Heinrich Böll ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Gjermanisë së pasluftës. Në këtë kronologji, kujtojmë jetën, veprat dhe ndërhyrjet e tij politike.
Heinrich Böll ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Gjermanisë së pasluftës. Në këtë kronologji, kujtojmë jetën, veprat dhe ndërhyrjet e tij politike.
Ndërhyrja e guximshme dhe e pagabueshme e Heinrich Böllit ndikoi në kulturën politike gjermane. Gjatë gjithë jetës së tij, Heinrich Böll kapërceu kufijtë ideologjikë për të mbështetur kolegët e tij të persekutuar, aktivistë të të drejtave civile dhe të burgosur politikë. Këto cilësi i dhanë epitetin tallës “Kujdestar i udhëtarëve disidentë” nga një revistë e Gjermanisë Lindore.
Librat dhe esetë e tij portretizojnë 40 vitet e para të demokracisë gjermane pas diktaturës naziste. Në kronologjinë në vijim, kujtojmë një artist dhe intelektual të rëndësishëm e të suksesshëm, puna e të cilit vazhdon të jehojë edhe sot me lexuesin.
1917- 1937: Mes dy luftërave, fëmijëria dhe adoleshenca.
1917
Lindi në Këln, më 21 dhjetor, Heinrich Böll, fëmija i gjashtë i Maria dhe Viktor Böll, një mjeshtër zdrukthëtar dhe drugdhendës, kur uria e kohës së luftës ishte në pikën më të keqe.
1921
Familja Boll shpërngulet nga pjesa jugore e qytetit të vjetër në qarkun më periferik të Raderbergut.
1924 - 1928
Heinrich ndjek shkollën fillore në Köln-Raderthal.
1928 - 1937
Ai ndjek gjimnazin Kaiser-Wilhelm, një shkollë klasike gramatike në Këln.
1929
Depresioni i madh çon në falimentimin e bankës së vogël të zejtarëve, në të cilën Viktor Böll kishte investuar. Familjes Böll i duhet të shesë shtëpinë e tyre në Raderberg dhe kthehen në pjesën jugore të Këlnit qendror. Në vitet që pasojnë, nuk janë më mirë se pjesa tjetër e tre milion të papunëve. Vizitat tek pengmarrësit, përmbaruesit në prag të derës dhe sekuestrimi i mallrave shtëpiake u bënë pjesë e jetës së përditshme.
1933 - 1936
Më 30 janar 1933, Hitleri emërohet Kancelar dhe terrori nazist përhapet edhe në Këln. Familja Böll diskuton shpesh dhe hapur ngjarjet politike. Në ditën e zgjedhjes së Hitlerit, nëna e Heinrich thotë, “Kjo do të thotë luftë!” Dorëshkrime me datë në pasurinë letrare të Böllit, të tilla si tregime të shkurtra dhe poema tregojnë se ai nisi të shkruante në vitin 1936.
1937
Heinrich merr provimet e maturës (Abitur) dhe fillon një stazh me librashitësin Math. Lemperz në Bon, megjithatë, dha dorëheqjen vetëm pas një periudhe të shkurtër.
1938 - 1945: “Kur shpërtheu lufta” dhe “Kur mbaroi lufta”
1938
Bölli thirret për të kryer shërbimin e punës së Rajhut (Reichsarbeitsdienst).
1939
Në prill, Bölli regjistrohet në Universitetin e Këlnit. Në vjeshtë, me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, atij i bëhet thirrje për shërbim ushtarak.
1939 - 1945
Bölli vendoset në një kamp stërvitor të ushtrisë në Osnabrück (deri në maj 1940); në Poloni (maj dhe qershor 1940); në Francë (qershor deri në shtator 1940); në Gjermani (shtator 1940 deri në maj 1942); përsëri në Francë (maj 1942 deri në tetor 1943); në Rusi, në rajonet e Krimesë dhe Odesës (tetor 1943 deri në shkurt 1944); më në fund në vende të ndryshme të Gjermanisë deri sa u burgos në prill 1945.
Gjatë viteve të luftës, ai shkruan pothuajse përditë letra familjes së tij dhe të fejuarës së tij Anemarie Cech, me të cilën martohet në vitin 1942. Në vitin 1944, nëna e tij vdes nga një atak në zemër, pas një sulmi ajror. Përgjatë luftës, Bölli nuk donte të gradohej në rangun e oficerit dhe shmangu shërbimin aktiv sa më shumë që të ishte e mundur. Në fillim ai paraqiti kërkesa për të marrë leje për të studiuar. Më pas, paraqiste raport mjeku ose falsifikonte leje. Ai u plagos katër herë.
