Konferenca e 15-të e palëve (KOP15) të Konventës së OKB-së për Biodiversitetin u zhvillua në Montreal nga data 7 deri më 19 dhjetor 2022. Rezultatet ishin të përziera. Ky artikull analizon të mirën, të keqen, të shëmtuarën dhe rrugën e drejtë pas konferencës së 15-të të palëve të Konventës për Biodiversitetin.
Në momentin që ministri kinez i mjedisit, që njëherazi luante edhe rolin e kryetarit të konferencës së 15-të të palëve të Konventës së OKB-së për Biodiversitetin (“Konventa”), do të miratonte atë që ishte shpallur si “Marrëveshja e Parisit për Biodiversitetin”, ndodhi një incident i papritur. Përfaqësuesi i Republikës Demokratike të Kongos (RDK) kërkoi të merrte fjalën dhe deklaroi se marrëveshja ishte e papranueshme, sepse nuk përfshinte një fond botëror të ri e të pavarur për biodiversitetin. Mesa duket fjalët e tij, të thëna në frëngjisht, humbën në përkthim për ministrin kinez të mjedisit, Huang Runqiu. Ai u hutua. U konsultuar aty për aty me Sekretariatin e Konventës për Biodiversitetin dhe, më pas, uli çekiçin duke thënë se marrëveshja quhej e miratuar pasi askush nuk kishte “kundërshtuar”.
Për presidencën kineze të KOP15-ës, kjo ishte një njollë e shëmtuar e diplomacisë ndërkombëtare që ndodhi në Montreal nga data 7 deri më 19 dhjetor 2022. Pas një Kalvari të gjatë katërvjeçar negociatash të vështira e konsultimeve intensive me pothuajse çdo shtet pjesëmarrës në konferencë, u arrit të hartohej një paketë mbresëlënëse me gjashtë marrëveshje kompromisi. Paketa përmbante një kuadër botëror për biodiversitetin (KuBBD), një sistem monitorimi dhe një strategji për mobilizimin e përkohshëm të burimeve për KuBBD-në, si dhe një marrëveshje për ndarjen e përfitimeve të marra nga sistemet digjitale që përpunojnë sekuencat e burimeve gjenetike të dematerializuara.
Më pas, në seancën plenare, kjo paketë u paraqit si një ujdi “merre ose lëre”, një strategji kjo që na rikujton një pjesë të Samitit të Klimës të vitit 2019 në Kopenhagën, ku Barak Obama u përpoq të arrinte një kompromis të ngjashëm të minutave të fundit, i cili u negociua pas dyerve të mbyllura. Ujdia e Obamës u refuzua në seancën e fundit plenare, ndërsa ujdia kineze për paketën e paraqitur në konferencën e 15-të të palëve të Konventës për Biodiversitetin, paçka se vetëm dy ditë më parë kishte hasur në dhjetëra kundërshtime të thella, çuditërisht u pranua nga secili vend, me përjashtim të RDK-së. Megjithatë, edhe kjo njollë e fundit u shpërfill shumë shpejt. Të nesërmen, në seancën e mbylljes, RDK-ja hapi takimin duke ndryshuar publikisht kundërshtimin e saj ndaj paketës duke thënë se kishte thjesht një “rezervë” në lidhje me të, në shënimin në fund të faqes.
Sigurisht, dikush mund të dyshojë se ky ndryshim kaq i papritur kishte të bënte me faktin se RDK-ja është një nga vendet afrikane që merr më shumë investime kineze. Por ndodh shpesh që kompromiset tejet të zgjuara të shfaqin në paketën përfundimtare fuqinë e diplomacisë kineze, e cila përgjatë gjithë procesit ishte përqendruar dhe përpjekur më shumë të kapërcente divergjencat mes shteteve se sa të impononte pikëpamjet e veta mbi to. Ndërkohë, vendi pritës, Kanadaja, kishte qenë shumë e qartë në lidhje me axhendën e vet. Përveç paketës, konferenca ra dakord për jo pak por 56 vendime (përfshirë 37 që lidhen me vetë Konventën), megjithëse nuk u arrit të bihej dakord për një byro të re, për shkak të një lufte të shëmtuar të minutës së fundit mes Federatës Ruse dhe BE-së e aleatëve të saj. Kjo bëri që KOP15-ta të mos mbyllej formalisht, por të pezullohej.
