Me shkurtimin e fondeve, çfarë do të ndodhë më pas me organizatat feministe dhe ato të shoqërisë civile

Analizë

Në sajë të fuqizimit të lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe ndryshimeve të fundit në kursin e politikës botërore, ndihma e huaj për zhvillim ka pësuar shkurtime të konsiderueshme. Po çfarë pasojash do të ketë mbi organizatat feministe dhe të shoqërisë civile?

Illustration: A globe held by hands surrounded by plants and flames. The globe is wrapped in a banner reading "urgent solution."

Në sajë të fuqizimit të lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe ndryshimeve të fundit në kursin e politikës botërore, financimet ndërkombëtare për organizatat e shoqërisë civile kanë pësuar ulje të konsiderueshme. Nën administratën Trump, fondet e SHBA-ve për programe të rëndësishme të ndihmës së huaj janë prerë, duke prekur fusha si zhvillimi ekonomik, ndihma humanitare, paqja dhe siguria, shërbimet shëndetësore, arsimi, mjedisi dhe demokracia. Edhe të tjera vende, si Holanda, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shkurtuar fondet për ndihmën për zhvillim, për t’u përqendruar te projekte që i shërbejnë më mirë sigurisë së tyre kombëtare.

Në janar 2025, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që “bllokoi” për 90 ditë ndihmën amerikane për zhvillimin e huaj. Ky urdhër ekzekutiv preku, ndër të tjerë, punonjësit e Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), ku, në SHBA, 4 200 prej tyre u pezulluan përkohësisht nga detyra, ndërsa 1 600 u pushuan nga puna. Jashtë SHBA-ve, pasojat ishin edhe më të dukshme. Rreth 20 000 punonjës që ofrojnë shërbime shëndetësore për HIV për komunitetin në Mozambik dhe 15 000 në Afrikën e Jugut morën urdhër për ndërprerjen e punës. Raste të ngjashme ndodhën në mbarë botën, ku mijëra kontrata u zgjidhën para kohe për shkak të shkurtimeve të fondeve për ndihmën e huaj.

Gjithashtu, qeveria holandeze njoftoi shkurtime të konsiderueshme të buxhetit të saj të dedikuar për ndihmën për zhvillim, me një ulje prej një miliard euro për periudhën 2026 - 2030. Buxheti i ri do të shkojë nga 390 milionë deri në 565 milionë euro, dhe do të përqendrohet në fusha si shëndetësia, tregtia dhe të drejtat e njeriut. Belgjika shkurtoi fondet për ndihmën e huaj me 25 për qind, ndërsa Franca i uli ato me 37 për qind. Mbretëria e Bashkuar shkurtoi fondet për ndihmën e huaj me 40 për qind, ndërkohë që rriti buxhetin për mbrojtjen. Kryeministri Keir Starmer e përshkroi këtë vendim si “jashtëzakonisht të vështirë e të dhimbshëm”, por të domosdoshëm për shkak të “angazhimit të lëkundur e të pavendosur të Amerikës ndaj çështjes së sigurisë të Evropës”.

Pasojat e përgjithshme të prerjes së financimeve për organizatat e shoqërisë civile

Kjo valë e shkurtimeve të fondeve ndërkombëtare për ndihmën e huaj solli pasoja të menjëhershme mbi organizatat e shoqërisë civile dhe do të vazhdojë të prekë komunitetet më të rrezikuara në mbarë botën, veçanërisht në vendet e “Botës së Jugut”. Sipas Qendrës për Zhvillim Botëror, “8 vende me të ardhura të ulëta dhe 8 vende me të ardhura të mesme të ulëta po përballen me një humbje të mbi 1/5 e ndihmës së huaj gjithsej që ato merrnin”.  Ndër to janë: Sudani i Jugut, Somalia, Republika Demokratike e Kongos, Liberia, Afganistani, Sudani, Uganda dhe Etiopia.

Në rajonet ku demokracia është e brishtë dhe hapësirat qytetare janë në tkurrje, ndihma e huaj është shpesh burimi kryesor për financimin e programeve që trajtojnë çështje jetike që nuk përfshihen në programet e qeverive lokale, siç janë ndërtimi i demokracisë, siguria e individit, shërbimet shëndetësore, shërbimet për refugjatët, të drejtat dhe fuqizimi i grave, si dhe të drejtat e personave LGBTI+.

