Çfarë ndodh kur një koncept i gjerë si “ideologjia gjinore” shndërrohet në një pikëtakimi për të bërë tok aleanca mbarëkombëtare mes aktorëve të fuqishëm politikë, fetarë dhe ekonomikë? Ky artikull përpiqet të hedhë dritë në mënyrën se si lëvizja kundër ideologjisë gjinore, që mund të përkufizohet, në fakt, si një lëvizje kundër të drejtave, po ndikon duke i dhënë formë peizazheve politike e ligjore në mbarë botën, pa përjashtuar edhe Shqipërinë. Duke u mbështetur në literaturën akademike, rastet studimore dhe zhvillimet më të fundit ligjore, ky artikull përpiqet të shpjegojë se frika po përdoret në mënyrë strategjike si një mjet për të minuar vlerat demokratike, normat e të drejtave të njeriut, si dhe për të zhbërë mekanizmat e fituar me mund për mbrojtjen e barazisë gjinore.
Pse kjo retorikë koloniale po përdoret kinse në emër të traditës dhe sovranitetit? Pse thirrjet për autonomi trupore dhe arsim gjithëpërfshirës po etiketohen sot si kërcënime ekzistenciale? Dhe mbi të gjitha, kush përfiton kur politikat kufizuese të shprehjes së identitetit, jetës familjare dhe të të drejtave riprodhuese, miratohen si gjoja nisma për mbrojtjen e “fëmijëve” apo “vlerave kombëtare”?
Duke përdorur Shqipërinë si rast studimor, ky artikull shqyrton se, në vend, ka nisur të shfaqet një diskutim kundër gjinisë, i lidhur ngushtë me rrjete mbarëbotërore, si dhe një mospërputhje mes mbrojtjes ligjore dhe realitetit të përditshëm. Gjithashtu, ai hedh dritë mbi rolin e rezistencës civile në rritje, si atë lokale ashtu edhe ndërkombëtare, e cila po lufton kundër kësaj zhbërjeje të demokracisë. Në përfundim, artikulli fton politikëbërësit, aktivistët dhe profesionistët e ligjit të rishqyrtojnë se çfarë po vihet me të vërtetë në rrezik. Lufta kundër lëvizjes antigjinore nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e të drejtave apo disa komuniteteve të caktuara, por është një angazhim demokratik ndaj dinjitetit njerëzor, autonomisë dhe barazisë. A mund të rrezikojmë ta trajtojmë këtë çështje si të dorës së dytë, kur pasojat e saj janë gjithçka tjetër përveçse të tilla?

I. Nga ideologjia globale te kërcënimet lokale
Në 10-vjeçarin e fundit, një lëvizje e koordinuar dhe e mirëfinancuar ka fituar terren në mbarë botën. Sipas të dhënave dhe hulumtimeve akademike e politike, kjo lëvizje përbën një sfidë të rëndësishme kundër mbrojtjes së të drejtave të njeriut, qeverisjes demokratike dhe barazisë gjinore. Shpesh referuar si “lëvizje antigjinore”, ose, siç unë preferoj ta quaj për qëllimet e këtij artikulli, “lëvizja anti-të drejta”, kjo lëvizje merr vrull nga një gamë e gjerë aktorësh: parti të ekstremit të djathtë, institucione fetare, regjime autoritare dhe think tank konservatore. Këto forca nuk i bën bashkë vetëm ideologjia, por edhe aleancat strategjike dhe mbështetja financiare, shpesh me origjinë nga rrjete me ndikim në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Rusi (Aidsmap, maj 2021). Këta aktorë janë bërë bashkë kundër një “armiku” të përbashkët: konceptit të ashtuquajtur “ideologji gjinore”.
