Zgjedhjet në Shqipëri: mes konsolidimit dhe kalimit në plan periferik

Analizë

Nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dalin sërish fitues socialistët e Edi Ramës që janë në pushtet. Nëse pas një bojkoti disavjeçar opozita kthehet në parlament, do të ndodhë një konsolidim i mëtejshëm i demokracisë shqiptare. Rreziqet në fushën ekologjiko-sociale sikurse pabarazia sociale, korrupsioni shumë i përhapur, shpërngulja drejt qytetit dhe shfrytëzimi barbar i natyrës kufizojnë mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij vendi kandidat për anëtarësimin në BE.

Skenderbegplatz in Tirana nach der Siegesrede der PS
Teaser Image Caption
Sheshi Skënderbej, në Tiranë, pas fjalës me rastin e fitores së PS-së

Më 25 prill u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Në këtë vend të vogël të Ballkanit u zgjodhën 140 deputetë në dymbëdhjetë njësi administrative sipas një sistemi proporcional për një mandat katërvjeçar në Kuvendin e Shqipërisë.

Partia Socialiste (PS) e Kryeministrit në detyrë Edi Rama që nga viti 2013 mori 48,68% të votave, pra 74 nga 140 mandate gjithsej. Demokratët opozitarë (Partia Demokratike, PD-ja) nën udhëheqjen e Lulzim Bashës arritën të fitonin dukshëm më shumë vota dhe me 39,43% kapën 59 mandate. Humbëse në këto zgjedhje është partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e bashkëshortes së Presidentit të Republikës, Ilir Metës, ajo ra në 6,81% dhe kështu fitoi vetëm katër mandate. Forca më e vogël politike është Partia Socialdemokrate (PSD) e biznesmenit të debatuar Tom Doshi. Ajo mori tre mandate me 2,25%. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) kësaj here nuk arriti të hynte në Parlament.

Për herë të parë hynë në garë edhe shumë kandidatë pa parti. Tre u mbështetën nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Këtu bëhej fjalë për organizatën partnere të partisë me të njëjtin emër në Kosovë, e cila në shkurt të vitit 2021, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, fitoi dukshëm zgjedhjet e atjeshme parlamentare dhe që në Shqipëri është e regjistruar si OJQ. Në qarkun e Dibrës kandidoi gjithashtu kryetari i një sindikate minatorësh për të luftuar për mbrojtjen e minatorëve që punojnë në kushte të këqija në miniera.

Para zgjedhjeve u krye një reformë zgjedhore, e cila u zhvillua me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe të BE-së e që përbënte një nga kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Përveç kësaj u ngrit një këshill jashtëparlamanetar, i cili ndër të tjera krijoi bazat teknike për zgjedhjet e organizuara mirë. Ç’është e vërteta, marrëveshja  e bazave teknike  u ndryshua edhe njëherë më pas nga PS-ja nën kritikat e forta të PD-së. Pavarësisht kësaj, PD-ja vendosi të merrte pjesë në zgjedhje. E vetmja që u prek nga ndryshimet e mëpastajme për të bërë aleanca zgjedhore vetëm me lista të përbashkëta duket se është LSI-ja, e cila hyri e vetme në zgjedhje.   

Politizimi i luftës kundër pandemisë

Faza e fushatës zgjedhore filloi tridhjetë ditë para zgjedhjeve dhe u mbizotërua sidomos nga mitingjet e partive të mëdha. Pavarësisht nga peizazhi shumë i polarizuar partiak dhe retorika e ashpër , veprimtaritë e fushatës zgjedhore kaluan relativisht qetë. Të drejtat themelore politike përgjithësisht u respektuan. Gjithsesi PS-ja në pushtet përfitoi ndjeshëm nga pozicioni i saj ekzekutiv dhe i instrumentalizoi mjetet publike për fushatën e vet. Paralelisht me fushatën zgjedhore, qeveria filloi me vaksinimin e popullatës. Politizimi i luftës kundër pandemisë u bë i mundur edhe ngaqë BE-ja, gjatë shpërndarjes së vaksinave sipas rregullit, nuk ua vuri edhe shumë veshin vendeve kandidate për anëtarësim. Edi Rama si figurë karizmatike pati mundësinë të bënte emër me kontaktet e tij globale, p.sh. përmes marrëveshjes, me efekt pozitiv në publik, me Turqinë për ndërtimin e një spitali të ri i cili përfundoi pak ditë para zgjedhjeve.   