Në SHBA, lëvrimet e fondeve për ndihmën e huaj në vitin 2024 kapën vlerën 41 miliardë dollarë amerikanë dhe shkuan nëpër 206 vende dhe për 13 000 aktivitete. USAID-i ishte përgjegjës për lëvrimin e 32,48 miliardë dollarëve amerikanë. Me pezullimin ndihmës së huaj, punët e përfunduara në emër të USAID-it, në vitin 2024, me vlerë rreth 1,5 miliardë dollarë amerikanë mbetën të papaguara. USAID-i financon kryesisht reagimin urgjent në rast lufte, HIV/AIDS, si dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Si rezultat, pasojat e pezullimit të ndihmës së huaj do të ndihen, para së gjithash, në vende si Ukraina, Sudani, Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Siria dhe Palestina, ku ka luftë, konflikte të armatosura dhe kriza humanitare. Gjithashtu, do të ndihet edhe në vendet e Afrikës tek të cilat ndihma për parandalimin dhe trajtimin e HIV/AIDS, ndër të tjera, është me rëndësi vendimtare.

Sipas një sondazhi botëror të OJQ-ve, të kryer nga Këshilli Ndërkombëtar i Agjencive Vullnetare, 67 për qind e të anketuarve morën urdhër për ndalimin e punës. Si rezultat, “qeveria amerikane u detyrohet OJQ-ve miliona për rimbursime, kështu që OJQ-të kanë pak ose aspak likuiditet”. 80 për qind e të anketuarve të anketës që merrnin fonde amerikane raportuan ndikime të menjëhershme te partnerët e tyre, “përfshirë nevojën për t'i dhënë fund menjëherë marrëveshjeve të bashkëpunimit”. Sipas gjurmuesit të pezullimit të ndihmës në nivel botëror “Global Aid Freeze”, vetëm 8,8 për qind e 816 të anketuarve kanë gjetur burime alternative.

Regres në fushën e të drejtave të grave dhe LGBTI+

Në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, 73 për qind e organizatave që punojnë në fushën e LGBTI+ raportuan një ulje të aktiviteteve të programit. Nga këto OJQ, 60 për qind pësuan mbylljen e disa projekteve të caktuara, duke përbërë “një shenjë të qartë se puna më e rëndësishme ka ndaluar”. Në 40 për qind të rasteve, pati pushime nga puna ose zgjidhje të parakohshme të kontratave, ndërsa 40 për qind raportuan një rritje të ngarkesës së punës për punonjësit e mbetur. Për më tepër, 33 për qind e organizatave nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë e zyrës dhe furnizimin me ujë dhe energji. Para shkurtimeve, 40 për qind e organizatave morën financime të drejtpërdrejta nga USAID-i; ku 27 për qind ishin fondacione amerikane, nga Departamenti i Shtetit dhe donatorë të ngjashëm, ndërsa 33 për qind nga Evropa, nga e cila priten shkurtime të mëtejshme. Megjithatë, për disa nga organizatat, fondet me burim nga SHBA-të përbënin 76 - 100 për qind të buxhetit të tyre të përgjithshëm.

Sipas Fondit Dalan, organizatat e rajonit të Kaukazit dhe Azisë Qendrore kanë raportuar shkurtime të buxhetit me 30 - 80 për qind dhe, për pasojë, organizatat duhet të mbyllen ose të kërkojnë burime të tjera financimi që tashmë janë të pakta e shpesh të paarritshme për shkak të “valës së re të narrativave antigjinore dhe anti-të drejtave të njeriut”.