Edhe pse ky term nuk ka një përkufizim të njësuar dhe të pranuar gjerësisht, siç kanë vërejtur edhe studiues të ndryshëm, ai përdoret shpesh për të kundërshtuar apo për t’i bërë rezistencë zhvillimeve në fushat e feminizmit, të drejtave LGBTI+, edukimit seksual gjithëpërfshirës, autonomisë trupore1 dhe shëndetit riprodhues. Studiues si Roman Kuhar dhe David Paternotte e përshkruajnë “ideologjinë gjinore” si një mjet strategjik për të portretizuar një çështje/ide me qëllimin për të ndikuar në perceptimin e publikut. Pra, siç ata e quajnë, është një “zamkë simbolike” që bën bashkë aktorë të ndryshëm politikë e fetarë kundër kërcënimeve të perceptuara ndaj identitetit kombëtar, vlerave familjare apo normave kulturore. Për qëllimet e këtij artikulli, do të përdor këtë koncept, jo si shenjë që e pranoj terminologjinë, por si një mënyrë për të analizuar funksionin që mbart ky koncept brenda debateve më të gjera shoqërore e politike.
Lëvizja antigjinore, siç Kuhar shpjegon më tej, nuk mund të kuptohet thjesht si një kundërpërgjigje spontane, por si një nismë e koordinuar që shtrihet përtej kufijve kombëtare e që mbështetet e funksionon mbi disa narrativa2 dhe strategji të përbashkëta. Kjo lëvizje shpesh portretizon barazinë gjinore, autonominë trupore dhe të drejtat e personave LGBTI+ si kërcënime për familjen tradicionale dhe identitetin kombëtar. Në këtë mënyrë, ajo kërkon të mbjellë shqetësim tek publiku duke bërë thirrje për mbrojtjen e vlerave morale dhe kulturore, teksa vetë pozicionohet si mbrojtëse e normave shoqërore dhe trashëgimisë së përbashkët. Kjo dinamikë ka ngritur shqetësime serioze për pasojat e mundshme mbi parimet demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Judith Butler e quan këtë strategji:
“politika e frikës”, një metodë që është përdorur gjerësisht dhe historikisht nga aktorë të ndryshëm anti-të drejtave për të zëvendësuar të vërtetën me panikun, shkencën me emocionet, si dhe gjithëpërfshirjen me mosbesimin.
Fëmijët përdoren shpesh si një mburojë retorike për të justifikuar censurën, ndërsa një e kaluar e idealizuar si romantike, e imagjinuar si ”e pastër” dhe e kulluar, përdoret si argument kundër progresit në fushën e të drejtave të njeriut. Rezultati nuk është thjesht një kundërpërgjigje negative kulturore, por një zhbërje e llogaritur e të drejtave të njeriut që nxit akoma më shumë urrejtjen dhe iu mbyll gojën më të dobëtëve.
Në vitet e fundit, aktorët antigjinorë dhe anti-të drejta kanë filluar të përdorin edhe gjuhën e shkolonializmit për të përforcuar pozitat e tyre. Në rajone si Evropa Lindore dhe Bota e Jugut3, barazia gjinore, të drejtat LGBTI+, si dhe të drejtat riprodhuese po paraqiten gjithnjë e më shumë si “produkte të Perëndimit”, të papajtueshme me traditat kombëtare. Megjithatë, siç theksojnë studiues të tjerë si McEwen dhe Narayanaswamy, kjo narrativë rrezikon të shtrembërojë realitetet historike. Nuk ishin lëvizjet feministe apo queer ato që paraqitën ndarjen e rreptë gjinore, që kriminalizuan marrëdhëniet me persona të së njëjtit seks, apo që shtrënguan familjen bërthamë si modelin e vetëm legjitim të jetës familjare. Por ishin veçoritë e qeverisjes koloniale, të vendosura me forcë përmes sistemeve ligjore dhe shoqërore që vazhdojnë të jenë normë edhe sot.
Nga ky pikëvështrim, shkolonializëm4 i mirëfilltë do të thotë më shumë se sa arritja e pavarësisë politike. Ajo kërkon gjithashtu edhe rivlerësimin kritik dhe transformimin e normave, zhbërjen e strukturave të trashëguara nga sundimi kolonial: kodet morale kufizuese dhe vetëm dy gjini si normë. Kjo mund të realizohet vetëm përmes instrumenteve si legjislacioni progresiv që bazohet në të drejtat e njeriut. Thirrjet për ruajtjen e “traditës” apo “sovranitetit” janë të rëndësishme në rezistencën kundër hegjemonisë kulturore, megjithatë ato mund të keqpërdoren për të ruajtur kontrollin dhe strukturat e pushtetit të rrënjosura në të shkuarën koloniale. Një qasje e mirëfilltë shkolonialiste, e cila ka në qendër dinjitetin e njeriut dhe barazinë mes njerëzve, në vend që t’i përforcojë këto struktura, i sfidon ato.
