Për të ecur përpara, është e domosdoshme të forcohen mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së personave që janë nën shënjestrën e sulmeve antigjinore.

-
Hyrje
Nga fundi i vitit 2020, në debatin publik rreth projektpropozimit për një koncept të ri për arsimin fillor (9-vjeçar), spikatën disa fraksione të ndryshme që kundërshtonin modelin e arsimit që merr parasysh çështjet gjinore dhe integrimin e edukatës seksuale në kurrikula. Për herë të parë u prezantuam terma si “ideologji gjinore” dhe “indoktrinim gjinor”, të cilat shërbyen si pika bashkimi për një grupim njerëzish, në kontekstin maqedonas. Pavarësisht se projektpropozimi nuk e ndryshonte konceptin e arsimit fillor 9-vjeçar, këto grupe me këmbëngulje vazhduan të kundërshtonin pothuajse të gjitha nismat që prezantoheshin nga organizatat e grave/feministe dhe LGBTIQ.
Katër vjet më pas, gjendemi përballë një lëvizjeje antigjinore të fuqishme dhe të mirëkoordinuar, e cila bën tok mbi 30 organizata nën flamurin e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Në vitin 2023, Kisha Ortodokse Maqedonase iu bashkua këtyre përpjekje antigjinore, duke përforcuar ndjeshëm ndikimin e tyre. Kjo jo vetëm që bllokoi përparimin e dy ligjeve thelbësore - ligjin për barazinë gjinore dhe ligjin për regjistrin civil (i cili përfshinte dispozita për njohjen ligjore të gjinisë për individët transgjinorë) – por, gjithashtu kultivoi një narrativë që portretizon aktivizimin gjinor dhe queer si një kërcënim kombëtar që rrezikon gratë dhe fëmijët.
Sot, aktivistët e të drejtave të njeriut, feministët dhe individët queer në Maqedoninë e Veriut u duhet të durojnë ngacmime, të jenë nën shënjestër e të përçmohen publikisht, ndërsa agresorët mbeten të pandëshkuar. Kjo pasi vazhdojnë të mungojnë sanksionet ndaj këtyre sjelljeve. Kjo na lë të zbuluar e pambështetjen e nevojshme për të jetuar të qetë e të sigurt dhe për të vazhduar aktivizimin tonë.
-
Objektivi kryesor i mobilizimit antigjinor dhe rritja e këtyre mobilizimeve
Mes këtij peizazhi socio-politik në zhvillim në Maqedoninë e Veriut, po shfaqet një mozaik kompleks i mobilizimeve antigjinore, të cilat po ndërhyjnë nëpër sfera të ndryshme të reformës shoqërore. Ky mobilizim që është kundër reformave në arsim, betejave ligjore për njohjen gjinore, paradës së krenarisë dhe përpjekjeve ligjore për barazi gjinore, përbën një ndryshim madhor në diskursin kombëtar rreth gjinisë dhe identitetit. Të rrënjosura në rezistencën ndaj shkeljeve të perceptuara të vlerave tradicionale dhe të përkeqësuara nga fushatat e keqinformimit, këto lëvizje kanë bashkuar grupe të shumëllojshme nën një flamur, duke i dhënë një formë të re kornizave të debatit publik dhe zbatimit të politikave. Nëse i shqyrtojmë me kujdes këto mobilizime, do të zbulojmë një narrativë të ndërlikuar të tensioneve shoqërore, përplasjeve ideologjike dhe përpjekjeve të stërmundueshme për gjithëpërfshirje në Maqedoninë e Veriut. Thënë ndryshe, ajo që nisi si një rezistencë ndaj reformës së shpallur në arsim, u shndërrua në një mobilizim kompleks, jo vetëm kundër politikave, por kundër çdo forme tjetër aktiviteti që synon përparimin e barazisë gjinore, të drejtave të personave LGBTQI+, ose thjesht krijimin e një hapësire sociale për individët feministë dhe queer. Më poshtë, renditen objektivat kryesorë të këtyre mobilizimeve antigjinore.
