Shqyrtimi i nevojës për komunitetet e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe realizueshmëria e tyre

Artikull

Komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) janë shfaqur si mekanizma inovativë që fuqizojnë qytetarët, bashkitë dhe bizneset për të prodhuar, ndarë dhe konsumuar energji. Ndonëse BE-ja ka një kuadër të fortë rregullator për KER-et, Shqipëria mbetet në fazat e hershme. Megjithatë, me mbështetjen e duhur politike dhe angazhimin e aktorëve të interesit, KER-et kanë potencialin të nxisin decentralizimin e energjisë, të forcojnë sigurinë energjetike dhe të promovojnë zhvillimin ekonomik në nivel lokal.

Solar panels of Piskova Solar Farming

1. Hyrje

Në Evropë, komunitetet e energjisë së rinovueshme (KER) janë shfaqur si mekanizma inovativë që fuqizojnë qytetarët, bashkitë dhe bizneset për të prodhuar, ndarë dhe konsumuar energji. Ndonëse Bashkimi Evropian (BE) ka një kuadër të fortë rregullator për KER-et, Shqipëria mbetet në fazat e hershme, për shkak të boshllëqeve rregullatore, sfidave financiare dhe pengesave socio-ekonomike. Megjithatë, me mbështetjen e duhur politike dhe angazhimin e aktorëve të interesuar, KER-et kanë potencialin të nxisin decentralizimin e energjisë, të forcojnë sigurinë energjetike dhe të promovojnë zhvillimin ekonomik në nivel lokal. Ky artikull shqyrton potencialin e KER-ve në Shqipëri duke trajtuar çështje kryesore rregullatore, financiare dhe sociale, si dhe identifikon hapat e nevojshëm për ta çliruar plotësisht këtë potencial.

2. Koncepti i KER-eve në kontekstin e një tranzicioni të drejtë

KER-et janë iniciativa të nisura dhe të drejtuara nga vetë komuniteti, të cilat iu japin mundësi aktorëve lokalë, qytetarëve, bizneseve të vogla, kooperativave dhe bashkive të prodhojnë, konsumojnë, ruajnë dhe tregtojnë bashkërisht energjinë e rinovueshme.

Sistemi energjetik i Shqipërisë është aktualisht i centralizuar dhe i varur nga hidro-energjia, duke e bërë atë të cenueshëm ndaj luhatjeve sezonale dhe, për pasojë lind nevoja për importe energjetike, sidomos gjatë verës. Kjo varësi kontribuon në degradimin mjedisor, veçanërisht të lumenjve, si dhe i ngarkon me barrë financiare institucionet publike të energjisë. KER-et mund të ndihmojnë në aspektin e decentralizimit të sistemit energjetik, në uljen e varësisë nga burimet hidrike, si dhe në përmirësimin e qasjes në energji në zonat rurale.

Ndonëse Qeveria shqiptare ka organizuar disa ankande për parqe diellore në vitet e fundit, siç është rasti i Karavastasë, Spitallës dhe Akërnisë, këto mundësi janë kryesisht të arritshme për korporatat e mëdha. Andaj, përfshirja e projekteve të komuniteteve të energjisë do ta bënte këtë proces më gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se investimet në energjinë e rinovueshme duhet të jenë në përputhje me parimet e politikës mjedisore, duke shmangur konfliktet për përdorimin e tokës ose ndërtimet në zonat e mbrojtura. Krijimi i KER-eve sjell jo vetëm dobi mjedisore, por ato mund të nxisin zhvillimin social dhe ekonomik falë vendeve të punës që krijohen, mund të rritin përfshirjen e komuniteteve, si dhe të trajtojnë varfërinë energjetike. Projekte të suksesshme KER-eve në BE lidhen me aktivitete rurale si agrobiznesi dhe vaditja, duke dëshmuar një potencial edhe për komunitetet rurale të Shqipërisë.

3. KER-et në Shqipëri: kuadri ligjor dhe sfidat

Kuadri ligjor shqiptar lejon krijimin e KER-ve, sipas Ligjit nr. 24/2023 “Për nxitjen dhe përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme”, i cili transpozon Direktivën e BE-së 2018/2001. Sipas këtij ligji, KER-et duhet të funksionojnë me një model qeverisjeje të hapur dhe demokratike, që mundëson pjesëmarrjen e qytetarëve, OJQ-ve, bizneseve të vogla dhe autoriteteve lokale. Anëtarët mund të bashkëfinancojnë, ndajnë dhe konsumojnë energjinë e prodhuar brenda një rrjeti komunitar.