Edhe roli i mediave gjatë fushatës zgjedhore do parë me sy shumë kritik. Në të vërtetë, ky vend i vogël ka gjashtë stacione televizive kombëtare dhe rreth 800 portale lajmesh, njëkohësisht përqendrimi i tregut është i lartë dhe struktura e pronarëve të medias oligopole. Edhe pse në garë ishin futur gjithsej 17 subjekte zgjedhore (12 parti dhe 5 kandidatë të pavarur) , në fokusin e raportimeve qëndronin kryesisht dy partitë e mëdha. Nuk u zhvilluan debate televizive mes udhëheqësve politikë. Në vend që të krijonin një debat transparent mbi përmbajtjet politike, mediat pranuan sa mundën të instrumentalizoheshin nga politika e polarizuar dhe interesat ekonomike të pronarëve. Kushtet delikate të punësimit të gazetarëve dhe gazetareve kufizojnë masivisht hapësirën e lirisë së medias. Për të siguruar vendet e tyre të punës, ata janë të prirur të vetëcensurohen.

Pjesëmarrja në zgjedhje veçanërisht e lartë

Dita e zgjedhjeve kaloi qetë. Policia raportoi vetëm disa incidente shumë të vogla. Sipas OSBE/ODHIR-it zgjedhjet në përgjithësi u organizuan mirë dhe sistemi i sapoinstaluar elektronik i identifikimit të votuesve u përdor në të gjitha qendrat e votimit. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19.00, pastaj numërimi zgjati pothuajse 48 orë. Në mbarë vendin u vu re një interesim i madh për zgjedhjet parlamentare. Pavarësisht pandemisë, në zgjedhje mori pjesë një numër i madh i popullsisë. 1.661.187 votues dhe votuese dhanë votën e tyre ditën e diel. Pjesëmarrja në votime në raport me popullsinë në moshë për të votuar përbënte më shumë se 70%, kështu që qoftë në krahasim historik, qoftë në atë rajonal ishte relativisht e lartë. Gjatë llogaritjes së pjesëmarrjes në zgjedhje duhet pasur parasysh që më shumë se 1/3 e rreth 3,6 milionë votuesve dhe votueseve të regjistruar/a kanë emigruar tashmë jashtë vendit. Pjesëmarrja në votime e shqiptarëve/shqiptareve jashtë atdheut është e parashikuar ç’është e vërteta në ligj, por teknikisht nuk u arrit që të vihej në zbatim. Pjesëmarrja e tyre e gjerë në zgjedhje, sipas shënimeve që ekzistojnë tani në regjistrat përkatës lokalë gjithsesi, do të kishte ndikuar ndjeshëm në paraqitjen e rezultateve të zgjedhjeve. Prandaj për zgjedhjet e ardhshme do t’ia vlente shumë që të mendohej për ngritjen e qarqeve të veçanta zgjedhore për shqiptarët/shqiptaret jashtë atdheut.

Pjesëmarrja e grave në politikë

Gratë morën pjesë në mënyrë aktive në fushatë dhe atyre iu bë thirrje e posaçme si votuese. Që prej vitit 2015 një ligj zgjedhor kërkon që të paktën 30% e kandidatëve në lista të jenë femra. Partitë e mëdha u përmbahen kuotave, nga 1.841 kandidatë/e, 732 (40%) ishin femra. Në kabinetin aktual 8 nga 17 ministra janë femra. Përfaqësimi politik vihet re në indeksin e barazisë (Indeksi i Barazisë 2017): Në fushën e pushtetit politik Shqipëria shfaq një barazi gjinore më të lartë sesa 28 vendet e BE-së. Boshllëqet më të mëdha gjenden në fushën e dijes, parasë dhe kohës. Feministët dhe feministet lokal kritikojnë që përfaqësimi politik nuk mundëson  të nxjerrësh përfundime për realitetin e jetës së grave në vend. Ende vijojnë të sundojnë struktura patriarkale dhe gratë gjejnë mbështetje të  cunguar. Nuk ka shtëpi shtetërore për gratë e dhunuara dhe nuk ka degë studimi për studimet gjinore nëpër universitete. Sipas raporteve të mediave numri i rasteve të dhunës specifike gjinore u dyfishua gjatë izolimit nga pandemia në prill.

