This content is more than 0 years old.

Çfarë është një Stiftung? Fondacionet politike gjermane: një model unik në botë

Analizë

Çfarë është një Stiftung? Çfarë janë fondacionet politike gjermane? Këto pyetje na bëhen shpesh gjatë punës sonë. Çfarë roli kanë fondacionet politike gjermane, si funksionojnë ato dhe me çfarë burimesh?

Koha e leximit: 10 minutes
Le siège de la fondation à Berlin

Shumë larg kuptimit anglo-sakson të fondacioneve, të cilat kanë një mision filantropik dhe shpesh të varura nga financimet private, fondacionet politike gjermane punojnë me fonde publike gjermane dhe kontribuojnë në të ashtuquajturin edukim politik (politische Bildung). Me edukim politik mund të kuptohet edhe “edukim qytetar”. Në Gjermani, edukimi politik është objekti i një politike të mirëfilltë publike, e cila synon të rritë ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare. Dhe pikërisht këtë rol e ka Agjencia Federale për Edukimin Politik (Bundeszentrale für politische Bildung), e cila punon për “të përgatitur dhe inkurajuar qytetarët të marrin pjesë aktive në politikë”. Këtë rol ajo e realizon përmes materialeve të botuara, seminareve, vizitave studimore, etj. Në këtë dinamikë, janë integruar plotësisht fondacionet politike duke ofruar mbështetje për shoqërinë civile, për të promovuar edukim qytetar dhe debatin. Ato punojnë për një demokraci të gjallë me përfshirjen aktive të qytetarëve. 

 

Nga Vajmari deri më sot: nevoja për të formuar demokratë dhe për të promovuar pluralizmin demokratik

Për të kuptuar origjinën e fondacioneve politike gjermane, duhet të kthehemi mbrapa në kohë, në Republikën e Vajmarit. Kjo republikë e re, e themeluar në vitin 1918, nuk arriti dot të mbjellë një kulturë të mirëfilltë demokratike dhe një ndërgjegje qytetare, për shkak të paqëndrueshmërisë së theksuar politike, të një kushtetute të papërsosur e të kundërshtuar, si dhe për shkak të një konteksti ekonomiko-social veçanërisht kompleks. Republika e Vajmarit u shpërbë me ardhjen e nazizmit, si dhe me vendosjen e një regjimi totalitar me ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, në vitin 1933. 

Për të shmangur grackat që në të kaluarën kishin hedhur hije dyshimi mbi demokracinë e re gjermane, u krijuan fondacionet politike. Ato janë instrumente për formimin dhe edukimin politik të qytetarëve. Me anë të veprimtarisë e punës së tyre, ato synojnë të kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës dhe vlerave demokratike. Një demokraci ka nevojë për demokratë dhe fondacionet politike synojnë të kontribuojnë në formimin e këtyre demokratëve.

Një demokraci ka nevojë edhe për pluralizëm, andaj, fondacionet politike gjermane, duke qenë afër partive, janë organizata që përfaqësojnë vizionet e ndryshme politike që bashkëjetojnë brenda një demokracie. Në këtë mënyrë, ato punojnë për edukimin qytetar duke plotësuar punën e Agjencisë Federale për Edukimin Politik, duke u bazuar në parimin e pluralizmit të ideve në jetën publike, si aspekti më i domosdoshëm për funksionimin e duhur të demokracisë. 

Gjermania ka aktualisht gjashtë organizata që konsiderohen si fondacione politike. Fondacioni Friedrich Ebert (afër Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë) u themelua në 1925-ën. Veprimtaria e këtij fondacioni u ndalua më 1933 dhe më pas u rihap më 1947-ën. Fondacionin Friedrich Naumann u themelua më 1958-ën (afër Partisë së Lirë Demokratike). Më 1964-ën u themelua Fondacioni Konrad Adenauer (afër Bashkimit Kristiandemokrat të Gjermanisë) duke bashkuar dy institute që ishin krijuar qysh prej vitit 1955 dhe 1962. Ndërsa në 1967-ën u themelua Fondacionin Hanns Seidel (afër Bashkimit Social-Kristian). Më pas, në vitin 1997, u themelua Fondacioni Heinrich Böll, pranë të Gjelbërve (Bündnis 90/Die Grünen), duke bashkuar tre organizata që ekzistonin qysh prej vitit 1989. Ndërsa në vitin 1999, u themelua Fondacioni Rosa Luxemburg, fillimisht afër Partisë së Socializmit Demokratik, ndërsa aktualisht afër Partisë së Majtë (Die Linke). Të gjashta këto fondacione marrin fonde publike për të kryer aktivitetet e tyre jo vetëm në Gjermani, por edhe në nivel ndërkombëtar.