Reforma e sistemit arsimor: Në vitin 2021, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut njoftoi planet e saj ambicioze për një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit arsimor kombëtar. Kjo reformë e konsideronte barazinë gjinore si një standard qendror të sistemit arsimor kombëtar, gjë që do të realizohej përmes ndryshimeve ligjore, ndryshimeve të metodologjive të mësimdhënies, rishikimit të teksteve shkollore, si dhe rishikimit të materialeve mësimore. Në veçanti, kjo reformë prezantoi konceptin e “edukimit që merr parasysh çështjet gjinore”, d.m.th., që merr parasysh dhe respekton dallimet gjinore dhe nevojat specifike që lidhen me to, si dhe përfshirjen vullnetare të “Edukatës Seksuale Gjithëpërfshirëse” në kurrikulën e klasës së 9-të. Pikënisja e projektpropozimit për konceptin e arsimit fillor shërbeu si katalizator për mobilizimin e aktorëve antigjinorë. Kundërshtimi i tyre u përcaktua, në mënyrë strategjike, si rezistencë ndaj një reforme të etiketuar si “ideologji gjinore” dhe të perceptuar si fyerje ndaj parimeve kombëtare.
Njohja me ligj e identitetit gjinor: Si pasojë e mungesës së rregullimit ligjor dhe vendimmarrjes arbitrare në rastet e njohjes ligjore të identitetit gjinor, në vitin 2016, “Koalicioni Margins” paraqitipara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) çështjen X. kundër Maqedonisë së Veriut. Në janar 2019, GJEDNJ-ja doli në përfundimin se Maqedonia e Veriut kishte shkelur të drejtën për një jetë private të kërkuesit X (një burrë transgjinor nga Maqedonia e Veriut). Në zbatim të plotë të vendimit të GJEDNJ-së, shteti ishte i detyruar të miratonte një kuadër ligjor për të garantuar një procedurë ligjore të shpejtë, transparente dhe të arritshme për njohjen e identitetit gjinor bazuar në vetëpërcaktimin e individit. Ministria e Drejtësisë ngriti një grup pune për hartimin e ndryshimeve në ligjin për regjistrin civil, duke rregulluar procedurat administrative të njohjes ligjore të identitetit gjinor në një kapitull të veçantë. Me mobilizimin kundër këtij ligji, u formua Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, me atëherë 26 anëtarë, ku shumica ishin organizata të shoqërisë civile dhe grupe joformale, por edhe parti politike dhe grupe fetare. Pavarësisht faktit se njohja ligjore e identitetit gjinor është një procedurë administrative, ky mobilizim trumbetoi një narrativë të rreme se ligji do të promovonte ndryshimin e seksit dhe do të linte derën e hapur për dhunë (përfshirë dhunën seksuale) ndaj grave dhe fëmijëve.
Kujdes shëndetësor që përfshin edhe individët trans: Në fillim të prillit 2024, Zyra e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë vendosi të anulojë diskutimin rreth disa aspekteve të shërbimeve mjekësore dhe kujdesit shëndetësor gjatë një procesi për konfirmimin e gjinisë për individët transgjinorë dhe me gjini të ndryshme. Diskutimi titullohej “Rruga drejt Tranzicionit” dhe ishte synuar të mbahej me studentët e mjekësisë. Ky vendim anulimi erdhi si pasojë e panikut, urrejtjes, manipulimit dhe paranojës së përhapur nga disa individë, grupe dhe koalicione antidemokratike dhe diskriminuese, të njohura si lëvizje antigjinore. Menjëherë pas këtij vendimi, Shoqata e Studentëve të Mjekësisë të Maqedonisë bëri një njoftim publik dhe në vend që të ngrinte zërin për integritet shkencor, standarde profesionale dhe pavarësi, justifikoi anulimin e debatit dhe kërkoi falje për të.
Parada e Krenarisë: Paradat e Krenarisë dallohen si momente kyç që shkaktojnë mobilizimin e shtuar të aktorëve antigjinorë. Spikatja e temave LGBTIQ gjatë muajit të krenarisë bëhet një pikë qendrore që nxit fushata kundërvepruese më të intensifikuara nga grupet antigjinore. Përgjatë dy viteve të fundit, këto përpjekje u manifestuan në leksione online, tekste dhe rubrika online, meme dhe video online, si dhe marshime familjare që shërbejnë si kundërparada dhe aktivitete të ngjashme. Në veçanti, mobilizimi kundër Paradës së Krenarisë, në Shkup, u zgjerua duke përfshirë edhe një peticion. Duke shfrytëzuar kërcënimin e pretenduar nga lia e majmunit, peticioni u paraqit si një masë mbrojtëse për shëndetin publik të popullit maqedonas.
