Në Tiranë po zhduket kontingjenti i ndërtesave historike. Objektet e mbrojtura të kulturës e humbasin statusin e tyre brenda natës dhe prishen ditën tjetër. Vitin e shkuar u rrafshuan të paktën dhjetë vila. Në vendin e tyre ndërtohen godina shumëkatëshe banimi dhe tregtare nga investitorë privatë. Gjë që nuk iu duhet banorëve të qytetit.
100 vjet histori
Shumica e vilave u ndërtuan pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i vendit, deklaron Doriana Musaj. Planifikuesja urbane 37-vjeçare jep mësim në universitetin Polis në Tiranë. Për shkak të lidhjeve të ngushta të mbretit Ahmet Zog me Italinë, shumë prej vilave u projektuan nga arkitektë italianë. Falë tyre Tirana ka aksin e saj kryesor dhe një pjesë të arkitekturës së saj monumentale. Në vila u vendosën zyrtarë dhe tregtarë të pasur. Sot s’ka mbetur asgjë që të na kujtojë se në njërën prej tyre jetonte edhe mbreti Zog. Vila Njuma (1924) s’bie në sy pas një muri të lartë, rrethuar nga ndërtesa tetëkatëshe.
Së bashku me disa gazetarë nga Citizen Channel, Doriana po hulumton prej muajsh lidhur me trashëgiminë historike të qytetit, viziton vilat dhe flet me banorët. Rezultatet i kanë përpunuar në faqen e internetit "Urban Stories": Vilat mund të vizitohen nëpërmjet një harte interaktive. Aty gjenden informacione për godinat, si edhe video ku banorët tregojnë historitë e tyre. Projekti është një reagim ndaj mungesës së transparencës së autoriteteve përgjegjëse, të cilat i lenë të painformuar qytetarët e Tiranës lidhur me atë që po ndodh me trashëgiminë kulturore të qytetit, deklaron gazetari Lorin Kadiu. Atë e ka frymëzuar pamja nga ballkoni i zyrës. Ndryshimi i shpejtë i qytetit vështirë së mund të mos dallohet nga kati i pestë.
Në intervistën për Urban Stories pronari i Vilës Njuma, tregon se pas përfundimit të vilës, gjyshin e tij e kishte ftuar për një bisedë mbreti Zog që t’ia linte atij për disa vjet. Ndërsa tregon historinë e shtëpisë, ngjit me kujdes shkallët e drunjta dhe i çon gazetarët në ballkon. Dikur vështrimi rrokte edhe xhaminë në Sheshin Skënderbej në qendër të qytetit. Kurse sot e bllokojnë pamjen kullat e banimit të dekadave të fundit.
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste në vitin 1944, Enver Hoxha instaloi regjimin e shërbimit sekret, i mbushi burgjet plot dhe e izoloi vendin nga bota e jashtme. Përfituesit e regjimit të mbretit, pra ata që jetonin në vilat e Tiranës, qenë viktimat e para të regjimit. Disa u dëbuan, shpronësuan, arrestuan dhe ekzekutuan. Disa të tjerë u detyruan të merrnin familje të panjohura për të jetuar në shtëpitë e tyre. Jo rrallë, qiramarrësit e rinj kishin si detyrë të përgjonin pronarët e shtëpisë. Për çfarë flitej në shtëpi? Çfarë librash lexonin? Edhe në vilën Njuma pati qiramarrës që qenë të detyruar të jetonin aty deri në vitet gjashtëdhjetë.
Ndërkohë, regjimi i Hoxhës e projektoi qytetin sipas një modeli socialist. Rregullimi s’ishte i kufizuar në hapësirat publike - krahu i gjatë i diktatorit arriti në dhomën e ndenjjes. Pasi Shqipëria u shpall shtet ateist në vitin 1967, ushtarët e partisë shkuan derë më derë duke mbledhur objekte të shenjta. Lëvizshmëria e qytetarëve iu nënshtrua gjithashtu kontrolleve të rrepta; vendi i banimit nuk zgjidhej lirshëm.
Dekadat e planifikimit nga lart poshtë u pasuan nga një fazë anarkie: me ndërrimin e regjimit në vitin 1991, filloi një eksod ekstrem rural. Migrimi ishte një reagim ndaj lirisë së lëvizjes së fituar rishtazi dhe kushteve problematike të jetesës në rajonet rurale. Me shpresën për një të ardhme më të mirë, dhjetëra mijëra qytetarë u nisën drejt kryeqytetit. Deri në vitin 2001, më shumë se gjysma e popullsisë kishte lënë vendbanimin e origjinës. Kur mbërritën në Tiranë, ata zunë hapësira apo vila të lira, si dhe objekte industriale të pashfrytëzuara në periferi të qytetit. Madje edhe hapësirat e gjelbërta dhe parqet u shndërruan me iniciativë vetjake. Jeta joformale u bë një fenomen masiv. Për mbrojtjen e monumenteve as që diskutohej në atë kohë, kështu që lagje të tëra të qytetit u ristrukturuan brenda pak vitesh.