E keqja
Nuk u miratua asnjë teknologji gjithëpërfshirëse për “skanimin e horizontit”
Fakti se ishin kompromise të zgjuara, fatkeqësisht nuk do të thotë se ishin edhe të forta. Shumë nga propozimet më progresive që preknin drejtpërdrejt ose tërthorazi interesat e korporatave u fshinë pa mëshirë nga teksti përfundimtar i paketës së kompromisit. Paketa përfundimtare e vendimeve ishte zhgënjyese për aktivistët. Ata shpresonin të kishin tekste të cilat e “ngrinin zërin” për çështje të tilla si mekanizmi për “skanimin e horizontit” për teknologjitë e reja, ose për marrjen e masave për të ulur rreziqet e biologjisë sintetike, për organizmat gjenetikisht të modifikuar, për pseudo-zgjidhjet për klimën si bioenergjia dhe kapja e sekuestrimi i karbonit, ose për privatizimin dhe tregtimin e informacionit gjenetik përmes sistemeve digjitale që bëjnë ndarjen e informacionit në sekuenca. Në një vendim të veçantë, u hodhën disa hapa fillestarë për të nisur skanimin e horizontit në lidhje me biologjinë sintetike , por ky propozim mungon në vetë tekstin e KuBBD-së. Aspekti pozitiv është se u ndaluan edhe përpjekjet për të përfshirë në tekstin e KuBBD-së gjeo-inxhinierinë (teknologjitë që manipulojnë klimën në një shkallë të gjerë).
Asnjë përgjegjësi ligjore dhe shtrënguese për korporatat
Po ashtu, nga teksti përfundimtar i KuBBD-së, u hoqën pa hezitim propozimet e rëndësishme që do t'i bënin korporatat ligjërisht përgjegjëse për dëmet që i shkaktojnë biodiversitetit. Objektivat që lidhen me rolin dhe përgjegjshmërinë e sektorit privat dhe konsumatorëve u zbutën duke u shndërruar në fraza të cekëta e të dobëta rreth nevojës për të “inkurajuar” dhe “aftësuar” bizneset që të monitorojnë rreziqet, varësitë dhe ndikimet e tyre në biodiversitet dhe “të informojnë” konsumatorët rreth tyre, në mënyrë që konsumatorët të mund të bëjnë zgjedhje të qëndrueshme. Ky lloj vetëraportimi kishte dalë në pah në skemat e certifikimit dhe skemat e tjera të marketingut të gjelbër, të cilat konsiderohen gjerësisht si një dështim, pasi institucionet që supozohej se duhet të ushtronin kontroll ishin shpesh të varura financiarisht nga vetë ato korporatat që duhej të kontrollonin, gjithmonë nëse, tek e fundit, u ushtrua ndonjë kontroll. Këto propozime supozojnë gjithashtu se konsumatorët do të jenë të aftë të zgjedhin, ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve, në këtë planet, janë thjesht shumë të varfër për të zgjedhur.
Nuk u njoh roli i dietave dhe sistemeve ushqimore të paqëndrueshme
Nga teksti u fshinë, ndër të tjera, edhe fjalitë që theksonin nevojën për të ndryshuar dietat dhe/ose sistemet ushqimore, në përgjithësi, dhe për të ulur ndikimin e blegtorisë së paqëndrueshme, në veçanti, e cila është një nga shkaqet kryesore për humbjen e biodiversitetit dhe ndryshimin e klimës. Ato u zëvendësuan me një prej objektivave ekzistues për të përgjysmuar mbetjet ushqimore globale, duke e ripërsëritur atë. E teksa festohej se objektivi që lidhet me bujqësinë, pylltarinë dhe peshkimin e qëndrueshëm përmend në mënyrë të posaçme nevojën për një rritje domethënëse të praktikave agro-ekologjike, kjo fjali u shoqërua me togfjalëshin “intensifikim i qëndrueshëm”, një term ky që përdoret shpesh nga industria për të promovuar forma akoma më intensive të blegtorisë ose të përdorimit të organizmave gjenetikisht të modifikuara për të “intensifikuar” prodhimin bujqësor.