Ligji për barazinë gjinore: Projektligji për barazinë gjinore kishte për qëllim të zëvendësonte ligjin e vitit 2012 për mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë, pasi ligji ekzistues kishte mangësi dhe ishte e domosdoshme të forcoheshin kapacitetet e mekanizmave dhe strukturave institucionale për barazinë gjinore. Në vitin 2020, u krijua një grup pune gjithëpërfshirës, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë, për të trajtuar këto çështje. Pas dy vjet diskutimesh dhe disa seancave dëgjimore publike të lehtësuara nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale (MPPS), projektligji ishte drejt finalizimit pa komente thelbësore nga asnjë palë. Megjithatë, në mars 2023, grupet antigjinore, të kryesuara nga Fondacioni Ortodoks Eleusis, nisën një mobilizim të gjerë kundër ligjit të propozuar. Retorika antigjinore u intensifikua edhe më shumë para Paradës së Krenarisë, duke arritur kulmin me një protestë të organizuar nga Kisha Ortodokse Maqedonase kundër ligjit për barazinë gjinore dhe ligjit për regjistrin civil. Kjo protestë u mbështet edhe nga institucione të ndryshme fetare, organizata civile, shoqata brenda lëvizjes antigjinore dhe partitë politike.
-
Strategjitë politike, publike dhe institucionale të mobilizimit
Nëse shohim tablonë e ndërlikuar të klimës shoqërore e politike të Maqedonisë së Veriut, do të vëmë re një larmi të strategjive të përdorura në kuadër të lëvizjes antigjinore. Duke filluar me përdorimin e organizimin e komunitetit e deri te mbështetja e organizatave ndërkombëtare, secila taktikë shërben për përgatitjen e terrenit për të kundërshtuar reformat dhe politikat e lidhura me çështjet gjinore. Nëse thellohemi për të kuptuar strategjitë politike, publike dhe institucionale të mobilizimit, do të zbulojmë një larmi nismash, të cilat iu japin formë narrativave, ndikojnë në opinionin publik, si dhe ushtrojnë trysni në diskutimin legjislativ. Këto strategji, të rrënjosura në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, pasqyrojnë natyrën e shumanshme të lëvizjes antigjinore dhe kundërpërgjigjen e saj ndaj normave shoqërore dhe kulturës politike në ndryshim. Për më tepër, grupet antigjinore përdorin një qasje “nga poshtë-lart” duke paraqitur një dinamikë të decentralizuar, të ndryshme nga mobilizimet “nga lart-poshtë” që zakonisht përdoren nga shoqëria civile. Rasti i Strumicës dhe Kumanovës janë shembuj konkretë të kësaj lëvizjeje të mbështetur në komunitet, duke nxjerrë në pah dallimin mes nismave lokale të vetë komunitetit, dhe veprimeve të shoqërisë civile të përqendruara në Shkup. Këto shembuj nxjerrin në pah sa komplekse janë strategjitë e mobilizimit antigjinor të mbështetura në shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në vijim, po rendis strategjitë kryesore të mobilizimit në kontekstin maqedonas.
Forumet publike u shfaqën si platforma për diskutime të drejtpërdrejta (live) rreth temave antigjinore. Ato nisën në Strumicë dhe u organizuan nga Fondacioni Ortodoks Eleusis me mbështetjen e pushtetit vendor. Në Strumicë, u zhvilluan tre forume që tërhoqën një audiencë të gjerë e të larmishme. Ngjarjet u promovuan përmes përpjekjeve të organizatave të bazës, me pjesëmarrjen e mësuesve, nëpunësve publikë dhe klerikëve që shpërndanë materiale promovuese në hapësirat publike, shkollat dhe kishat. Secili forum shqyrtonte në mënyrë të thelluar tema të ndryshme, si: “Zgjohu: Tundimet moderne si sfida për zgjimin shpirtëror të personit: ideologjia gjinore” (28 tetor 2022); “Pse t'i themi JO edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla” (17 mars 2023); dhe “Fytyra e vërtetë e GJINISË” (22 qershor 2023). Ndër radhët e folësve ishin profesionistë të fushave të ndryshme, duke përfshirë mjekë, profesorë universiteti, aktivistë të të drejtave të grave dhe avokatë kundër çështjeve gjinore. Forumi i fundit u përdor për të shpallur mobilizimin e gjerë kundër miratimit të ligjit për barazinë gjinore dhe ligjit për regjistrin civil.