Deri në fund të luftës, Heinrich Böll jetoi në Rineland, ku dezerton përkohësisht dhe shkon të fshihet me të shoqen. Pastaj, nga frika se do ta kapnin si dezertor dhe do ta dënonin e pushkatonin, u bashkua sërish me ushtrinë në fund të shkurtit 1945. Pak kohë më pas, u kap nga trupat amerikane.
Më 8 prill 1945, Këlni u çlirua nga ushtria amerikane. Ai ishte rob lufte deri në shtator të vitit 1945. Në të njëjtin vit, lindi djali i tij Christoph, por vdiq pak kohë më pas.
1945 - 1952: Fillimet e një karriere letrare
1946
Familja Böll kthehet në Këln dhe, për një periudhë të shkurtër, jeton në një shtëpi gjysmë të shkatërruar. Heinrich regjistrohet përsëri në Universitetin e Këlnit për të marrë një kartë për ushqime me racion. Ndërkohë punon si asistent në punishten e zdrukthëtarisë që tashmë drejtohej nga vëllai i tij, Alois. Anemarie punon si mësuese në një shkollë të mesme dhe kështu është e aftë të sigurojë të ardhura për familjen. Në të njëjtin vit, Bölli fillon të shkruajë rregullisht. Veprat e fillimit janë romane, si “Kryqi pa dashuri” dhe “Engjëlli i heshtur”, botuar pas vdekjes më 1992, si dhe shumë tregime të shkurtra, fragmente, ese dhe poezi. Shumë nga këto vepra bazohen në përvojën e tij të periudhës së nazizmit, luftës dhe pasluftës.
1947
Në mars, Bölli paraqiti tregimet e tij të para të shkurtra në revista dhe gazeta. Më 3 maj, gazeta Rheinischer Merkur botoi njërën prej tyre, “Para murit me shkallë”, në format shumë më të shkurtuar, nën titullin “Nga koha parahistorike”. Lind djali i Böllit, Raimundi.
1948
Lind djali i tij, René.
1949
Kontrata e parë botuese e Böllit; botohet “Treni ishte në orar”. Familja gjendet në vështirësi financiare pasi pagesat nga botimet janë të pamjaftueshme. Bölli kërkon për një vend pune në radio ose shtëpi botuese dhe mendon të heqë dorë nga të shkruarit.
1950
Lindi djali i tij Vincenti. Për regjistrimin e popullsisë të vitit 1950, Bölli gjen një punë të përkohshme në bashkinë e qytetit të Këlnit. Botohet një vëllim me tregime të shkurtra “Kalimtar, çoji fjalë Spartës se ne ...”
1951
Bölli ftohet të marrë pjesë në një takim të forumit më të rëndësishëm letrar të Gjermanisë Perëndimore, Grupi 47, dhe i jepet çmim për tregimin e shkurtër “Delja e Zezë”. Po këtë vit botohet romani “Adam, ku je”.
1952
Puna e Heinrich Böll përqendrohet gjithnjë e më shumë në problemet aktuale të Republikës Federale. Ai shkruan ese rreth situatës politike, duke sugjeruar se standardet morale po sakrifikohen gjithnjë e më shumë në emër të problemeve ekonomike, sociale dhe politike.
1953 – 1959 Një shkrimtar i njohur
1953
Botohet romani “Dhe kurrë nuk tha më një fjalë” dhe merr vlerësime tejet pozitive. Libri fiton një numër çmimesh.
1954
Familja Böll zhvendoset në shtëpinë e tyre në distriktin e Müngersdorfit të Këlnit. Publikohet romani “Shtëpia pa rojtarë” (i njohur në anglisht si “Nesër dhe dje”). Udhëtimi i parë në Irlandë.
1955
Botohet novela “Buka e viteve të hershme”.
1956
Bölli mban fjalimin e tij të parë të rëndësishëm në publik me rastin e “Javës së vëllazërisë”, një ngjarje e organizuar nga Shoqëritë për Bashkëpunimin Kritiano-Hebraik.
1957
Botohet “Ditari irlandez” i Böllit, pjesë të të cilit ishin botuar në seri që prej vitit 1954.
1958
Botohet koleksioni i tregimeve të shkurtra “Heshtja e akumuluar e doktor Murkes”.
1959
Botohet romani “Bilardo në nëntë e gjysmë”, i konsideruar si një nga veprat kryesore të Böllit.
1960 - 1969: Arti dhe angazhimi
1960
Vdes babai i Böllit.
1961
Pas ndërtimit të Murit të Berlinit më 13 gusht, shpërthen një polemikë e nxehtë për rolin e shkrimtarëve si “ndërgjegjja e kombit”. Së bashku me 22 autorë të tjerë, Bölli i bën thirrje OKB-së që të zhvendosin selinë e tyre në Berlinin Lindor, sikurse edhe në atë Perëndimor.
