Feminizmi dhe të drejtat e LGBTIQ+ përfshijnë diskutime komplekse që në vetvete janë pothuajse aq të ndryshme sa edhe lëvizjet që ato përfaqësojnë. Gratë dhe personat queer shpesh diskriminohen, margjinalizohen, sulmohen dhe lëndohen thjesht sepse nuk përputhen me konceptet konvencionale dhe hegjemoniste të gjinisë. Kthimi në drejtësinë sociale bashkon betejat feministe dhe queer. Për ne në Fondacionin Heinrich Böll, vënia vazhdimisht në pyetje e strukturave të pushtetit patriarkal është një shqetësim qendror dhe nga këtu vazhdon lufta jonë e përbashkët.
Gjatë dekadave të fundit, të drejtat e njeriut të personave LGBTIQ+ kanë avancuar dhe përparuar në disa pjesë të botës, dhe kryesisht në formën e egalitarizmit ligjor. Në të njëjtën kohë, këto të drejta janë hequr ose kërcënuar nga politikat e forta të ekstremit të djathtë në pjesë të ndryshme të botës.
Një vëzhgm i statistikave ndihmon për të kuptuar dimensionet e shumta e të shtresëzuara të shtypjes së njerëzve LGBTIQ+. Në dekadat e fundi, mbi 30 shtete dhe territore në botë kanë miratuar ligje kombëtare që lejojnë personat LGBTIQ+ të martohen. Nga ana tjetër, zgjerimi i të drejtave LGBTIQ+ në mbarë globin nuk ka qenë i barabartë, në varësi të intensitetit dhe zhvillimit të shpejtë të lëvizjeve anti-LGBTIQ+ dhe lëvizjeve kundër barzisë gjinore. Në dhjetor 2020, ILGA - World publikoi një hartë botërore mbi situatën ligjore në lidhje me orientimin seksual, e cila tregon se aktet seksuale mes personave të të njëjtit seks ndiqen penalisht në rreth një të tretën e të gjitha shteteve të OKB-së.
Homoseksualiteti dënohet me vdekje në shtatë shtete. Në vende si Irani, Kameruni dhe Uganda (dhe shumë të tjerë), personat LGBTIQ+ po arrestohen ose ndalohen (ose përballen me pasoja edhe më të këqija) bazuar në orientimin e tyre seksual aktual ose të perceptuar dhe identitetin gjinor. Pavarësisht nga vendi dhe i ashtuquajturi "status i tij i zhvillimit", shkeljet ekstreme të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e jetës së njerëzve LGBTIQ+ po ndodhin ende pothuajse në çdo cep të botës. Përfshirë këtu "zonat e lira LGBTIQ+" në Poloni, zgjedhjet e politikanëve anti-LGBTIQ+ (si Donald Trump), apo ngritja e partive të krahut të djathtë me politika familjare konservatore (si AfD në Gjermani). Këta shembuj dëshmojnë se edhe demokracitë perëndimore nuk janë demokraci gjinore dhe nuk janë imune ndaj politikave homofobike dhe mizogjene.
Mbrojtësit dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë një ndjesi progresi, por ende nuk ka vend për festë. Është e qartë se aktivistët, organizatat dhe individët e të drejtave të njeriut kanë një detyrë të vështirë mbi ta - të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të të drejtave (themelore) të njeriut, por gjithashtu të vazhdojnë të avokojnë për mbrojtjen e personave LGBTIQ+ dhe zbatimin e ligjeve antidiskriminuese.
Pse të drejtat e LGBTIQ+ janë të drejta të njeriut?
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, si një dokument historik, tashmë mbron të drejtat e personave LGBTIQ+ dhe bën të qartë faktin se nuk po flasim për të drejta të reja apo ekskluzive për një grup të caktuar individësh. Të drejtat e njeriut dhe demokracia janë vazhdimisht nën kërcënimin e pabarazive strukturore në të gjithë botën. Politika duhet të jetë po aq e larmishme sa shoqëria. Praktikat e ndryshme të shtypjes së njerëzve joheteronormativë kanë efekte të shumta negative, gjë që thellon jo vetëm pabarazinë, por edhe armiqësinë mes njerëzve që jetojnë në të njëjtin vend.
Përkrahja e njerëzve LGBTIQ+, mbrojtja e tyre nga dhuna dhe diskriminimi strukturor nuk përfshin krijimin e grupeve të reja të të drejtave të njeriut, ligjeve apo standardeve – ne tashmë i kemi ato! Megjithatë, shtypja sistematike, diskriminimi strukturor, përjashtimi, stigmatizimi dhe dhuna kundër njerëzve LGBTIQ+ konsiderohen në disa shoqëri si një gjë e zakonshme - pasi këto praktika diskriminuese shpesh janë të rrënjosura thellë në të ashtuquajturat vlera dhe kulturë tradicionale dhe janë përfshirë me zgjuarsi në ligjet kombëtare.
Çlirimi qëndron në të kuptuarit se atributi thelbësor i të drejtave të njeriut lidhet vetëm me një virtyt të thjeshtë: të qenit njeri. Ato nuk kufizohen nga asnjë karakteristikë dalluese mes nesh - si raca, kombësia, gjinia, orientimi seksual, paaftësia, statusi social ose ndonjë atribut tjetër.
