalë). Gjithashtu, vendosi emrin tuaj të plotë, email, numër telefoni, si dhe një jetëshkrim të shkurtër, brenda datës 30 Mars 2025.
• Artikujt e përzgjedhur do të njoftohen brenda datës 2 Prill 2025.
• Afati përfundimtar për dorëzimin e artikullit të plotë është data 22 Prill 2025.
Shpërblim financiar
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të shpërblehen me një kompensim financiar prej 150 EUR për artikujt e tyre të pranuar. Artikujt e përzgjedhur do të publikohen në faqen tonë të internetit al.boell.org, duke ofruar mundësinë për të ndarë punimin me një audiencë të gjerë dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.
Për më shumë informacion, ju lutemi na kontaktoni në: info@al.boell.org.