 

Fondacionet politike sot: financimi, qeverisja dhe lidhja me partitë 

1. Financimi: buxheti nën kontrollin e parlamentit

Afro 90% e fondeve të fondacioneve politike gjermane buron nga fonde publike, në veçanti nga Ministria e Punëve të  Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mjedisit, Ministria për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, Ministria e Arsimit dhe Kërkimit, si dhe nga Parlamenti (Bundestagu). Pjesa tjetër e buxhetit të tyre përbëhet nga kontributet e rajoneve, autoriteteve vendore, Bashkimit Evropian ose privatëve. Për të marrë fonde, partia e afërt me fondacionin përkatës duhet të marrë vota për të zënë vende në Bundestag për të paktën dy mandate radhazi. Për shembull, nëse Partia Alternativa për Gjermaninë (AFD), një parti e ekstremit të djathtë, e cila hyri në Bundestag në 2017-ën, krijon një fondacion afër saj, p.sh., Fondacioni Desiderius Erasmus, ky i fundit do të mund të marrë financim vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vetëm nëse AFD-ja do të zërë vende në Bundestag për të dytën herë radhazi. 

Shpërndarja e fondeve të caktuara për fondacionet përcaktohet çdo vit nga Komisioni për Buxhetin i Bundestagut dhe votohet me ligjin për financat, i cili përcakton shpërndarjen e shpenzimeve për qeverinë. Ajo bazohet në rezultatet mesatare të partive të afërta me fondacionet përgjatë katër zgjedhjeve të fundit parlamentare, si dhe duke marrë parasysh tendencat politike në Gjermani. Rreth gjysma e buxhetit të çdo fondacioni shkon për zyrat e tij jashtë vendit. Kjo pjesë financohet në veçanti nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik. Këto të fundit monitorojnë dhe kontrollojnë shpenzimet e fondacioneve, shpenzime që duhet të jenë të justifikuara përmes projekteve të realizuara, si dhe të respektojnë rregulloret përkatëse, të ngjashme me rregullat për shpenzimet publike. 

Shuma që buxheti federal përcakton për fondacionet politike është rritur me kalimin e kohës. Nga viti 2000 deri në 2014-ën, buxheti gjithsej i ndarë për fondacionet politike pothuajse u dyfishua, nga 295 milionë euro në vitin 2000 në 466 milionë euro në 2014-ën. Në vitin 2017, kjo shifër u rrit më tej duke arritur në 581,4 milionë euro, duke dëshmuar kështu konsensusin e Bundestagut për rëndësinë e fondacioneve dhe financimin e punës së tyre.

2. Qeverisja: fondacionet, të deklaruara si shoqata 

Megjithëse të gjashta fondacionet politike quhen fondacione (Stiftungen), vetëm Fondacioni Friedrich Naumann është në kuptimin e vërtetë një fondacion, d.m.th. në bazë të së drejtës private. Fondacionet e tjera politike kanë statusin e shoqatave (eingetragene Vereine). 

Në krye të çdo fondacioni qëndron një Bord Drejtues, si komitet ekzekutiv, i zgjedhur nga asambleja e përgjithshme. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të shoqatës përcaktohet nga statuti dhe, në përgjithësi, shkon nga 40 deri në 100 anëtarë. Kryetari i shoqatës zgjidhet gjithashtu nga asambleja e përgjithshme. Për shkak të statusit të veçantë ligjor, Fondacioni Naumann Stiftung nuk ka asamble të përgjithshme, ndërsa këshilli i tij i administrimit përbëhet nga jo më shumë se 29 anëtarë me të drejtë vote. 

Përbërja e organeve të sipërpërmendura varet kryesisht nga partia e afërt me fondacionin përkatës, pasi deputetë, anëtarë aktualë apo ish-anëtarë të qeverisë, si dhe ish-kryetarë të partive janë shumë të pranishëm. Megjithatë, anëtarët aktivë të partisë politike nuk lejohen të mbajnë poste drejtuese brenda fondacionit. Në këto organe mund të jenë të pranishëm edhe anëtarë të organizatave, shoqatave apo shoqërive tregtare të afërta me fondacionin, si dhe shkencëtarë, gazetarë apo edhe artistë

3. Fondacionet dhe partitë politike: mes afërsisë dhe pavarësisë 

Fondacionet ruajnë lidhje të fortë me partitë politike me të cilat janë të afërta, por ndërkohë ruajnë edhe autonominë e tyre në praktikë. Kjo autonomi dëshmohet nga fakti se strukturat e fondacioneve dhe partive janë formalisht të pavarura dhe nuk mund të kryhet asnjë transferim parash mes fondacionit dhe partisë përkatëse. Fondacionet nuk marrin pjesë në fushata zgjedhore. 