Ndryshimi i politikave vendore për barazinë gjinore ishin faza tjetër që nisi në Strumicë e më pas u përhap në komunat fqinje dhe më gjerë. Aktualisht, 12 bashki kanë miratuar disa ndryshime të programeve të tyre për ofrimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, bazuar në Strategjinë për Barazinë Gjinore. Këto ndryshime përfshijnë zëvendësimin e termit “gjini” me “seks”, zëvendësimin e “barazisë gjinore” me “barazi mes sekseve” ose “mundësi të barabarta për gratë dhe burrat”, si dhe paraqitjen e një përkufizimi për termat “burrë” dhe “grua”. Përkufizimi përcakton se: grua është një individ i lindur i me seksin biologjik femër, ndërsa burrë është një individ i lindur me seksin biologjik mashkullor, pavarësisht nga ndjenjat e brendshme ose vetëpërcaktimi.
Shfaqjet e filmave u përdorën si një strategji e fuqishme dhe me ndikim, në kuadrin e mobilizimit antigjinor. Një element kyç i kësaj qasjeje është shfaqja e një filmi të përzgjedhur me kujdes. I tillë ishte filmi “Çfarë është një grua?”, me regji te Matt Walsh dhe të përkthyer në gjuhën maqedonase dhe shqip. Në vetëm pak muaj, ky film u shfaq në jo pak por 28 bashki. Koordinimi i këtyre shfaqjeve ishte një projekt bashkëpunimi mes Fondacionit Ortodoks Eleusis dhe Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i realizuar me mbështetjen e autoriteteve vendore dhe institucioneve kulturore. Instrumentet promovuese ishin të ngjashme me ato të zbatuara për forumet publike, duke përfshirë pjesëmarrjen aktive të mësuesve, figurave fetare, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe mediave lokale.
Peticionet dallohen si një mjet i fuqishëm për mobilizimin politik të organizatave të bazës, veçanërisht kur zbatohen në praktikë. Përdorimi i tyre në një masë të madhe u vërejt në kontekstin e nismave antigjinore, kryesisht në lidhje me çështjet e arsimit, me një përjashtim që synonte ndalimin e Paradës së Krenarisë në vitin 2022. Peticioni fillestar, i zhvilluar fillimisht online, i bënte thirrje masave të gjera për eliminimin e arsimit që merr parasysh çështjet gjinore dhe ndalimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës. Me nisjen e vitit shkollor 2023, pati një zhvillim të rëndësishëm- u krijua Fronti i Prindërve në Strumicë. Kjo organizatë, e përkushtuar për të zgjeruar shtrirjen e saj, kishte për qëllim të krijonte degë lokale në çdo komunë. Fronti i Prindërve nisi përpjekjet e tij me një peticion që kundërshtonte ideologjinë gjinore në shkolla, duke filluar në Strumicë dhe duke u shtrirë më pas me shpejtësi në dy komuna të tjera, brenda një harku kohor prej vetëm dy muajsh.
Protestat kanë qenë, prej kohësh, një mjet i preferuar për mobilizimin politik brenda lëvizjes antigjinore. Fillimisht, nisi me demonstrata jashtë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe u shtri duke u kthyer në protesta të prindërve që kundërshtonin ideologjinë gjinore në arsim. Kjo formë e mobilizimit arriti kulmin me një protestë masive të orkestruar nga Kisha Ortodokse Maqedonase kundër miratimit të ligjit për barazinë gjinore dhe ligjit për regjistrin civil. Protagonistët e këtyre protestave ishin, në më të shumtën e rasteve, prindër dhe fëmijë, si folësit kryesorë, që shprehnin shqetësimet e tyre rreth kërcënimeve të perceptuara për sigurinë dhe mirëqenien personale që paraqesin politikat për barazinë gjinore. Protesta e Kishës Ortodokse Maqedonase ndryshonte për nga shkalla dhe organizimi, pasi përfshinte edhe figura të rëndësishme, si Kryepeshkopi dhe akademikja Katica Kulafkova e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut.