Pse aktivizmi LGBTIQ+ është pjesë e feminizmit?
Edhe pse çështjet feministe dhe LGBTIQ+ janë pothuajse po aq të ndryshme sa edhe vetë komunitetet, të dyja lëvizjet ndajnë dëshirën për një botë pa shtypje dhe pjesëmarrje të barabartë. Njerëzit që janë të angazhuar në lëvizje feministe dhe janë pjesë e komuniteteve LGBTIQ+, diskriminohen, margjinalizohen dhe shpesh sulmohen dhe dhunohen, thjesht për shkak të mospërputhjes së tyre me konceptet konvencionale dhe hegjemoniste të gjinisë. Rikthimi i fokusit te drejtësia sociale, bashkon betejat feministe dhe queer. Forma të ndryshme të (pa) drejtësisë, qofshin ato riprodhuese, ekonomike, aksesi në kujdesin shëndetësor, etj., prekin kryesisht gratë dhe personat LGBTIQ+ (queer). Të dy grupet përfshijnë njerëz që janë më të cenueshëm dhe të ekspozuar ndaj dhunës patriarkale dhe strukturore. Kjo është e dukshme në shumë vende dhe në kontekste të ndryshme.
Siç tha OluTimehin Kukoyi, një shkrimtare, eseiste dhe intelektuale nigeriane në një nga intervistat e saj: “Ti nuk shton të qënit zezake faktit që je queer ose femër. Por përvoja jote rindërtohet nga të tjerët në një lloj shtypjeje krejtësisht të ndryshme.”
Kjo është ajo ku ne prezantojmë konceptin e diskriminimit të shumëfishtë (intersectionality), termi i krijuar për herë të parë në 1989 nga avokatia amerikane e të drejtave civile dhe studiuese kryesore e teorisë kritike të racës, Kimberlé Williams Crenshaw. Çfarë do të thotë? Çfarë përbën? Koncepti i diskriminimit të shumëfishtë (intersectionality) është shfaqur si një metodë domethënëse për të kuptuar nivelet komplekse të diskriminimit dhe përjashtimit të shumëllojshëm që mund të përjetojnë anëtarë të një shoqërie që kanë identitete racore, gjinore ose seksuale komplekse – të gjitha për të kuptuar kompleksitetin e paragjykimeve dhe stigmatizimieve me të cilat përballen feministët dhe njerëzit queer. Kjo është një pikë ku të gjitha betejat bëhen një.
Të udhëhequr nga parimi i diskriminimit të shumëfishtë (intersectionality), qasja e Heinrich-Boll-Stiftung synon të promovojë bashkim, në vend të fragmentimit nën ombrellën e politikave identitare. Ombrella e përbashkët duhet të jetë një demokraci dhe drejtësi sociale për të gjithë, dhe feminizmi që përjashton cilindo prej të shtypurve nuk po u bën mirë feministeve dhe grave në mbarë botën. Në fund të fundit, njerëzit queer ishin ata që mbështetën fuqishëm lëvizjet dhe revolucionet feministe në vitet '60 në shumë vende të botës. Koncepti i diskriminimit të shumëfishtë (intersectionality) fokusohet në: kush tjetër i përket grupit tonë të shtypur dhe si mund të shprehim më shumë solidaritet. Në këtë mënyrë mund të shohim se nga vjen fuqia dhe ku përplaset, ndërlidhet dhe kryqëzohet.
Vizioni për të ardhmen
Puna jonë ka një vizion të qartë: një botë pjesëmarrëse, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, përtej përjashtimit heteronormativ dhe patriarkal, të çliruar nga çdo strukturë fuqie shkatërruese. Brenda lëvizjeve politike, globale dhe sociale, ka përgjigje dhe qasje të ndryshme në të cilat përkasin feminizmi dhe aktivizmi LGBTIQ+ së bashku. Një vënie në pikëpyetje e vazhdueshme e pushtetit patriarkall është një çështje qendrore, dhe të dyja lëvizjet - feministe dhe LGBTIQ+ luftojnë kundër këtyre strukturave të pushtetit.
Bashkimi i njerëzve nga rajone të ndryshme të botës për të ngritur zërin e tyre, duke rritur kështu shkëmbimin dhe bashkëpunimin transkombëtar dhe transrajonal, është hapi i parë drejt krijimit të solidaritetit botëror. Është veçanërisht e rëndësishme për ne që të dëgjohen zërat e aktivistëve dhe studiuesve LGBTIQ+ në zonën Globale Jug dhe Veri-Jug.
Një fokus qendror këtu është perspektiva e Jugut Global. Në veçanti, njerëzit e prekur nga racizmi dhe armiqësia LGBTIQ+ kanë nevojë për vëmendje dhe partnerë të besueshëm. Prandaj, Heinrich-Boll-Stiftung mbështet posaçërisht njerëzit, projektet dhe perspektivat e njerëzve interseks dhe transgjinorë me ngjyrë nga Jugu Global.
Ky artikull u shfaq për herë të parë këtu: www.boell.de