Mekanizma zbatuese të dobëta
Mbi të gjitha, kuadri monitorues dhe mekanizmat zbatuese që u miratuan nuk garantojnë nëse rekomandimet pompoze të KuBBD-së do të çojnë realisht në veprime konkrete në praktikë. Ashtu sikurse në regjimin e klimës, u caktuan objektiva botërore, por është në dorën e shteteve sa do të marrin përsipër të realizojnë prej tyre. Treguesit që u zhvilluan për të ndihmuar vendet me procesin e tyre të raportimit, janë dukshëm të pamjaftueshëm dhe, në disa raste, habitshëm të papërshtatshëm (siç është përdorimi i skemave kontradiktore të certifikimit të pyjeve, si tregues për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve) dhe që shpërfillin pothuajse të gjitha dimensionet gjinore, sociale dhe ekonomike të politikës së biodiversitetit. Nuk u miratua asnjë mekanizëm për raportimin e detyrueshëm apo mekanizma të tjerë të garantojnë pajtueshmërinë, kështu që nëse KuBBD-ja dhe vendimet e lidhura me të do të zbatohen në të vërtetë, mbetet në dorë të vullnetit politik të palëve të Konventës.
E mira
Njohja e të drejtave të indigjenëve dhe të grave
Teksa shumë OJQ vajtonin për tekstin përfundimtar të KuBBD-së, ndër komitetet drejtuese të mbajtësve të të drejtave, siç është Komiteti i grave të Konventës për Biodiversitetin dhe Forumi ndërkombëtar indigjen për biodiversitetin (FNIB), po ndodhte krejt e kundërta. Në veçanti, FNIB-ja ishte e ngazëllyer për tekstin përfundimtar të KuBBD-së. Dhe kjo ishte më se e justifikuar, sepse KuBBD-ja pasqyron një ndryshim të paradigmës së arritur me mund në fushën e ruajtjes së biodiversitetit. Në vend të modelit të vjetër të “kështjellës”, ku ruajtja e biodiversitetit shihej kryesisht si çështje e krijimit të parqeve kombëtare për mbrojtjen e biodiversitetin nga dora e njeriut, KuBBD-ja e miratuar në Montreal i mëshon fort nevojës për të respektuar jo vetëm të drejtat, por edhe rolin, njohuritë, veprimin kolektiv dhe kontributet e tjera të popujve indigjenë, komuniteteve lokale dhe grave në fushën e ruajtjes së biodiversitetit. Kjo përbën një njohje të rëndësishme të “territoreve indigjene” në objektivin më të dukshëm të KuBBD-së, d.m.th., objektivin që synon të sigurojë që, deri në vitin 2030, të paktën 30% e planetit të jetë e mbuluar me zona të mbrojtura me ligj ose me masa të tjera të efektshme që sigurojnë ruajtjen e biodiversitetit (MTER) që bazohen në zonë. Ky objektiv njihet shpesh me shkurtesën objektivi “30x30”.
Njohja e territoreve indigjene
E teksa një pjesë e komunitetit për ruajtjen e biodiversitetit festonte objektivin me 30%, fitorja kryesore ishte në fakt se territoret indigjene NUK u përfshinë në këtë objektiv, por ato njihen si një rrugë e tretë e mëvetësishme. Kjo konfirmon edhe njëherë qartazi të drejtat e popujve indigjenë për të vendosur në mënyrë autonome, në përputhje me deklaratën e OKB-së për të drejtat e popujve indigjenë dhe një numër të madh ligjesh e kushtetutash kombëtare, nëse dhe si këto territore do të kontribuojnë në ruajtjen e biodiversitetit. Prandaj, këto zona nuk do të jenë nën autoritetin e agjencive kombëtare të parqeve, gjë që shumë popuj indigjenë e kishin frikë. Por nëse duan, popujt indigjenë janë të lirë të klasifikojnë territoret e tyre si zona të mbrojtura indigjene, siç janë zonat e mbrojtura të territoreve dhe komunitetit indigjen (ZMTKI) ose si MTER. Dhe për të theksuar këtë autonomi, në fund të objektivit ritheksohet se të gjitha veprimet duhet të jenë në përputhje me “njohjen dhe respektimin e të drejtave të popujve indigjenë dhe komuniteteve lokale, duke përfshirë edhe mbi territoret e tyre të zakonshme”.