Mbrojtja dhe mbështetja në nivel kombëtar e ndërkombëtar që zakonisht kanë qenë mjete të përdorura nga ana e shoqërisë civile për të ushtruar ndikim, po përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga grupet antigjinore, duke u shndërruar në një mjet të fuqishëm për të mobilizuar njerëz. Ndër format e përdorura në nivel kombëtar, janë thirrjet e gjera për t'u dërguar deputetëve letra me përmbajtje të parapërgatitur, si në rastin e letrave-kërkesa për tërheqjen e ligjit për regjistrin civil. Në vijimësinë e kësaj qasjeje shumëplanëshe, kanë kontribuar gjithashtu takimet me aktorë vendimmarrës, siç është takimi me Ministrin e Punës dhe Politikave Sociale për ta bindur këtë të fundit të kundërshtonte ligjin për barazinë gjinore. Një tjetër shembull është lobimi për të përfshirë në grupet e punës për hartimin e legjislacionit edhe organizatat antigjinore dhe Kishën. Në vitin 2023, në kulmin e mobilizimit masiv kundër dy ligjeve, përfaqësues të Fondacionit Eleusis morën pjesë në një trajnim të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik. Ky trajnim kishte për qëllim të forconte kapacitetet e drejtuesve vendorë civilë dhe fetarë për të marrë pjesë në proceset themelore ligjore dhe politike, si dhe në modelet për aktivizimin dhe organizimin e komunitetit.
Në nivelin ndërkombëtar, ndonëse përpjekjet për të ofruar mbështetje mbeten relativisht modeste, ato nuk kanë munguar tërësisht. Në një zhvillim të rëndësishëm të vitit 2023, organizatat antigjinore, të mbështetura nga kisha, komunitetet fetare dhe partnerët ligjorë, paraqitën një raport para Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Në këtë përpjekje të përbashkët, ku bashkëpunuan 29 organizata, raporti pretendonte se “në përpjekje për të zgjeruar të drejtat e individëve LGBTI+ në disa fusha, shteti potencialisht kufizon ose vë në rrezik të drejtën për lirinë e mendimit, ndërgjegjes, besimit dhe fesë të qytetarëve të tjerë”.
-
Përfundime
Tabloja e mobilizimeve antigjinore në Maqedoninë e Veriut tregon për një shkrirje mes dinamikave lokale dhe ndikimeve mbarëkombëtare, duke i dhënë formë një strategjie të shumanshme që përdoret nga aktorët vendas kundër barazisë gjinore dhe të drejtave LGBTIQ. Ajo që nisi si një rezistencë ndaj reformave në arsim evoluoi në një mobilizim kompleks kundër çdo përpjekjeje për përparimin e barazisë gjinore ose për të krijuar hapësirë për individët feministë dhe queer. Ky mobilizim, i karakterizuar nga një qasje e decentralizuar nga poshtë-lart, është e kundërta e mobilizimeve tradicionale të shoqërisë civile, duke nxjerrë në pah ndërveprimin mes nismave të organizatave të bazës në zona si Strumica dhe Kumanova dhe veprimeve të shoqërisë civile të përqendruara në Shkup. Përmes mekanizmave të ndryshme të përdorura në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga forumet publike, ndryshimi politikave dhe deri te shfaqjet e filmave, peticionet, protestat, si dhe mbështetja nga aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, aktorët antigjinorë përdorin një sërë strategjish për t’iu dhënë formë narrativave, për të ndikuar në opinionin publik, si dhe për të ushtruar trysni në diskutimin legjislativ. E teksa aktivistët e të drejtave të njeriut, feministët dhe individët queer duhet të durojnë ngacmime dhe të jenë nën shënjestër, agresorët mbeten të pandëshkuar. Kjo pasi mungesa e sanksioneve për këto sjellje i lë pambështetjen e nevojshme për të jetuar dhe për të punuar të qetë e të sigurt.
Për të ecur përpara, është e domosdoshme të forcohen mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së personave që janë nën shënjestrën e sulmeve antigjinore. Kjo kërkon që të vihen në zbatim masa më të forta për mbrojtjen ligjore kundër diskriminimit dhe ngacmimit, të zgjerohen rrjetet mbështetëse për komunitetet e margjinalizuara, si dhe të nxitet dialogu dhe edukimi për të luftuar keqinformimin dhe, nga ana tjetër, të promovohet mirëkuptimi dhe pranimi i larmisë gjinore. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe organet qeveritare duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të mbështesin politika dhe nisma që forcojnë barazinë gjinore dhe respektimin e të drejtave të personave LGBTQI+. Vetëm duke qenë të bashkuar e solidarë dhe duke trumbetuar zërat e të prekurve, mund të ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse e më të barabartë për të gjithë individët, pavarësisht identitetit gjinor ose orientimit seksual të tyre.
Ky artikull u shfaq për herë të parë këtu: ba.boell.org