Ekspertet e mendimit juridik, si Sandra Fredman dhe Martha Nussbaum, na tregojnë pse kjo qasje është thelbësore. Fredman argumenton se barazia e vërtetë duhet të jetë transformuese. Nuk mjafton të premtohet trajtim i barabartë për të gjithë para ligjit dhe të pritet që ndryshimi të ndodhë vetvetiu. Që të arrihet barazia e vërtetë, duhet të trajtojmë në mënyrë aktive dhe të eliminojmë pengesat që përjashtojnë njerëzit dhe i trajtojnë si të parëndësishëm. Lëvizja antigjinore e refuzon këtë ide duke romantizuar një të kaluar “të pastër” dhe duke paraqitur si të rrezikshëm çdo përparim. Martha Nussbaum na kujton se, në thelb të së drejtës për të jetuar qëndron dinjiteti i njeriut dhe se ky dinjitet varet nga qasja reale në arsim, kujdes shëndetësor, njohje ligjore të identitetit dhe lirinë për të shprehur dhe shfaqur vetveten. Kur këto aspekte mohohen, ajo që vihet në rrezik nuk është thjesht liria personale, por vetë e drejta për të jetuar me dinjitet.
Lëvizja antigjinore nuk përjashton vetëm një grup shoqëror por i prek të gjithë. Retorika dhe veprimet e saj përqendrohen dhe kanë pasur ndikim tek:
- Gratë dhe feministet që luftojnë për barazi gjinore, autonomi trupore dhe qasje në shërbime shëndetësore seksuale e riprodhuese;
- Personat LGBTI+, veçanërisht transgjinorët dhe personat që nuk pranojnë si normë vetëm dy gjini që kërkojnë njohje ligjore dhe qasje të barabartë në shërbime;
- Arsimtarët që përpiqen të ndërtojnë mjedise edukimi të sigurta dhe gjithëpërfshirëse;
- Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe profesionistët e drejtësisë që zbatojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut; si dhe
- Fëmijët e të rinjtë, të cilët përdoren shpesh në diskutime që justifikojnë rritjen e kontrollit, censurës apo kufizimit.
Edhe pse shpesh në shënjestër të aksioneve “antigjini” janë komunitete specifike, ndikimi më i gjerë i retorikës antigjinore, pa dyshim, prek të gjithë shoqërinë. Strategjitë e saj shpesh përqendrohen në izolimin e grupeve të caktuara, por pasojat që prekin dinjitetin, gjithëpërfshirjen dhe parimet demokratike janë të përhapura dhe me pasoja të rënda për të gjithë.
Këto ndikime janë të dukshme në kontekste të ndryshme. Në Hungari, autoritetet refuzuan së fundmi dhënien e lejeve për Paradën e Krenarisë së Budapestit të vitit 2025, duke u justifikuar pas ligjeve për “mbrojtjen e fëmijëve” që ndalojnë shfaqjen e personave LGBTI+ në hapësira publike ku mund të jenë të pranishëm të mitur. Grupime të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, e kundërshtuan këtë vendim në gjykatë duke e konsideruar si shkelje të së drejtës për tu organizuar dhe të lirisë së tubimit dhe shprehjes. Në Rusi, ligji për propagandën homoseksuale i vitit 2013, i ndryshuar në vitin 2022, ka kufizuar ndjeshëm lirinë e shprehjes për personat LGBTI+. Në Shtetet e Bashkuara, vendimi i Gjykatës së Lartë i vitit 2022 i cili rrëzoi çështjen Roe kundër Wade, përbën një regres të gjerë në drejtimin e të drejtave për të pasur qasje në shërbimin e abortit në disa shtete, duke ndikuar rëndë në autonominë e grave dhe qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor riprodhues. Krahas kësaj, shumë shtete kanë miratuar ligje që kufizojnë kujdesin shëndetësor për të miturit që kërkojnë mbështetje në ndryshimin e pamjes së tyre të jashtme në përputhje me identitetin e tyre gjinor dhe ndalojnë diskutimet mbi gjininë dhe seksualitetin në shkolla.