Qeverisje e drejtë dhe garantimi i një ruajtje të efektshme
Gjatë një diskutimi komik të ditëve të fundit të KOP15-ës, u duk qartë se objektivi me 30 % është në të vërtetë një farsë, pasi disa palë, përfshirë BE-në, kuptuan papritmas se nëse përfshijnë vërtetë jo vetëm zonat e mbrojtura me ligj por edhe të gjitha MTER-të, sipërfaqja totale e tokës që tashmë është e mbuluar nga këto masa është ndoshta dukshëm më e lartë se 30%. Kjo do të thotë se fokusi i zbatimit të objektivit duhet të zhvendoset nga zgjerimi i zonave të mbrojtura në aspekte cilësore të objektivit, duke përfshirë kushte të rëndësishme që zona të tilla duhet të “qeverisen në mënyrë të drejtë” dhe “të ruhen në mënyrë të efektshme”. Dhe ky nuk është rasti për shumicën e këtyre zonave. Pra, KuBBD-ja autorizon kryesisht qeveritë që të përmirësojnë ndjeshëm qeverisjen e zonave të mbrojtura ekzistuese, duke përfshirë detyrimin që të sigurojnë që ato të respektojnë të drejtat e popujve indigjenë dhe komuniteteve lokale dhe të sigurojnë që çdo gjë që quhet “përdorim i qëndrueshëm” të kontribuojë në ruajtjen e biodiversitetit, ku kjo e fundit mund të parandalojë praktikën aktuale të lejimit të prerjeve të pyjeve në shkallë të gjerë ose të aktiviteteve të tjera shkatërruese në zonat “e mbrojtura”.
Njohja e kontributit të komunitetit në ruajtjen e biodiversitetit
Të drejtat dhe kontributi i popujve indigjenë dhe komuniteteve lokale u respektuan në shumë elemente të tjerë të KuBBD-së, përfshirë këtu edhe në objektivin e planifikimit hapësinor (objektivi 1), përdorimin tradicional e zakonor (objektivat 5 dhe 9), si dhe njohuritë e kaluara brez pas brezi dhe të tjera (objektivi 21). Për më tepër, nismat e komunitetit dhe “veprimet e tjera kolektive” të popujve indigjenë dhe komuniteteve vendase që synojnë ruajtjen e biodiversitetit u njohën si një nga format e mobilizimit të burimeve në objektivin 19.
Njohja e të drejtave dhe kontributeve të grave
Komiteti i grave të Konventës festoi edhe për versionin përfundimtar të KuBBD-së, sepse pas një beteje të gjatë e të vështirë, ia dolën të përfshinin me sukses një objektiv të mëvetësishëm për gjininë (objektivi 23). Ky objektiv jo vetëm që kërkon nga qeveritë që të kenë një qasje të përgjegjshme gjinore ndaj KuBBD-së dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e grave, por edhe njeh shprehimisht të drejtat e barabarta të grave mbi tokën dhe burimet natyrore. Mbi të gjitha, u miratua një plan veprimi për çështjet gjinore, i cili përbëhet nga një grup udhëzimesh gjithëpërfshirëse për integrimin e aspekteve gjinore në të gjitha vendimet dhe mekanizmat zbatuese që lidhen me biodiversitetin. Për fat të keq, në ditët e fundit të KOP15-ës, nga plani i veprimit për çështjet gjinore, u fshinë pa mëshirë referencat delikate për njerëzit e gjinisë së tretë (jo-binarë) dhe që ngrinin zërin për nevojën për të parandaluar diskriminimin në bazë të orientimit seksual. Për më tepër, komiteti i grave të Konventës nuk arriti të sigurojë tregues të diferencuar gjinor në kuadrin e monitorimit, përveç treguesve që lidhen me vetë objektivin gjinor, ose të integrojë referenca për dimensionet gjinore në shumicën e objektivave të tjerë të KuBBD-së. Kjo do të thotë se ekziston një rrezik serioz që, përtej fjalëve të bukura të planit të veprimit për çështjet gjinore, gjinia ë mbetet sërish një shtyllë më vete e KuBBD-së dhe e mekanizmave të saj zbatuese, në vend që integrohet realisht.
Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e mbrojtësve mjedisorë
Vlen të theksohet se objektivi më premtues i KuBBD-së, është ndoshta objektivi 22, i cili mbështet fuqishëm qasjen e bazuar në të drejta. Referencat e qarta për një pjesëmarrje të plotë, të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme gjinore; për qasjen në drejtësi, të drejtat mbi tokat, territoret, burimet dhe njohuritë tradicionale e zakonore, si dhe për mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut që lidhen me mjedisin në këtë objektiv, mund të shihen, të gjitha, si një fitore e madhe e grupeve dhe OJQ-ve që mbrojnë mbajtësit e të drejtave, të cilat luftuan pa pushim për katër vitet e fundit për një KuBBD-ë që realisht mbështetet tek të drejtat.
