“ACTUS për Vjosën” është një vepër artistike e realizuar me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe evropianë dhe i kushtohet mbrojtjes së Vjosës, lumit të fundit të paprekur të Evropës. Shfaqja e kërcimit bashkëkohor u krijua nga koreografi Gentian Doda, me muzikën e kompozuar nga Çezar Aliaj, frymëzuar nga Kantata 106 e Bach-ut dhe polifonia shqiptare.
Vjosa: i fundit lumë i paprekur i Evropës
Lumi Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi dhe më pas derdhet në Adriatik. Të gjitha degët e tij kryesore (Drino, Shushica dhe Bënça) janë lumenj me rrjedhë të lirë, të cilët krijojnë një rrjet të gjallë që nuk gjendet më askund tjetër në kontinent. Kjo zonë përbëhet nga një larmi e jashtëzakonshme habitatesh, duke i ofruar botës një pasqyrë unike të gjendjes së dikurshme të lumenjve të Evropës, përpara shkatërrimit.
Parku Kombëtar i Lumit Vjosa
Për më shumë se dy dekada, Lumi Vjosa është kërcënuar nga projektet hidroenergjetike, ndërsa aktorë vendas e ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje për ta mbrojtur. Studime të ndryshme kanë treguar se ndërhyrje të tilla jo vetëm do të dëmtonin në mënyrë të pakthyeshme këtë ekosistem unik, por edhe janë ekonomikisht të paqëndrueshme. Pas shumë vitesh përpjekjesh, në qershor të vitit 2022, Qeveria shqiptare e shpalli Vjosën Park Kombëtar, duke i dhënë nivelin më të lartë të mbrojtjes. Megjithatë, kjo mbrojtje nuk e përfshin deltën e tij, Lagunën Vjosë–Nartë, një zonë me biodiversitet të lartë dhe një korridor kyç migrimi për qindra mijëra shpendë. Planet aktuale për ndërtimin e një aeroporti dhe infrastrukture turistike në këtë zonë rrezikojnë të dëmtojnë rëndë këtë habitat delikat, duke kërcënuar faunën dhe duke ndryshuar përgjithmonë këtë ekosistem jetik.
Arti si mjet për të trumbetuar përpjekjet për mbrojtjen e lumit të fundit të paprekur të Evropës
Për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së Lumit Vjosa, Fondacioni Heinrich Böll, Zyra në Tiranë, porositi realizimin e kësaj shfaqjeje kërcimi bashkëkohor, si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e Vjosës. Ky projekt i jashtëzakonshëm u bë i mundur vetëm falë mbështetjes së çmuar të partnerëve tanë: Riverwatch, Euronatur, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, EcoAlbania dhe Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.
Kërcimi bashkëkohor është për mua një gjuhë universale që krijon hapësirë për reflektim kolektiv. Përmes lëvizjeve, kërcimtarët duket sikur hyjnë, dalin, krijojnë, kërkojnë apo thyejnë kufij, qofshin fizikë apo konceptualë, duke zhvilluar kështu një diskutim joverbal që përfshin gjithë shoqërinë në tërësi.Gentian Doda, koreograf
Shfaqja premierë u dha në Tiranë, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 24 tetor 2022 (e pasuar nga një shfaqje e dytë, një natë më pas). Të dyja shfaqjet mirëpritën qindra persona, përfshirë përfaqësues të Qeverisë, ambasadorë, artistë dhe aktivistë. Një tjetër shfaqje u dha edhe në Janinë, Greqi, duke theksuar nevojën për një plan të përbashkët ruajtjeje ndërmjet dy vendeve fqinje.
Follow us on our social media
Contact
Address:
Heinrich Böll Stiftung, Tirana Office
Mujo Ulqinaku Str. Building No. 23,
Ground Floor
1002 Tirana
Mob.: +355 69 608 3302
E-Mail: info@al.boell.org
https://al.boell.org