Këto raste nuk janë të izoluara, megjithatë, ato nuk tregojnë një pasqyrë të plotë të ndikimit real që lëvizja antigjinore ka sjellë në dëm të të drejtave të njeriut. Strategjitë për zhvillimin e lëvizjes antigjinore, si dhe përmasat globale të përhapjes së kësaj retorike kërkojnë një analizë më të thelluar dhe të qëndrueshme. Ndërkohë që ky artikull përqendrohet te tiparet e përgjithshme të kësaj lëvizjeje, shembujt e përmendur më sipër theksojnë ndikimin e saj të vërtetë dhe të vazhdueshëm, duke krijuar hapësira të reja për kërkime që përqendrohen në mënyrë më të thelluar mbi pasojat që lëvizja antigjinore ka sjellë mbi të drejtat e njeriut.
Kush e financon lëvizjen anti-të drejta? Ndiq paranë
Në debatin publik, sot po dëgjomë gjithnjë e më shumë akuzat se organizatat e shoqërisë civile dhe grupet që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut keqpërdorin fondet publike ose ndërkombëtare. Siç sugjeron edhe Judith Butler, këto narrativa shpesh lidhen me diçka më të gjerë që quhet “politika e frikës”. Kjo qasje strategjike mund të ushqejë ankthin tek publiku dhe i portretizon aktivistët si forca destabilizuese që veprojnë jashtë mekanizmave demokratike të llogaridhënies. Por çfarë fshihet pas kësaj retorike dhe pse burimet financiare dhe axhendat e lëvizjeve kundër të drejtave rrallë kontrollohen me imtësi? Dhe pse flitet kaq pak rreth burimeve financiare dhe agjendat e lëvizjeve anti-të drejta?
Me sa duket lëvizja antigjinore nuk është një reagim spontan që vjen nga baza, por një rrjet botëror i fuqishëm dhe i mirëfinancuar. Sipas të dhënave, përgjatë periudhës 2013 - 2017, grupet anti-të drejta kanë përfituar një shumë të majme prej 3,7 miliardë dollarë amerikanë, krahasuar me vetëm 1,2 miliardë dollarë të lëvruara për lëvizjet LGBTI+ në nivel botëror, përgjatë së njëjtës periudhë. Vetëm organizatat e së djathtës së krishterë me seli në SHBA kanë përlarë mbi 1 miliard dollarë në nivel botëror, ndërkohë që aktorët antigjinorë të Evropës, përfshirë Fondacionin Jérôme-Lejeune dhe organizatën “Traditë, Familje dhe Pronë”, kanë dhënë gjithashtu një kontribut në këtë drejtim. Përkatësisht në Evropë, janë shpenzuar më shumë se 707 milionë dollarë amerikanë për aktivitetet e lëvizjes antigjinore përgjatë periudhës 2009 - 2018, të cilat janë gjurmuar si fonde të financuara nga organizatat fetare dhe politike amerikane, ruse dhe evropiane, duke shënuar një rritje prej 400 % të shpenzimeve vjetore gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se financimet për nismat e udhëhequra nga komunitetet LGBTI+ vazhdojnë të jenë të pakta. Për periudhën 2017–2018, fondet e dhëna nga qeveritë dhe donatorët për organizatat LGB, trans dhe interseks kanë qenë tejet të ulëta duke mbuluar vetëm rreth 4% të ndihmës financiare gjithsej për barazinë gjinore, ku vetëm 2,7 milionë dollarë ishin për çështjet LGB dhe 1,9 milionë për të drejtat transgjinore. Të dhënat e parashikuara nga Projekti për Filantropinë Botërore tregojnë se mbi 105 milionë dollarë amerikanë fonde qeveritare në mbështetje të aktivizmit LGBTI+ në Botën e Jugut dhe të Lindjes janë aktualisht në rrezik shkurtimi, që nga shkurti i vitit 2025.
