Rezistenca mjedisore për Parkun Kombëtar të Zall Gjoçajt

Zall-Gjoçaj është shpallur Park Kombëtar i Kategorisë së II që në vitin 1996, me një sipërfaqe prej 140 ha. Në vitin 2018 me vendim të Këshillit të Ministrave ky park do të bashkohej me parkun e Lurës, duke krijuar Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, me sipërfaqe prej 20242,78 ha. Kjo zonë e zgjeruar nga bashkimi i dy parqeve do të përfshinte sipërfaqe me tokë pyjore, shkurre, kullota dhe sipërfaqe ujore.

Koha e leximit: 9 minutes
Zall Gjocaj

Sipas vendimit nr.661, datë 31.10.2018, në të cilën ritheksohet se shkalla e mbrojtjes është e kategorisë së dytë, nuk duheshin lejuar ndërtimet dhe veprimtaritë që shkaktonin ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit. Çdo ndërtim infrastrukturor i ndërmarrë do të duhej të respektonte funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor.

datë 3 tetor të vitit 2018, vetëm disa ditë para se të shpallej park kombëtar, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit është lëshuar leja e ndërtimit për HEC-et Sekë dhe Zais në bashkinë Mat dhe Mirditë. Hec-i Zais do të ishte projekti energjetik që do të ndërtohej në zemër të Parkut Kombëtar të Zall Gjoçajt, kundër çdo parashikimi ligjor.

Deri në momentin e dhënies së lejes për ndërtimin e hec-eve, zona e Zall Gjoçaj për më shumë se 30 vite është lënë në harresë të plotë nga shteti. Kryesisht e izoluar për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe rrugëve, uji është përdorur si premtim elektoral i gjithëkohshëm. Nuk ka rrjet telefonik dhe as rrjet interneti dhe rruga e vetme e hapur nga projekti i ndërtimit të hec-it sipas banorëve është rruga më e gjatë dhe e mundimshme, e realizuar për interes të privatit dhe jo të komunitetit të zonës.

Banorët kanë pretenduar prej fillimit të cështjes që firma private nuk ka zhvilluar konsultimet publike paraprake dhe ata nuk janë pyetur për ndërtimet e HEC-eve. Sipas tyre kompania private ka falsifikuar firmate fshatarëve të zonave përreth dhe që s’kanë asnjë lidhje me çështjen, duke shmangur kështu përballjen reale me banorët e prekur.

HEC-i Zais dhe Sekë janë projekte të kompanisë Seka Hydropower, që ka për administrator shqiptarin Bardhyl Muceku, i ngritur me kapital italian të IDROP me pronarë Paolo Vincenti, Lorella Olivero, Antonella Vincenti. Projekti i ndërtimit të heceve, ashtu siç druhej nga banorët që në krye të herës, do të fuste në tuba lumin Flim, uji i të cilit është përdorur si i vetmi burim i ujit të pijshëm për afro 10 mijë banorë, 5 mijë bagëti, 4 mijë bletë e shumë lloje të tjera kafshësh të egra. Ai ka shërbyer si ushqyesi kryesor për parkun kombëtar, për pyjet rreth tij dhe për tokat e fshatarëve.

Banorët, të revoltuar nga cënimi që po u bëhej në ujë dhe në natyrë kanë rezistuar dhe kanë përdorur një shumësi mënyrash qëndrese që në krye të herës. Fundi  i vitit 2018 ka shënuar fillimin e rezistencës së tyre. Kanë organizuar takime me përfaqësues të institucioneve dhe të firmës private “Seka Hydropower” fillmisht; janë mbledhur në zonë dhe nëpër shtëpi të njëri-tjetrit; kanë tentuar të hyjnë në takime ministrore, kanë adresuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre nëpërmjet shkresave zyrtare, si dhe janë organizuar në protesta dhe aksione  në Zall Gjoçaj dhe në Tiranë, fizikisht dhe në distancë, në kohë të qeta dhe pandemike.