Lidhja historike mes fondacioneve dhe partive është e fortë. Fondacioni është ndonjëherë degëzim i drejtpërdrejtë i partisë, siç është rasti i Fondacionit Friedrich Ebert dhe Fondacionit Friedrich Naumann. Siç u përmend më sipër, figura të shumta politike ulen në këshillat e administrimit të fondacioneve. Tek e fundit, puna e fondacioneve politike bazohet në vlerat që mbron partia me të cilën ato janë të afërta. Ky parim u konfirmua në 1986-ën, në një vendim të Gjykatës Kushtetuese Federale mbi financimin publik të fondacioneve politike (pas një ankese të Partisë së Gjelbër Gjermane). Ky vendim gjithashtu vë theksin te pavarësia e fondacioneve për sa i përket statusit dhe organizimit të tyre. Fondacionet nuk mund të punojnë drejtpërdrejt për partitë. Puna e tyre duhet të jetë në të mirë të të gjithë qytetarëve; publikimet e tyre janë falas dhe të arritshme për të gjithë.

 

Edukimi politik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, thelbi i punës së fondacioneve politike

Në 1999-ën, me anë të një deklarate të përbashkët, fondacionet politike përcaktuan një listë të misioneve të tyre (shiko më poshtë një ekstrakt). Fondacionet politike janë protagonistet kryesore që ofrojnë edukim politik për qytetarët, kontribuojnë në ndërtimin e Bashkimit Evropian, ofrojnë ndihmë për zhvillim, si dhe mbështetje për strukturat që mbrojnë vlerat demokratike në mbarë botën.

 

Deklarata e përbashkët e fondacioneve politike gjermane (ekstrakt)

Me përmbushjen e detyrave të tyre të përcaktuara në statut, fondacionet politike synojnë të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së komunitetit tonë. Puna e tyre për edukimin socio-politik dhe demokratik, informimin dhe këshillimin politik në Gjermani dhe më gjerë bazohet në parimet e një rendi themelor të lirë e demokratik, si dhe në respektimin e parimeve të solidaritetit, subsidiaritetit dhe tolerancës reciproke. Përmes punës së tyre ato synojnë në veçanti:

  • të nxitin qytetarët të përfshihen në çështje politike dhe të promovojë e thellojnë angazhimin e tyre politik duke ofruar edukim politik;
  • të krijojnë bazat për veprim politik duke promovuar shkencën, kërkimin dhe këshillimin, si dhe të thellojnë dialogun dhe transferimin e njohurive mes shkencës, politikës, qeverisë dhe biznesit;
  • të studiojnë zhvillimin historik të partive politike dhe lëvizjeve politike e shoqërore;
  • të promovojnë edukimin akademik dhe të vazhdueshëm të talenteve të reja me anë të bursave dhe programeve të studimit;
  • të promovojnë artin dhe kulturën përmes aktiviteteve, bursave të studimit, si dhe të promovojnë kujdesin dhe ruajtjen e veprave kulturore;
  • të mbështetin përpjekjet për unifikimin evropian dhe të kontribuojnë në mirëkuptimin ndërkombëtar përmes informacionit dhe takimeve ndërkombëtare;
  • të ofrojnë ndihmë për zhvillim përmes programeve dhe projekteve dhe të kontribuojnë në krijimin e strukturave demokratike, liberale dhe kushtetuese që merrem me të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile.

Deklarata e Përbashkët (Gemeinsame Erklärung) 1999

 

Për këtë qëllim, fondacionet organizojnë aktivitete për publikun e gjerë, si p.sh., konferenca, debate, shfaqje filmash, etj. Ato botojnë vepra dhe krijojnë formate të posaçme të dedikuara për të nxitur dialogun dhe transferimin e njohurive dhe aftësive mes komunitetit shkencor e akademik, botës politike, biznesit dhe shoqërisë civile. Këto formate mund të marrin formën e vizitave studimore, grupeve të punës me ekspertë, etj. Ato ofrojnë gjithashtu bursa për shumë studentë ose të rinj që janë duke studiuar. Puna e tyre shtrihet edhe në fushën e artit dhe kulturës duke mbështetur artistët, pasi e konsiderojnë artin dhe kulturën si mjete thelbësore për mbrojtjen e vlerave demokratike. 

Së fundi, fondacionet janë aktive jo vetëm në Gjermani, ku kanë selinë e tyre qendrore dhe shumë zyra rajonale brenda Gjermanisë, por ato janë pranishme edhe në mbarë botën. Fondacioni Konrad Adenauer dhe Fondacioni Friedrich Ebert kanë më shumë se 100 zyra në mbarë botën. Më pas renditen, Fondacioni Friedrich Naumann me më shumë se 60 zyra, Fondacioni Heinrich Böll me më shumë se 30 zyra, Fondacioni Rosa-Luxemburg me 20 zyra dhe Fondacioni Hanns Seidel me 5 zyra jashtë vendit. Puna e zyrave jashtë vendit përqendrohet tek bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe tek ofrimi i mbështetjes për organizatat jo-qeveritare. Fondacionet punojnë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, shoqërinë civile dhe aktorët që mbrojnë vlerat demokratike.