Thënë thjesht, lëvizja kundër të drejtave po shpenzon shumëfish më tepër se sa aktivistët që punojnë për barazi, në nivel botëror, dhe po përpiqet në mënyrë aktive që diskutimet publike, legjislacioni e madje edhe strukturat institucionale të marrin formën që ajo do. Përballë kësaj pabarazie, pyetja nuk është më se “kush po e financon shoqërinë civile?”, por si dhe pse kjo lëvizje antigjinore është lejuar të shpenzojë shumëfish më shumë sesa ata që luftojnë për mbrojtjen e demokracisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor?
II. Shqipëria, një rast studimor i “urrejtjes së importuar” dhe i regresit të vlerave demokratike
Shqipëria, mes angazhimeve ligjore dhe lëvizjes antigjinore në forcim e sipër
Shqipëria njihet prej kohësh për kuadrin e saj ligjor progresiv kundër diskriminimit dhe për zotimet e marra në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut. Megjithatë, vitet e fundit, peizazhi kombëtar është bërë gjithnjë e më i polarizuar. Si ata që e promovojnë edhe ata që e kundërshtojnë debatin e lëvizjes antigjinore janë bërë më të dukshëm dhe më të organizuar. Veçanërisht, narrativat dhe propozimet ligjore që më parë nuk cekeshin në diskutimet publike, kanë filluar tashmë të ndikojnë në debate të rëndësishme, e madje edhe në vendimmarrjen politike. Kjo lëvizje nuk është një organizim spontan. Ajo pasqyron ndikimin në rritje të lëvizjeve më të gjera mbarëkombëtare që kundërshtojnë barazinë gjinore, autonominë trupore dhe të drejtat e personave LGBTI+, ndikim ky që po hynë në një kontekstin vendas, i cili karakterizohet nga paqartësi ligjore, brishtësi institucionale dhe tensione kulturore të pazgjidhura.
A është kjo një krizë reale apo e stisur? Dalja në skenë e “Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”
Në ballë të këtij zhvillimi qëndron i ashtuquajturi “Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës”, një bashkim përfaqësuesish fetarë, aktorësh të shoqërisë civile, figurash publike dhe aleatësh politikë. Portretizimi i misionit të tyre si në mbrojtje të vlerave kombëtare kundër një ndikimi të perceptuar që kinse vjen nga jashtë, ky koalicion ka luajtur një rol të rëndësishëm në dhënien formë të diskutimeve publike të kohëve të fundit rreth gjinisë dhe seksualitetit.
Ndër nismat e tyre më të fundit mund të përmendim:
- Përhapja e pretendimeve të diskutueshme gjatë konsultimit publik të projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, në muajin prill 2024;
- Organizimi i tubimit “Manifesti i Jetës” më 24 maj 2024, ku u promovuan publikisht teori konspirative mbi aktivizmin LGBTI+, si p.sh., pretendimi i pabazuar se aktivistët “iu injektojnë hormone fëmijëve”;
- Qarkullimi i peticioneve që akuzojnë familjet e personave të të njëjtit seks se përbëjnë një kërcënim për “fëmijët shqiptarë, pasi supozojnë se kërkojnë të indoktrinojnë një qasje neutrale ndaj gjinisë (de-gender)”;
- Depozitimi i një kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë Tiranë (më 30 maj 2024) pasi kishte shprehur mbështetjen e tij për kurorëzimin simbolik të dashurisë lezbike, në hapësirat e bashkisë.
Në një tubim të madh publik të mbajtur më 24 maj 2024, organizata si Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë dhe Unioni Shqiptar i Teologëve, i etiketuan të drejtat LGBTI+ si të papajtueshme me vlerat e familjes shqiptare, identitetin fetar dhe sovranitetin kombëtar. Veçanërisht shqetësues ishte fakti që të dhënat personale të aktivistëve të caktuar, përfshirë emrin, pagën dhe adresën, u bënë publike, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë, privatësinë dhe të drejtën për tubim paqësor.