Kur janë përballur me indiferencë dhe premtime boshe, kanë vendosur të bllokojnë punimet në zonë me trup, duke ngulur në rrugën e hapur nga Seka Hydropower, çadrën e rezistencës, siç e kanë quajtuar ata vetë. Kjo shënon edhe ndër përpjekjet e para për të ndaluar avancimin e punimeve të firmës private. Paralelisht me ndërhyrjet në zonë, banorët u përpoqën të viheshin në kontakt me aktorë të shoqërisë civile në Tiranë dhe qytete të tjera. 

Pas disa takimeve të shkuara mirë, e disa dështimeve me të tjerë, komuniteti u takua me ATA, një grup rinor informal në qytetin e Kamzës, qytet në të cilin ishin zhvendosur disa nga ish-banorët e Zall-Gjoçajt. Ata arriti të siguronte ndihmë ligjore dhe ndihmoi në gjetjen e një avokates Dorina Asllanit, për ta udhëhequr rastin. Ky kolektiv aktivistësh arriti gjithashtu të sigurojë mbështetje financiare nga organizata brenda dhe jashtë vendit për të lehtësuar organizimin e aktiviteteve për ngritjen e një fushate kombëtare për ccështjen. Me kalimin e kohës, aktivistët e Zall-Gjoçajt dhe Ata ndërtuan një bashkëpunim të ngushtë përmes aktivizmit dhe shqetësimeve të përbashkëta.

Banorët arritën të hapnin katër procese gjyqësore në Gjykatën Administrative në Tiranë dhe pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Tre prej tyre janë shqyrtuar në gjykatën e parë, njëra prej çështjeve me rezultat pozitiv për banorët. Vendimi i shkallës së parë që ndalonte prodhimin e energjisë elektrike nga hec-i i Seka Hydropower, u la në fuqi edhe nga Gjykata Administrative e Apelit. Momentalisht pritet vendimi nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që proceset e tjera priten të shqyrtohen nga gjykatat më të ulta.

Në mars të vitit 2020, qeveria shqiptare shpalli karantinimin kombëtar për t’u përballur me pandeminë. Gjithçka përpos shërbimeve esenciale u mbyll. Askush nuk lejohej të dilte jashtë, përveç se përmes procedurash strikte dhe për një periudhë të kufizuar kohore në ditë të caktuara të javës. Protestat dhe grumbullimet publike u ndaluan dhe po ashtu puna. Edhe seancat gjyqësore u pezulluan. Mirëpo, pavarësisht këtij karantinimi kombëtar, punimet për ndërtimin e HEC-it Zais vazhduan. Për shkak të pamundësisë për të lëvizur, protestuar apo mbledhur, ndërtimi i hec-it avancoi dhe në krye të një viti u ndërtua plotësisht. Ky standart i dyfishtë i shtetit shqiptar dhe mungesës së zbatimit të kufizimeve njësoj për të gjithë solli padrejtësinë e radhës. Në përfundim të karantimit, banorët e gjetën veten të lirë për të lëvizur, me një lumë jo më të lirë, por brenda tubave të hecit Zais.

Përgjatë vitit pandemik, aktivistët e Zall Gjoçajt, bashkë me gazetarë të angazhuar, studiues, aktivistë mjedisorë dhe dashamirës vazhduan protestat e tyre. Herë onlinë, herë me aksione të drejtëpërdrejta përballë Gjykatave, Bashkive dhe Ministrive, ata kërkuan drejtësi dhe heqjen e hecit. Organet lokale dhe qendrore nuk morën seriozisht në asnjë moment kërkesat e tyre. Përkundrazi, vazhduan të përkrahin projektin hidroenergjetik në zonë, duke u bërë palë në terren, në procese administrative dhe gjyqësore me firmën private.