Fondacioni Heinrich Böll: fondacioni politik i gjelbër

I afërt me Partinë e Gjelbër Gjermane (Bündnis 90/Die Grünen), Fondacioni Heinrich Böll mban emrin e një prej autorëve më të mëdhenj gjermanë të pasluftës, i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1972. Heinrich Böll, një intelektual i përkushtuar, ishte një nga përkrahësit e mëdhenj të Iluminizmit dhe humanizmit. Për të, mënyra më e mirë për të matur një shoqëri progresive, është të shohësh se si ajo e trajton çdo individ me gjithë dinjitetin dhe veçantinë e tij. Puna e Fondacionit që mban emrin e tij bën pjesë në trashëgiminë e mendimit, punës dhe veprimtarisë së tij, të cilat na nxitin të luftojmë për të drejtat themelore të çdo individi, të luftojmë për një demokraci të gjallë në Evropë, si dhe të angazhohemi në favor të një tranzicioni të thellë social-ekologjik, për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike dhe për të mbrojtur mjedisin tonë.

Fondacioni Heinrich Böll është një qendër reflektimi që punon për tranzicionin social-ekologjik dhe një demokraci pjesëmarrëse, pluraliste e gjithëpërfshirëse. Ai promovon shkëmbimet dhe bashkëpunimet në këto fusha, veçanërisht përmes aktorëve të shoqërisë civile. Fondacioni e ka selinë qendrore në Berlin dhe ka zyra në 16 rajonale në Gjermani, si dhe është aktiv në nivel ndërkombëtar, në më shumë se gjashtëdhjetë vende, me rreth 34 zyra mbarë botën. Fondacioni ka një buxhet prej më shumë se 60 milionë euro në vit (nga fondet publike). Në krye të këshillit të administrimit janë dy bashkëdrejtorë. Statuti parashikon se një kuotë të caktuar të pjesëmarrjes së grave dhe personave me prejardhje emigrante në organet dhe pozicionet e përhershme të Fondacionit.

Protagoniste të jetës demokratike në Gjermani, fondacionet politike, të afërta me partitë politike gjermane por të pavarura pre tyre, punojnë në nivele të ndryshme, si në nivel rajonal, kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke ndjekur një shumëllojshmëri misionesh dhe qasjesh të larmishme për të mbrojtur dhe promovuar vlerat demokratike. Përmes edukimit qytetar, debatit dhe jetës demokratike, ato mishërojnë kështu demokracinë luftarake, sepse nëse demokracia do të jetë një arritje e jashtëzakonshme për shoqëritë njerëzore, ajo duhet, ende sot e kësaj dite, të mbrohet me vendosmëri.


Për tu thelluar më tej:

Norbert Lepszy, „Politische Stiftungen“, in Andersen, Uwe/Wichard Woyke (Hg.): Handwörterbuch des politischen Systems der Bundesrepublik Deutschland. 7., aktual. Aufl. Heidelberg: Springer VS 2013. https://www.bpb.de/nachschlagen/lexika/handwoerterbuch-politisches-system/202095/politische-stiftungen?p=1

Peter Massing , “Politische Stiftungen”, Bundeszentrale für politische Bildung,  https://www.bpb.de/gesellschaft/bildung/politische-bildung/193401/politische-stiftungen?p=1

Wissenschaftliche Dienste des Deutschen Bundestages  Vgl. WD 1 – 164/06: Geschichte, Struktur und Wirken der politischen Stiftungen in der Bundesrepublik Deutschland, https://www.bundestag.de/resource/blob/412014/9ecd48358f1c2ea367f08961cdf5d7eb/WD-1-164-06-pdf-data.pdf

Dorota Dakowska, "Les fondations politiques allemandes : des courtiers de la politique étrangère", CERISCOPE Puissance, 2013, [en ligne], URL : http://ceriscope.sciences-po.fr/puissance/content/part2/les-fondations-politiques-allemandes-des-courtiers-de-la-politique-etrangere   

Dorota Dakowska, « Au nom de l’Europe. Les fondations politiques allemandes face à l’intégration européenne », Revue d’Allemagne et des pays de langue allemande [En ligne], 47-1 | 2015, mis en ligne le 13 décembre 2017. URL : http://journals.openedition.org/allemagne/453 
 

 

 

 


Ky artikull është publikuar për herë të parë këtu: fr.boell.org