Vilat që mbijetuan në këtë periudhë tregojnë njëqind vjet histori. Ato dëshmojnë për urbanizimin e Tiranës, historinë arkitekturore evropiane, dekadat e shtypjes dhe kaosin e fazës së transformimit. Viti i njëqind si kryeqytet do të kishte ofruar një mundësi për t'u përballur me të kaluarën e vet. Në vend të kësaj, qyteti shkatërroi vendet potenciale të përkujtimit.
Grande Finale
Për shkak të politikës së shpronësimit të Hoxhës dhe zhvillimit urban joformal të dekadave të fundit, statusi ligjor i shumë pronave dhe ndërtesave është i paqartë edhe sot. Për disa vila kjo do të thotë: Ata shkatërrohen, ndërsa pronarët e tyre të mundshëm janë në procese gjyqësore që zgjasin me vite. Në fund, palët shpesh vendosin t‘i shesin në vend të kostove të larta të restaurimit.
Kur një objekt shpallet monument kulture, s’ka të bëjë me gjendjen e ndërtesës. E vërtetë që shpesh kriteret sipas të cilave u jepet apo u hiqet ky status mbeten të paqarta – pa ndonjë sqarim disa monumente zhduken nga lista. Por vazhdimisht duket sikur autoritetet e shfrytëzojnë statusin si instrument për të spekuluar me territorin. Kjo përshtatet me axhendën neoliberale të kryeministrit. Për vite me radhë qeveria është duke aplikuar partneritetet publiko-private në të gjitha fushat e ekonomisë, shumica e të cilave u jepet me procedura opake kompanive private. Qëllimet e zhvillimit urban të Tiranës orientohen drejt maksimizimit të fitimit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Për këtë kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj angazhon arkitektë me emër dhe marketingun e qytetit. Projektet e mëdha u jepen kryesisht zyrave të huaja. Që atëherë, Tirana shfaqet në revista me shkëlqim dhe revista të arkitekturës së huaj. Ai vendos në skenë me sukses imazhin e një qyteti filantropik. Ndërkohë që Tirana ka një problem masiv mjedisor. Në renditjen e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me ndotjen në Evropë, Shqipëria renditet e dyta.[1] Kjo vjen edhe si pasojë e ndotjes së ajrit nga trafiku dhe kantieret e ndërtimit në kryeqytet.
Faktin që arkitektët e huaj po strukturojnë qytetin, Doriana e përkufizon si "proces kolonial". Arkitektët shqiptarë pyeten po aq pak, sa edhe banorët e qytetit. S’ka pothuajse asnjë procedurë pjesëmarrjeje, apo dëgjesa dhe qytetarëve rrallë iu merret mendim për projektet e ndërtimit.
Pasojat e menjëhershme janë ngushtimi dhe privatizimi në rritje i hapësirave publike. Nuk ka më vend për aktorët e shoqërisë civile në Tiranë. Qendra sociale LOGU, vendi i takimit të lëvizjes studentore, së shpejti do të duhet të zhvendoset për herë të tretë, sepse ndërtesa aktuale do t'i hapë rrugë një kulle banimi. “Ne po humbasim vendin tonë te pronarët e firmave të ndërtimit. Të pasurit po grabisin vendin tonë”, - thotë aktivisti Nebih Bushaj. Me vilat zhduken gjithashtu hapësirat e mundshme për emancipim. Në të njëjtën kohë, rritja e qirave po i largon studentët nga qendra e qytetit. Kjo gjithashtu i bën më të vështira lëvizjet urbane si protesta e studentëve
Zhvillimi dëmton gjithashtu ata që mund të qëndrojnë. Sepse zhvillimi infrastrukturor s’mund të përballojë rritjen e shpejtë të qytetit gjatë dekadave të fundit. Në fund të epokës komuniste, Tirana numëronte vetëm 245.000 banorë, dhjetë vite më vonë 341.000 dhe sot rreth një milion. Instalimi i mëvonshëm i kanalizimeve, energjisë elektrike dhe trafikut është i vështirë, kështu që për pasojë disa familje gjatë muajve të verës kanë ujë të rrjedhshëm vetëm disa orë në ditë. Dendësia në rritje për shkak të ndërtesave shumëkatëshe të banimit ka të ngjarë ta rëndojë edhe më shumë infrastrukturën.
