“SHOTA” dhe përpjekja feministe

“Shota” është një revistë progresive dhe e ndërthurur, e cila botohet dy herë në vit online. Ajo është sjellë në jetë në fillim të vitit 2021 nga aktivistet feministe Gresa Hasa dhe Liri Kuçi.

SHOTA

Kjo revistë shërben si një hapësirë e sigurtë ku çështje të një rëndësie sociale dhe politike dekonstruktohen nga një perspektivë feministe. Revista përfshin zëra nga një diapazon i gjerë shoqëror, kryesisht gratë e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane; gratë LGBTQ+, studiueset feministe ose gra punëtore e të papuna, secila duke e pasuruar botën e larmishme të revistës dhe kësisoj duke ofruar një kontribut në diskutimet publike që “Shota” nxit.

Në kontekste patriarkale si ky në Shqipëri, hapësira publike është rëndom e monopolizuar nga burrat, që flasin dhe marrin vendime në emër të të gjithë shoqërisë, përfshirë gratë. Ndër të tjera, historikisht, pjesa dërrmuese e botimeve dhe revistave, që pretendonin të flisnin për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave mund të konsiderohen gjithçka veç feministe. Ato ose vinin si pasojë e propagandës gjinore nga lart-poshtë gjatë 45-viteve të diktaturës staliniste të Enver Hoxhës ose më vonë, përgjatë viteve ‘90, në përmbajtje, revistat e reja përpiqeshin të imitonin revistat perëndimore të modës, jo më pak problematike dhe patriarkale në diskursin e tyre.

“Shota” ka depërtuar në këtë realitet dhe po përpiqet ta ndryshojë atë hap pas hapi. Revista është konceptuar në mënyrë tematike ku çdo numër përmban një temë ombrellë, e cila më pas çmontohet përmes pesë kategorive specifike:

1) Çati”, që në vetvete është e ndarë në këto nënkategori:

  1. “Analizë Teorike”
  2. “Fjalorth”
  3. “Përkthime”

Kjo kategroi e revistës përpiqet të ofrojë në gjuhën shqipe një lexim dhe analizë feministe torike të realitetit nga studiues/e, kërkues/e shkencor/e, profesorë/esha dhe akademikë/e. Njëkohësisht, ajo ofron edhe një fjalorth në shqip ku fjalëve kyçe, që kanë të bëjnë me gjininë dhe seksualitetin u jepet një shpjegim feminist, me qëllimin për ta pasuruar më tej kuptimin tonë për veten dhe botën përreth. Por, gjithashtu, edhe për ta zgjeruar komunikimin tonë duke ofruar instrumentet e duhura për të identifikuar veten, nevojat dhe dëshirat tona.
Nga ana tjetër, tekstet e përkthyer shërbejnë si një informacion mbështetës ndaj këtyre dy nënkategorive, ku autore të njohura feministe sillen në vëmendje me qëllimin për të zgjeruar njohurinë e lexues/eve ndaj autoreve feministe dhe teorive feministe.

2) Përsiatje” është një tjetër kategori e ndarë nën katër nënkategori përkatëse:

  1. “Opinione”
  2. “Reportazhe”
  3. “Pikëtakime”
  4. “Gjyzlykët feministë”

“Përsiatje” ofron opinione nga aktiviste/ët feministe/ë, LGBTQ+, Rom /e dhe Egjiptianë/e; qytetare/ë të angazhuara/ë etj. mbi çështje sociale, politike dhe kulturore. Ndërkohë, nënkategoria “Reportazhe” synon investigime gazetareske në fushën e gjinisë dhe seksualitetit por gjithashtu, në të paraqiten investigime të çështjeve të tjera nga një këndvështrim feminist.

Në anën tjetër, “Pikëtakime” është një hapësirë dedikuar komunikimit të ndërsjelltë dhe intervistave me zëra të ndryshëm, që ndihmojnë në trajtimin e çështjeve të mbuluara në temën ombrellë të revistës, për çdo numër. Së fundmi por jo për nga rëndësia, “Gjyzlykët Feministë” ofrojnë një vështrim feminist në çështje të aktualitetit. Kjo nënkategori është në zhvillim e sipër ku mëtohet që prodhime artistike vizuale si filmat, ekspozitat etj. por gjithashtu shfaqjet televizive dhe në përgjithësi përmbajtjae  emisioneve televizive, të kqyren dhe kritikohen nga një perspektivë femërore.

“Gjurmë” është një kategori dedikuar jetës dhe veprës të të gjitha atyre grave, që kanë kontribuar në historinë e Shqipërisë, qofshin ato artiste, intelektuale, punëtore, partizane etj. Çdo histori sillet në sipërfaqe përmes punës së përkushtuar kërkimore në arkivin shtetëror dhe në bashkëpunim me kërkuese/it shkencore/ë dhe akademike/ët e fushave të ndryshme të studimit.

“Krijimtari” është një kategori dedikuar letërsisë feministe: poezisë dhe prozës së shkruar nga gra, burra dhe individë me gjini jo-normative, disa të njohur/a, të tjerë/a të panjohur/a për krijimet e tyre letrare; disa shkrimtare/ë dhe poete/ë, të tjera/ë ende duke eksperimentuar në këtë fushë. “Shota” e konsideron artin dhe letërsinë si një tjetër mënyrë për t’u shprehur. Ndaj, që prej fillimit, kishte për qëllim ta ofronte një hapësirë të tillë për të gjithë/a ata/o, që vetveten e shprehin më mirë përmes rimës dhe vargjeve poetike.

“Beyond Borders” (“Përtej Kufijeve”) është e vetmja kategori në anglisht e revistës “Shota”, që ka si qëllim thyerjen e mureve nacionalistë dhe ndërtimin e urave me aktivistet feministe në rajon dhe përtej. Ideja është të pasurit e një shkëmbimi të vazhdueshëm me të tjera/ët që përpiqen njëlloj për të njëjtën kauzë dhe për të gjetur mënyra për të qenë në solidaritet së bashku.

Çdo numër i botuar online ndiqet gjithashtu nga diskutime publike ndëraktive dhe punë me mobilizim nga poshtë, veçanërisht me studente/ët e universiteteve, me qëllimin për të sjellë më shumë të rinj në moshë madhore pranë punës dhe përpjekjes sonë shoqërore. Pavarësisht të qenit vetëm një vjeç, “Shota” po punon gjatë gjithë kohës për t’u rritur edhe në version fizik, që asisoj të jetë më lehtësisht e qasshme dhe të shpërndahet në biblioteka të ndryshme publike në vend. Feminizmi i “Shotës” përpiqet të rrokë 99% të grave në vend, nga periferia drejt qendrës.