Megjithatë, zbatimi në praktikë vijon të jetë i bllokuar për disa arsye. Së pari mungesa e akteve nënligjore, ka bërë që procedurat operative, stimujt dhe përgjegjësitë institucionale të mbeten të papërcaktuara. Mungesa e këtyre rregullimeve krijon jo vetëm pasiguri, por edhe dekurajon investimet dhe pengon nismat e drejtuara nga vetë komunitetet. Së dyti, mungesa e kapaciteteve institucionale për të zbatuar objektivat energjetike dhe klimatike përbën një tjetër pengesë për zhvillimin e KER-ve.

4. Financimi i KER-ve në Shqipëri

Mekanizmat financiarë ekzistues për projektet e energjisë së rinovueshme në Shqipëri përfshijnë mbështetjen qeveritare, nismat bashkiake dhe financimin nga sektori privat. Në nivel qeverie qendrore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ofron aktualisht një skemë subvencionimi për panelet diellore termike, por nuk ka mbështetje të dedikuar për projektet e energjisë që nisen nga komuniteti. Andaj, zgjerimi i këtyre skemave, duke përfshirë komunitetet e energjisë së rinovueshme, do të ishte një hap vendimtar për nxitjen e prodhimit të energjisë në nivel lokal.

Në nivel bashkiak, ekzistojnë instrumente të mbështetjes financiare, siç është Fondi i Komunitetit i Bashkisë Tiranë. Ndonëse i konceptuar për një gamë të gjerë çështjesh, ky instrument mund të shërbejë si model për mbështetjen financiare lokale të KER-eve. Gjithashtu, disa banka tregtare ofrojnë kredi të gjelbra për instalimin e paneleve diellore. Megjithatë, qasja në këto instrumente mbetet e kufizuar për shkak të procedurave komplekse të aplikimit dhe mungesës së informimit, gjë që e bën të vështirë për komunitetet të sigurojnë fondet e nevojshme. Forcimi i këtyre mekanizmave dhe prezantimi i instrumenteve të dedikuara financiare do të jenë thelbësore për mbështetjen e rritjes së KER-ve në Shqipëri.

5. Ndikimi socio-ekonomik i KER-ve në Shqipëri

Përtej pengesave financiare dhe rregullatore, Shqipëria has edhe sfida sociale dhe kulturore për zbatimin e KER-ve. Besimi i ulët në nismat kolektive, pjesërisht për shkak të trashëgimisë komuniste, e bën bashkëpunimin brenda komuniteteve më të vështirë. Shpopullimi në zonat rurale, si pasojë e lëvizjes drejt qyteteve dhe emigrimit të popullatës, nga ana tjetër, krijojnë pengesa shtesë për ngritjen e projekteve afatgjata të drejtuara nga vetë komuniteti.

Megjithatë, nisma pilot të drejtuara nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC) janë shpresëdhënëse. Një rast i tillë është projekti “Energji Diellore në Kutë”, ku disa organizata mbështetën komunitetin vendas në Kutë për të instaluar panele fotovoltaike në çatitë e ndërtesave me qëllim përfitimin e energjisë dhe përdorimin e saj për pompimin e ujit për vaditje. Nisma të tilla theksojnë nevojën për ndërmjetësues socialë, si OSHC-të, kooperativat dhe njësitë e qeverisjes vendore, si hallkë për të lehtësuar angazhimin e komunitetit dhe për të kapërcyer rezistencën kulturore.

6. Sfidat e ardhshme: çlirimi i potencialit të KER-ve në Shqipëri

Për të arritur potencialin e komuniteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëria, duhet të ndërmarrë disa hapa kyç. Së pari, duhet të plotësohet legjislacioni i nevojshëm dytësor, për të ofruar qartësi rregullatore dhe për të siguruar zbatimin e plotë të dispozitave ekzistuese për KER-et. Së dyti, duhet të zgjerohen, në të njëjtën kohë, mekanizmat e mbështetjes financiare, si skemat e subvencioneve të synuara dhe kreditë me interes të ulët. Këto mekanizma janë të nevojshëm për t’i bërë projektet e energjisë të drejtuara nga komuniteti më të realizueshme. Së treti, po aq i rëndësishëm, është angazhimi aktiv i aktorëve lokalë, përfshirë bashkitë, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset, për të rritur ndërgjegjësimin dhe inkurajuar pjesëmarrjen. Së katërti, është thelbësore të forcohen kapacitetet institucionale, për të siguruar që agjencitë kryesore si Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) të mund të mbështesin në mënyrë efektive zhvillimin e KER-ve. Së fundmi, pilotimi i projekteve KER në zonat rurale, veçanërisht për sistemet bujqësore dhe të vaditjes, do të udhëhiqnin rrugën si dëshmi të vlefshme e të realizueshme dhe me përfitime afatgjata. Duke ndërmarrë këto hapa, Shqipëria mund të ndërtojë një sistem energjetik më të decentralizuar, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që forcon sigurinë energjetike dhe kontribuon në një tranzicion të drejtë.