E shëmtuara
Kapja nga korporatat përmes financimit nga sektori privat
Përtej këtij lajmi të mirë, një gjarpër fshihet nën bar. Për të mbështetur zbatimin e saj, KuBBD-ja i hapi dyert për “të gjitha llojet e burimeve të financimit”, duke përfshirë, në veçanti, mbështetjen financiare nga sektori privat. Megjithëse teksti i KuBBD-së përfshiu shifra ambicioze për mobilizimin e 200 miliardë dollarëve në vit për financimin e biodiversitetit, përcakton gjithashtu se vetëm 20 deri në 30 miliardë do të jenë në të vërtetë nga ndihmat zyrtare për zhvillim.
Kjo i hap derën praktikave të ekologjisë fasadë, (greenwshing) d.m.th praktikave që shiten si të gjelbra sa për sy e faqe, por që në të vërtetë nuk janë, e ndoshta edhe praktikave me burime të dyshimta të të ardhurave (whitewashing), pasi mesa duket edhe paratë e fituara në mënyrë të jashtëligjshme janë të mirëpritura. Kjo do të thotë se politika publike e biodiversitetit do të bëhet akoma më e varur nga mbështetja financiare, e për pasojë edhe nga tekat dhe dëshirat e biznesit dhe industrisë. Nuk kafshohet dora që të ushqen! Andaj varësia në rritje nga financimet e sektorit privat do të thotë që qeveritë do të kenë më pak gjasa të miratojnë rregullore që dëmtojnë “partnerët” e tyre në biznes. E ndërsa u mirëprit fakti që KuBBD-ja përfshiu një objektiv për të ulur stimujt perversë me 500 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030, kërkimet kanë konstatuar se kapja e politikëbërjes nga ana e korporatave përmes financimeve të përziera është një pengesë e madhe për reformimin e stimujve perversë në praktikë.
Krediti dhe kompensimet e biodiversitetit
Diçka edhe më e shëmtuar ishte fakti që, në minutat e fundit, u përfshinë “krediti dhe kompensimet e biodiversitetit”, si një “skemë risi” për financimin e KuBBD-së. Kompensimi i biodiversitetit, gjë që nuk është aspak risi, nuk funksionon në praktikë, sepse një ekosistem i shkatërruar nuk mund të zëvendësohet me një ekosistem tjetër. Për gratë dhe burrat vendas që varen nga ekosistemi që shkatërrohet, një projekt kompensimi gjetiu nuk ofron përfitime . Në fakt, kompensimet e biodiversitetit jo vetëm që krijojnë një nxitje që agjencitë e biodiversitetit të lejojnë projekte të dëmshme, por edhe krijojnë stimuj për modelet tejet të vjetruara të “ruajtjes së kështjellës”, gjë që pjesët e tjera të KuBBD-së synojnë ta kapërcejnë, sepse ato duhet të garantojnë rezultate konkrete të ruajtjes. Fakti që termi “natyrë pozitive”, i cili shihej nga shumë si një qasje e kompensimit në shkallë të gjerë, u hoq nga KuBBD-ja ishte një “fashë” e pamjaftueshme në këtë drejtim. Megjithëse pas një fushate të ashpër të minutës së fundit të OJQ-ve dhe grupeve të mbajtësve të të drejtave kundër kompensimeve të biodiversitetit, u shtua togfjalëshi “me masa mbrojtëse mjedisore dhe sociale”, kjo gjë është pak e dobishme.