Tërmeti i nëntorit 2019 zbuloi përmasat e ngushtësisë strukturore. Askush s’mund të ndihej i sigurtë në kanionet e shtëpive. Në mungesë të sipërfaqeve të lira, njerëzit u larguan nga qytetit dhe fjetën në automjetet e tyre në parkingjet e qendrave tregtare, apo në sheshpushimet e autostradave.
Shumë banorë s’mund të identifikohen më me qytetin. „Mbaj mend një Tiranë që mbante erë portokalli“, tregon aktivistja Gresa Hasa. "Sidoqoftë nuk sjell dot në mendje kujtime vizuale, sepse ato vende s’janë më. Unë s’gjej dot gjurmët e fëmijërisë sime. Qyteti është shndërruar në një monstër betoni, i cili më duket gjithnjë e më i huaj".
Sidoqoftë vazhdon ndërtohet pa pushim. Kujt i qëllon që këto ditë të shëtisë përmes sheshit Skënderbej, do t’i bjerë në sy të paktën një vinç në kantieret e ndërtimit në të gjitha pikat e horizontit. Gjendja e përhershme e ndërtimit synon të sugjerojë një rritje dhe të krijojë investime të huaja direkte. Ndërkohë që është plotësisht e paqartë se për kë po ndërtohet këtu. Sepse fluksi është ngadalësuar tashmë, kështu që ndërtesa të reja të shumta mbeten të pabanuara. Nëse ecni nëpër Tiranë buzëmbrëmje, mund të gjeni blloqe apartamentesh në të cilat s’është ndezur asnjë dritë. Në të njëjtën kohë, popullsia e përgjithshme e Shqipërisë është në rënie të vazhdueshme: nga 3.87 milion në vitin 1991 në 2.87 milion në vitin 2020.[2] Për këtë arsye ngrihen vazhdimisht akuza se paratë vijnë nga trafiku i drogës dhe se projektet e ndërtimit përdoren për pastrim parash.
Vetëm kohët e fundit media shqiptare publikuan pjesë nga regjistrimet telefonike në vazhdën e hetimeve të autoriteteve italiane kundër grupit kriminal "Ndrangheta", e cila konsiderohet si organizata më e fuqishme mafioze në Evropë, thuhet se dominon tregtinë e kokainës dhe ka depërtuar në disa degë të ekonomisë. Në një nga bisedat e regjistruara, anëtarët e pretenduar të klanit shprehin interesin e tyre për të investuar në industrinë shqiptare të ndërtimit. Supozohet t’i ndihmojë një biznesmen pranë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj. Ndërsa të dy mohojnë përfshirjen, mediat vendase kanë raportuar prej vitesh për lidhjet e dyshuara të grupit me politikën shqiptare.
Ka protesta në rritje kundër vendimmarrjes autoritare dhe mungesës së transparencës. Aktivistët po kërkojnë të drejtën e tyre për t’u përfshirë në projektimin e qytetit dhe mbrojtur veten ndaj projekteve të ndërtimit. Protesta kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, në vendin e të cilit do të ndërtohet një qendër tregtare, u bë e njohur përtej kufijve të vendit. Aktorët dhe aktivistët pushtuan ndërtesën për muaj të tërë.
Dhe ndërtimi agresiv s’toleron rezistencë. Kur Shqipëria u prek nga koronavirusi, qeveria vendosi në mënyrë të përsëritur shtetrrethimin. Pas çdo mbylljeje, në qytet krijoheshin boshllëqe të reja. Sepse ndërsa s‘lejohej askush të dilte nga shtëpia, qeveria prishte vilat. "Pesë prej tyre në dy javë," raporton Lorini." Dhe pastaj në fund Teatri Kombëtar si grade finale. Pastaj ora policore u hoq dhe ne u lejuam të dilnim jashtë e të shihnim çfarë kishte mbetur nga qyteti".
[1] EEA: Health environment, healthy lives: how the environment influences health and well-being in Europe, EEA Report No 21/2019, URL: https://www.eea.europa.eu/publications/healthy-environment-healthy-lives, 22.12.2020.
[2] Statista: Popullsia e përgjithshme e Shqipërisë deri në vitin 2025, 10.2020, URL: https://de.statista.com/statistik/daten/studie/388962/umfrage/gesamtbevoelkerung-von-albanien/, 22.12.2020.