Nëse pezullimi i fondeve do të vazhdojë përgjatë 90 ditëve të ardhshme, parashikohet që 11,7 milionë gra dhe vajza do të humbasin qasjen në shërbime jetike të shëndetit seksual dhe riprodhues, gjë që do të rezultojë në 4,2 milionë shtatzëni të padëshiruara dhe 8 340 vdekje të nënave. Për më tepër, do të preken programet që ofrojnë mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore. Këto shërbime janë jetike për vende si Afganistani, Bangladeshi, Burkina Faso dhe Jemeni.  Sekretari i Shtetit, Marco Rubio njoftoi, në mars, se nga 6 200 programe gjithsej të ndihmës të USAID-it, rreth 5 200 do të mbyllen, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë nën drejtimin e Departamentit të Shtetit. Me këtë, parashikimet e përmendura më lart kanë të ngjarë të bëhen realitet.

Pas gjithë këtyre shkurtimeve, me të drejtë lind pyetja nëse lufta shumëvjeçare për barazi do të pësojë regres madhor, nëse do të sabotohen përpjekjet për ndryshimin e ligjeve, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për mbështetjen e grupeve të personave më të rrezikuar. Për sa i takon të drejtave të grave dhe LGBTI+, shkurtimi i financimeve nuk do të prekë vetëm programet mbështetëse, për ngritjen e kapaciteteve, apo për shërbimet shëndetësore, por edhe për sipërmarrjen, mjedisin dhe programet për qasjen në ushqim. Në këto rrethana, ato që do të preken më së shumti nga këto ndryshime janë gratë dhe vajzat, të cilat pritet të ngarkohen akoma më shumë me punën e përkujdesjes për të tjerët.

Përballja me sfidat e prerjes së financimit

Një ndikim anësor i rëndësishëm i shkurtimit të fondeve është se retorika populiste dhe kundër të drejtave të njeriut ka marrë vrull, duke pretenduar se rrethanat aktuale janë dëshmi se puna e shoqërisë civile është e panevojshme dhe e paligjshme. Qeveritë autoritare po e shfrytëzojnë shkurtimin e fondeve për të “forcuar pushtetin në duart e tyre”. Kështu shoqëria civile dhe, në veçanti, organizatat që merren me të drejtat dhe demokratizimin e grave dhe LGBTI+, do të vihet më kollaj nën shënjestrën e politikanëve populistë. Të mbetura pa mbështetjen e rëndësishme financiare ndërkombëtare, puna e organizatave të shoqërisë civile me financime të pakta do të dobësohet dhe/ose eliminohet, duke dëmtuar rrjedhimisht opozitën ndaj retorikës mbizotëruese kundër të drejtave të njeriut.

Prerja e financimeve për organizatat feministe dhe të shoqërisë civile përbën një regres domethënës në përpjekjet mbarëbotërore për të arritur progres në barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe të LGBTI+. Këto shkurtime nuk janë vetëm të natyrës financiare, pasi kanë edhe pasoja të rënda sociale, shëndetësore dhe politike, veçanërisht për komunitetet e cenueshme. Me hendekun e krijuar nga pezullimi i fondeve amerikane për ndihmë, shoqëruar me mungesën e vullnetit të vendeve të tjera “Botës së Veriut” për të ndërhyrë, situata do të kthehet në një terren pjellor ku regjimet autoritare, si Kina dhe Rusia, mund të zgjerojnë ndikimin e tyre. Në rrethanat e gjendjes aktuale, nevojitet një bashkëpunim i qëndrueshëm ndërkombëtar për të siguruar që përparimi i arritur gjatë dekadave të fundit të mos zhbëhet. Kjo mund të arrihet përmes filantropive dhe fondacioneve që marrin përsipër përgjegjësi për të financuar në afatgjatë organizatat dhe lëvizjet lokale, duke përdorur disa mekanizma financimi që kanë në qendër të tyre nevojat e komuniteteve të prekura dhe jo përparësitë e politikës së jashtme të qeverive aktuale. 


Autorët e këtij artikulli janë të vetëdijshëm se kjo çështje do të jetë objekt debati të vazhdueshëm dhe, ndonëse kanë bërë përpjekjet maksimale për të siguruar informacion të saktë e të përditësuar, statistikat dhe kuadri ligjor po ndryshon dita-ditës, ndryshime të cilat mund të mos jenë pasqyruar në artikull.


Ky artikull u shfaq për herë të parë këtu: us.boell.org