Zgjidhje që mbështeten në natyrë (ZMN)
Një tjetër betejë e humbur në minutat e fundit ishte beteja e gjatë e shumë OJQ-ve dhe grupeve që mbrojnë mbajtësit e të drejtave për të mos përfshirë në tekstin e KuBBD-së termin “zgjidhje që mbështeten në natyrë” (ZMN). Që kjo betejë kishte gjasa të ishte e humbur, ishte e qartë qysh në fillim, pasi termi ZMN jo vetëm që ishte përfshirë e përcaktuar nga Asambleja e OKB-së për Mjedisit (UNEA) qysh në mars 2022, por edhe nga një sërë mbledhjesh të tjera të OKB-së, përfshirë konferencën e 27-të të palëve të Konventës për Klimën, e cila u zhvillua vetëm pak javë para KOP15-ës. Dhe është pikërisht regjimi i klimës që ka gjasa të bëhet viktima kryesore e përdorimit të këtij termi. Ndërsa rezoluta e UNEA-s zyrtarisht kufizon ZMN-të në veprime që kontribuojnë pozitivisht në biodiversitet, shumica dërrmuese e ZMN-ve përbëhen tashmë nga pyjet dhe projektet e tjera të kompensimit të karbonit, e madje edhe balenat mund të përfshihen në tregun vullnetar të karbonit këto ditë. Rezoluta e UNEA-s pranon në fakt se duhet të analizohet ndikimi i mundshëm i këtyre skemave, shpesh mashtruese, në regjimin e klimës. Megjithatë, nga shumë ngjarje anësore për ZMN-të të organizuara gjatë KOP15-ës nga sektori privat dhe shumë organizata që merren me ruajtjen, u duk qartazi se ato nuk shohin asnjë problem me mirëpritjen e një burimi financimi që minon përpjekjet për të ndaluar një nga shkaqet kryesore të humbjes së biodiversitetit, d.m.th., ngrohjen globale.
Asnjë financim i drejtpërdrejtë për popujt indigjenë dhe komunitetet lokale?
Ndërkohë, është e paqartë nëse fondi i ri botëror për biodiversitetin, i propozuar fillimisht si një fond besimi në kuadër të Fondit Botëror për Mjedisin (FBM), do të jetë më përzgjedhës për sa i takon pranimit të burimeve të financimit. Është gjithashtu e pasigurt nëse do t'ju sigurojë popujve indigjenë, komuniteteve lokale dhe grave qasje të drejtpërdrejtë në financim, siç kanë kërkuar shumë grupe që mbrojnë mbajtësit e të drejtave. Vetë FBM-ja përfshin një program modest grantesh të vegjël, i cili mbështet drejtpërdrejt mbajtësit e të drejtave në terren. Përvoja me Fondin e Gjelbër për Klimën, i cili u krijua si një alternativë e FBM-së, sugjeron që fondet e reja të mos përfshijnë domosdoshmërish lehtësira të ngjashme të qasjes së drejtpërdrejtë, sepse në fakt Fondi i Gjelbër për Klimën ka përfunduar i dominuar akoma edhe më shumë nga interesat e korporatave sesa FBM-ja.
Rruga e drejtë
Të heqim dorë nga shkatërrimi i biodiversitetit për të parandaluar dëmet
Megjithatë, jo të gjitha lajmet financiare të COP15-ës ishin të shëmtuara. Përveç njohjes së të drejtave të indigjenëve, një nga elementet më pozitivë të KuBBD-së është objektivi 14. Ky objektiv autorizon qeveritë të përafrojnë të gjitha veprimtaritë dhe flukset financiare e fiskale me KuBBD-në. Ky angazhim për të hequr dorë nga të gjitha ato projekte dhe sektorë që shkatërrojnë biodiversitetin, si blegtoria e paqëndrueshme, prodhimi në shkallë të gjerë i bioenergjisëdhe industritë nxjerrëse, është një njohje e rëndësishme e faktit që ka pak kuptim të investohen 30 miliardë dollarë në ruajtjen e biodiversitetit kur 3.1 trilionë dollarë shpenzohen çdo vit për shkatërrimin e biodiversitetit. Objektivi 14 i drejtohet shprehimisht të gjitha niveleve të qeverisjes, duke e bërë të qartë se janë qeveritë ato që duhet të sigurojnë që institucionet financiare publike dhe private të tërheqin paratë e tyre nga këto aktivitete të dëmshme.
Të mbajmë premtimet në praktikë duke i rezistuar kapjes së KuBBD-së nga korporatat
Ashtu si me të gjithë objektivat e KuBBD-së, përmbushja e këtyre propozimeve kërkon një fushatë të palëkundur për t'iu kujtuar vazhdimisht qeverive angazhimet e marra në dhjetor 2022. Duhen fushata të vazhdueshme kundër kapjes së politikëbërjes nga ana e korporatave përmes financimit të përzier dhe “partneriteteve” të tjera për të siguruar që qeveritë të çlirohen nga konfliktet e interesit dhe të përqafojnë realisht frymën e KuBBD-së. Premtimet janë aty, në letër. Tashmë është dorën e gjithëve ne të sigurohemi që këto premtime të mos mbeten sërish boshe.
Ky artikull u shfaq për herë të parë në: www.boell.de