Kur ligji shërben si mjet për lustrimin e diskriminimit
Lëvizja antigjinore nuk është ndalur vetëm te protestat, por ka nisur të ndikojë edhe në kuadrin ligjor. Në janar 2025, disa deputetë të Partisë Demokratike propozuan ndryshime në Ligjin për gjendjen civile, të cilat do të përkufizonin gjininë si “të barabartë me seksin e caktuar në lindje dhe biologjikisht të pandryshueshme.” Një përkufizim i tillë do ta bënte njohjen ligjore të gjinisë për personat transgjinorë dhe interseks jo vetëm të pamundur, por edhe të paligjshme. Ky propozim kopjonte një urdhër ekzekutiv të presidentit Trump të janarit 2025 (Urdhri ekzekutiv 14168), i cili shpalli se seksi është vetëm i dyllojshëm dhe caktohet në momentin e ngjizjes së fëmijës, duke përjashtuar identitetin gjinor nga të gjitha politikat federale.
Nëse do të miratohej, propozimi i ri për ndryshimin e Ligjit për gjendjen civile”:
- Do të shkelte garancitë kushtetuese (nenet 5, 17 dhe 122);
- Do të cenonte standardet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (si p.sh., rasti Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar);
- Do të rrezikonte objektivat e anëtarësimit në BE, sidomos ato që lidhen me Kapitujt 23 dhe 24;
- Do të vendoste në rrezik fëmijët interseksualë5 duke përforcuar një qasje të dëmshme mjekësore ndaj interseksualitetit.
Ndërkohë, në prill 2024, Ministria e Shëndetësisë paraqiti për konsultim publik projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues.” Ky projektligj synon të kufizojë qasjen në të drejtat riprodhuese për gratë dhe personat LGBTI+, duke:
- Hequr “arsyet sociale” si justifikim për ndërprerjen e shtatzënisë pas javës së 14-të;
- Dhënë një përkufizim të cekët dhe të paqartë për riprodhimin mjekësor të asistuar nëpërmjet një nëne surrogate (zëvendësuese), pa parashikuar garancitë e nevojshme ligjore për personat e përfshirë në këtë proces;
- Kufizuar riprodhimin mjekësor të asistuar vetëm për çiftet heteroseksuale dhe gratë beqare, duke përjashtuar nga kjo e drejtë çiftet e të njëjtit seks dhe burrat beqarë.
Ndonëse këto ndryshime paraqiten si ndryshime neutrale apo tradicionale në ligj, këto masa do të përforconin përjashtimin dhe kontrollin ndaj autonomisë trupore të gruas dhe zgjedhjet në sferën e jetës private dhe familjare.
III. Të bësh rezistencë kur mungojnë mekanizmat për mbrojtjen ligjore ndaj nismave antigjinore në Shqipëri
Përballë kësaj armiqësie në rritje, aktivistët shqiptarë nuk kanë qëndruar duarkryq. Kanë ngritur aleanca të forta me lëvizjet për të drejtat e njeriut, duke bashkëpunuar me organizata që punojnë në fushën e të drejtave të grave, aktivistë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, grupe për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe rrjete më të gjera për të drejtat e njeriut dhe feminizmin. Këto aleanca kanë ndihmuar në ndërtimin e rezistencës dhe hartimin e strategjive të përbashkëta, duke krijuar një front kundër përjashtimit dhe urrejtjes së nxitur nga lëvizja antigjinore.
Kjo betejë nuk ka mbetur vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Aktivistët i kanë çuar përpjekjet e tyre në një nivel ndërkombëtar, duke u përpjekur që:
- Këto shqetësime të shkojnë para institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) dhe ambasadave të vendeve partnere kyçe;
- Raportet e ashtuquajtura “raporte paralele” të paraqiten pranë organeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) që monitorojnë të drejtat e njeriut, si: Komiteti për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (CESCR), si dhe Rishikimi Periodik Universal (UPR)- një proces ku rishikohet respektimi dhe realizimi i të drejtave të njeriut për çdo shtet anëtar të OKB-së;
- Të marrin pjesë në konsultime për raportet që përgatiten nga Komisioni Evropian për çështje si demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore;
- Të bashkëpunojnë me organe monitoruese si: Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), dhe Grupi i Ekspertëve për Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO);
- Të bashkëpunojnë ngushtë me Njësinë e Këshillit të Evropës që merret me çështjet e Orientimit Seksual, Identitetin dhe Shprehjen Gjinore, si dhe Karakteristikat Gjinore (SOGI), e cila fokusohet në mbrojtjen e të drejtave të personave pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Nëpërmjet këtij angazhimi të shumanshëm, aktivistët jo vetëm që kanë ekspozuar regresin demokratik në Shqipëri, por vendosin theksin tek fakti se lëvizja antigjinore është pjesë e një përpjekjeje shumë më të gjerë dhe të koordinuar që minon të drejtat e njeriut në të gjithë rajonin, ku Shqipëria nuk është as rast i izoluar e as përjashtim.