Kulti i individit në vend të programit partiak

Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në sfondin e bilancit relativisht pozitiv të politikës së jashtme të vitit të kaluar. Kështu që Këshilli Evropian në mars të vitit 2020 dha dritën jeshile për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky vendim vlerësoi përpjekjet e vendit që qysh prej 2016-s po reformon sistemin e tij të drejtësisë. Për këtë u ngritën institucione të reja për luftën kundër  korrupsionit dhe sistemi i ndjekjes penale u decentralizua. Në të njëjtën kohë po kontrollohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët nga aftësia profesionale, pasuria dhe lidhjet e mundshme me krimin e organizuar. Reforma në drejtësi synon të depolitizojë autoritetet, të krijojë një sistem gjyqësor të pavarur për të krijuar besimin e popullit në sistemin e drejtësisë dhe kushtet e nevojshme për investime. Gjithsesi, këto nuk mund t’i shpalosin efektet e tyre pozitive sa kohë që mbeten pa u plotësuar faktorë të tjerë investimesh, si p.sh. kuadro shumë të kualifikuara, një kujdes i mirë shëndetësor, shërbime sociale të përballueshme, qytete dhe mjedis i pastër ku ia vlen të jetohet. Megjithatë aktorët politikë e humbën sërish shansin për të prezantuar strategji afatgjata për një zhvillim të qëndrueshëm. 

PS-ja bëri fushatë nën sloganin „Nuk ka kohë për pushim“ dhe iu referua projekteve gjoja të suksesshme në infrastrukturë  dhe kapërcimit të pandemisë. PD-ja premtoi hop ekonomik, vende pune dhe anëtarësim në BE. Edhe pse koronavirusi dhe tërmeti i nëntorit 2019 nxorën në pah gjithë ato rrethana të këqija sociale, opozita la pa trajtuar probleme strukturore në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe strehimit gjatë fushatës. E kështu edhe gjatë zgjedhjeve për të nëntën herë që nga fillimi i procesit të demokratizimit, konkurrenca politike për të fituar mbështetjen e zgjedhësve në vend që të karakterizohej nga programet politike, u karakterizua nga premtimet populiste zgjedhore dhe mbi të gjitha nga kulti i individit. Në fokus ishin dy udhëheqësit e partive Edi Rama dhe Lulzim Basha.  

Edi Rama mund të fillojë një mandat të tretë

Me këto rezultate zgjedhjesh Edi Rama (PS) mund të fillojë një mandat të tretë dhe të vijojë të qeverisë i vetëm.  Kthimi i opozitës në parlament do të kontribuojë ndjeshëm në konsolidimin e strukturave formale të demokracisë përfaqësuese dhe kështu do të plotësohet një kusht tjetër për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjithsesi vijojnë të mbeten sfidat kryesore për një konsolidim demokratik të Shqipërisë në strukturat informale të marrëdhënies shoqëri-shtet. Nisur nga dobësia e aktorëve socialë dhe mungesa e një strukture ekonomike të diferencuar e produktive, aktorët politikë vazhdojnë të shihen si administratorët e procesit të shfrytëzimit, qoftë ky shfrytëzim i remitancave të shqiptarëve/shqiptareve, i ndihmave ndërkombëtare financiare dhe ekonomike apo i burimeve natyrore prej një elite të vogël, e cila sundon në sektorin e tregtisë dhe ekonominë e ndërtimit. Edhe borxhi relativisht i lartë publik që nuk përdoret  për qëllime produktive përbën një shfrytëzim, konkretisht atë të burimeve të brezave të ardhshëm. Dobësia e shoqërisë konsolidon dobësinë e politikës, një strukturë, e cila di të mbrohet duke mbajtur hapur kanalet e emigrimit dhe praktikat e ushtruara të klientelizmit. Tregje që lulëzojnë, rrokaqiej modernë dhe projekte infrastrukture në fushat e energjisë dhe transporteve krijojnë fasadën joshëse të këtij rendi.

Ende pa një strategji kundër kalimit në plan periferik

Ç’është e vërteta, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare shihet një pikë kthese në historinë më të re të procesit shqiptar të demokratizimit, i cili gjithmonë ka qenë i karakterizuar nga mungesa e theksuar e tolerancës politike dhe sociale, e cila dobësonte legjitimitetin e konceptit të shtetit dhe destabilizonte vendin. Por rreziqet në fushën ekologjiko-sociale vijojnë të jenë të pranishme  dhe në të ardhmen është mirë që të merren më seriozisht edhe nga aktorët evropianë, në mënyrë që shanset e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë të mund të kthehen në realitet.