Janari i vitit 2022 njoftoi një rrezik të ri për parkun dhe për çështjen mjedisore të ndërtuar për mbrojtjen e tij. Me vendim të këshillit të ministrave, Ministrja Mirela Kumbaro njoftoi për shtyp dy vendime të cilat lidheshin drejtpërdrejt me ndryshimin e sipërfaqeve dhe statusin e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht tendencës për ta njoftuar dhe promovuar si ‘lajm të mirë’ nga Kumbaro, dy VKM-të e miratuara fshehnin pas shifrave dhe kategorive parregullsi të mëdha proceduriale, veprime të jashtëligjshme dhe mungesë të thukët të dhënash dhe ekspertize shkencore. Në raste specifike, këto vendime kanë legjitimuar ndërtime të paligjshme të hidrocentraleve, kanë ligjëruar aktivitete financiare të parregullta, si dhe kanë shtruar rrugën për aludime mbi plane potenciale në shërbim të interesave të ngushta ekonomike.

Vendimi “Për shpalljen e ekosistemeve natyrore rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria iv)” si dhe vendimi “Për miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemeve natyrore park kombëtar (kategoria ii) të zonave të mbrojtura mjedisore”- siç është kundërshtuar edhe nga organizatat mjedisore, aktivistë dhe ekspertë– ka dëmtuar një pjesë të zonave të prekura. Këto vendime janë kundërshtuar nga 44 organizata të shoqërisë civile përpara kësaj vendimmarrjeje me argumentin se do të sjellin fragmentarizimin dhe zvogëlimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura dhe do të kërcënonin në mënyrë permanente interesat ekonomike zona të cilat duhet të kenë mbrojtjen më të lartë ligjore.

Në rastin e Zall Gjoçajt, ky vendim solli nxjerrjen jashtë zonës së mbrojtur asaj sipërfaqe në të cilën është ndërtuar hec-i. Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, për shkak të ndjekjes së çështjes nga komuniteti i zonës, ka pasë mundësinë të tregojë sesa i dhemb çdo hapësirë e lëvizur nga këto harta. Në bazë të VKM-së së miratuar, ky park ka tashmë rreth 954 ha më pak, duke ‘legalizuar’ hec-in“Zais” i ndërtuar ilegalisht brenda parkut kombëtar, tanimë i nxjerrë jashtë parkut përmes tkurrjes së kufijve të tij.

Në janar të këtij viti, në rekursin e kompanisë “Seka Hidropower” kundër banorëve të Zall-Gjoçaj, në Gjykatën e Lartë një nga argumentet që renditej nga kompania koncensionare për t’u pranuar padia e tyre ishte edhe fakti se tashmë ishte përcaktuar kufiri i ri i zonës së mbrojtur Lurë-Mali i Dejës (ndërkohë që VKM e Zonave të Mbrojtura nuk ishte bërë publike ende) duke e nxjerrë përfundimisht jashtë zonës së mbrojtur Melthin dhe Zall-Gjoçaj e duke rrëzuar kështu çdo pretendim të paditësave…” Koordinimi mes shtetit dhe privatit është në linjë. Nuk hiqet hec-i nga Parku Kombëtar, por hiqet Parku nga Zonat e Mbrojtura. Edhe pse duket sikur kompania dhe shteti kanë gjetur tashmë një shtegdalje nga shkeljet që kanë kryer, paligjshmëria e tyre mbetet e pandryshueshme, pavarësisht ndryshimeve ligjore të mëpassshme.

Banorët sot kanë humbur lumin e tyre, por nuk janë dorëzuar. Ata vazhdojnë të protestojnë, të ndjekin proceset gjyqësore, të monitorojnë dhe dëshmojnë ndërhyrjet ekocidiale në park. Edhe pse janë zvarritur nëpër dyert e gjykatave për tre vite, ata nuk e kanë humbur shpresën që do të vihet drejtësi për Zall Gjoçajn. Së fundmi janë bërë pjesë e një procesi të hartimit të një padie kolektive për zonat e mbrojtura, e cila do të jetë pikë kthese për të gjitha parqet kombëtare të Shqipërisë. Ndaj, sa më shumë rritet bashkëpunimi i shtetit me firmat private për interesa të ngushtë ekonomik, aq më shumë po krijohen mundësi bashkëpunimi dhe rezistence kolektive për mbrojtjen e pasurive kombëtare mjedisore.