Mbrojtje ligjore në teori, por jo në praktikë
Në letër, Shqipëria ka një kuadër të kompletuar ligjor kundër diskriminimit. Megjithatë, realiteti i përditshëm tregon një tjetër histori:
- Çiftet e personave të njëjtit seks vazhdojnë të mos njihen ligjërisht;
- Ende nuk ekziston një proces ligjor për njohjen e gjinisë;
- Krimet e urrejtjes të bazuara në orientimin seksual, identitetin gjinor, shprehjen apo karakteristikat e seksit nuk trajtohen në mënyrën e duhur në Kodin Penal.
Megjithë mangësitë e kuadrit ligjor dhe ato të zbatimit, aktivistët kanë vënë në përdorim mjetet ligjore në dispozicion. Kanë bërë përpjekje për nisjen e proceseve gjyqësore strategjike6 para gjykatave kombëtare për të kërkuar njohje ligjore të çifteve mes personave të të njëjtit seks dhe si dhe njohjen ligjore të identiteteve transgjinore. Ankesa të shumta janë paraqitur pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe në Prokurori, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, përjashtimin nga shërbimet dhe trajtimin diskriminues për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
E megjithatë, sistemi reagon rrallëherë. Neni 265 i Kodit Penal kriminalizon “nxitjen e urrejtjes dhe grindjeve”, por në praktikë është treguar i pafuqishëm. Shtatë ankesa zyrtare janë paraqitur mbi bazën e këtij neni që nga viti 2023, por në asnjë rast nuk është kryer një hetim efektiv apo ndjekje penale ndaj autorëve. Prokurorët duket se ngurojnë të veprojnë, kjo ndoshta për shkak të dënimit minimal prej dy vitesh të parashikuar nga ky neni.
Po ashtu, nga tetë ankesa të paraqitura para Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi përgjatë periudhës 2023 - 2025, vetëm tre përfunduan me konstatimin e diskriminimit apo gjuhës së urrejtjes. Rastet e tjera nuk u pranuan, shpesh me arsyetimin e “lirisë së shprehjes”, edhe kur rasti në fjalë shënjestronte haptazi personat për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Kjo mungesë llogaridhënieje e institucioneve ka pasoja të vërteta. Ajo i dërgon një sinjal autorëve të këtyre veprave penale se gjuha e urrejtjes është e tolerueshme. Por nga ana tjetër, viktimat mbeten pa asnjë mjet mbrojtjeje efektive dhe krijon një klimë ku frika dhe përjashtimi lejohen të përhapen pa u ndëshkuar.
IV. Rreziku i vërtetë i kompromisit
Ajo që po ndodh në Shqipëri me forcimin e lëvizjes antigjinore nuk është thjesht një mospërputhje kulturore, por një përpjekje e koordinuar për të zhbërë standardet e të drejtave të njeriut dhe për të rindërtuar institucionet në mënyra që përjashtojnë akoma edhe më shumë personat nga shtresat më të dobëta e më të paprivilegjuar e shoqërisë. Aktorët e lëvizjes antigjinore nuk përhapin vetëm narrativa përjashtuese, por përpiqen të ndikojnë në mënyrë strategjike në legjislacion, politika publike dhe në perceptimin shoqëror.
Përballë kësaj qasjeje, shoqëria civile vazhdon të rezistojë duke ngritur zërin, duke paraqitur padi strategjike, duke krijuar aleanca dhe duke pajtuar angazhimin ndërkombëtar. Por prapëseprapë, pa reforma konkrete ligjore, llogaridhënie institucionale dhe mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare, kjo rezistencë rrezikon të mbetet e pafuqishme .
Sikurse Sandra Fredman na kujton, që të arrihet barazia e vërtetë duhet më shumë se sa mbrojtje formale. Duhen zhbërë të gjitha pengesat strukturore që përjashtojnë, lënë në heshtje dhe rrezikojnë. Ky nuk është një ideal akademik, por një detyrim moral dhe politik, që sot në Shqipëri, sikurse kudo tjetër, është një nevojë urgjente.
Lufta kundër ideologjisë antigjinore nuk është vetëm një betejë e disa grupimeve individësh për disa të drejta të caktuara, por një betejë për të mbrojtur besimin themelor se çdo njeri meriton të jetojë me dinjitet, autonomi dhe siguri. Është një përpjekje për të siguruar që e ardhmja jonë të mos ndikohet nga frika dhe shtypja, por nga guximi, përfshirja dhe drejtësia. Në realitetin e sotëm, kjo e ardhme mund të bëhet realitet vetëm nëse jemi të gatshëm ta kërkojmë me ngulm, me vendosmëri dhe pa kompromise.
! Shënim: Mendimet e shprehura në këtë punim janë të autorit/es dhe nuk duhet të kuptohen si qëndrime zyrtare të hbs Tirana. Autori/ja është veçmas përgjegjës/e për saktësinë apo integritetin e këtij artikulli, si dhe për respektimin e të drejtave të autorit që lidhen me përdorimin e tekstit, grafikëve, fotografive, apo të materialeve audio.
Footnotes
- 1
Autonomia trupore nënkupton të drejtën e çdo njeriu për të marrë vetë vendimet në lidhje me trupin, jetën dhe të ardhmen e vet.
- 2
Në shkencat sociale, “narrativa” i referohet rrëfimit të strukturuar të ngjarjeve, përvojave apo identiteteve që njerëzit përdorin për të kuptuar botën. Këto narrativa mund të jenë individuale (rrëfime të jetës personale), kolektive (mite kombëtare ose kulturore), ose institucionale (diskutime ligjore apo politike).
- 3
Nuk ekziston një term i gjithëpranuar, por këtu “Bota e Jugut” dhe “Bota e Veriut” janë terma që tregojnë një metodë të grupimit të vendeve bazuar në karakteristikat e tyre përcaktuese në lidhje me zhvillimin ekonomik, social e politik. Më konkretisht, “Bota e Jugut” janë vendet me ekonomi në zhvillim dhe vendet me ekonomi më pak të zhvilluar, ndërsa “Bota e Veriut” janë përgjithësisht vendet më të pasura dhe të industrializuara. Për të lexuar më tej rreth kësaj ndarjeje mund t’i referoheni Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).
- 4
Shkolonializëm mund të kuptohet si një proces ose qasje që synon të zhdukë çdo gjurmë të kolonializmit në kulturë, arsim dhe shoqëri.
- 5
Person interseksual konsiderohet një individ që lind me karakteristika seksuale (si anatomia seksuale, organet riprodhuese, modelet hormonale dhe/ose modelet kromozomale) që nuk përputhen me nocionet tipike të ndarjes në dy lloje të trupave mashkullorë ose femërorë. Ekspertët vlerësojnë se deri në 1,7 për qind e popullsisë lindin me tipare interseksuale. Personat interseksualë mund të kenë cilindo identitet gjinor ose orientim seksual.
- 6
Proces gjyqësor strategjik, shpesh i referuar si proces gjyqësor me ndikim, nënkupton përzgjedhjen e një çështjeje dhe përgatitjen e saj për gjykim me qëllim për të sjellë ndryshime më të gjera në shoqëri. Njerëzit që nisin një proces gjyqësor strategjik duan ta përdorin ligjin për të lënë një gjurmë dhe jo thjesht të fitojnë çështjen në fjalë. Kjo do të thotë që çështjet e një procesi gjyqësor strategjik marrin parasysh jo vetëm rezultatin përfundimtar të çështjes në gjykatë, por edhe ndikim më të gjerë që do të ketë në publik apo qeveri.