1962
Botohen dy tregime “Kur shpërtheu lufta” dhe “Kur mbaroi lufta”. Udhëtimi i parë i Böllit në Bashkimin Sovjetik.
1963
Botohet romani “Klouni”. Bölli shkruan gjithnjë e më shumë ese dhe gazetari rreth çështjeve bashkëkohore morale dhe politike.
1964
Botohet tregimi programatik “Mungesa pa leje”.
1965
Në një numër artikujsh, Bölli mbron shkrimtarin dhe këngëtarin gjermano-lindor Volf Bierman kundër sulmeve të mediave gjermano-lindore.
1966
Botohet novela “Fundi i një misioni”.
1967
Böllit i jepet çmimi më prestigjioz letrar i Gjermanisë, Çmimi Georg Büchner. Ai sëmuret rëndë nga hepatiti dhe diabeti.
1968
Në maj, Bölli i drejtohet rreth 70,000 demonstruesve në Bon gjatë një tubimi kundër miratimit të ligjeve të reja të emergjencës. Shoqata e Autorëve Çekë fton Böllin së bashku me Aragon dhe Sartre të vizitojnë Çekosllovakinë. Në gusht, Bölli shkon në Pragë. Ai është dëshmitar i pushtimit të vendit nga trupat e Paktit të Varshavës, duke i dhënë fund përpjekjes së Dubçekut për demokratizimin e vendit.
Bölli blen një shtëpi të vjetër në Langenbroich, një fshat pranë Düren në kodrat Eifel, sot vendndodhja e shtëpisë së Heinrich Böll.
1969
Në mbledhjen inauguruese të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjermanisë (VS), Bölli mban një fjalim me temë “fundi i modestisë”. Qeveria e re e Gjermanisë Perëndimore e udhëhequr nga Uilly Brandt ngjall shpresën e Böllit se Gjermania Perëndimore do të hyjë në një fazë të re politike me politika që i kushtojnë vëmendje më të madhe etikës, veçanërisht në drejtim të marrëdhënieve me Evropën Lindore. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1972, ai del në mbështetje të Social Demokratëve.
Situata politike në Gjermaninë Perëndimore bëhet gjithnjë e më e tensionuar si rezultat i shfaqjes së terrorizmit të krahut të majtë dhe reagimit të tepruar të qeverisë kundër tij. Shumë politikanë konservatorë dhe gazeta denoncojnë Böllin së bashku me intelektualë të tjerë liberalë e me prirje të majta si “baballarët nxitës të terrorizmit”.
1970 - 1980 Laureat për çmimin Nobel
1970
Bölli zgjidhet president i PEN-it për Gjermaninë Perëndimore.
1971
Botohet romani “Portret grupi me një zonjë”. Në takimin e 38-të të Klubit Ndërkombëtar PEN në Dublin, Bölli zgjidhet president. Ai organizon një fushatë publike duke i bërë thirrje qeverisë së SHBA-së të pushojë procedimin kundër aktivistes së të drejtave civile Angela Davis.
1972
Heinrich Böll fiton Çmimin Nobel në Letërsi.
1973
“Portret grupi me një zonjë” përzgjidhet si libri i muajit në SHBA. Si reagim ndaj persekutimit në rritje të shkrimtarëve dhe intelektualëve në mbarë botën, Bölli iu bën thirrje politikanëve të Lindjes dhe Perëndimit që “t'i japin fund njëherë e mirë konceptit hipokrit të mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”.
1974
Aleksandër Solzhenitsyn arrestohet nga autoritetet sovjetike dhe, pas protestave ndërkombëtare, dëbohet nga Bashkimi Sovjetik. Ai vjen në Gjermani ku qëndron me Böllin. Botohet novela “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, i cili trajton reagimin e tepruar kundër terrorizmit të krahut të majtë dhe rolin dashakeq të shtypit të verdhë.
1975
Volker Schlöndorff dhe Margarethe von Trotta kthejnë në film romanin e Böllit “Nderi i humbur i Katerina Blumit”.
1976
Annemarie dhe Heinrich Böll largohen nga Kisha Katolike pa hequr dorë, siç theksojnë ata vetë, “nga besimi”.
1977
Romani i Böllit “Portret grupi me një zonjë” bëhet film dhe hyn në Festivalin e Filmit në Kanë.
1978
Një komitet ndërkombëtar shkrimtarësh, duke përfshirë Böllin, i kërkon presidentit të Koresë së Jugut të falë autorin Kim Chi-ha i cili, për vite me radhë, mbahej në izolim për qëndrimin e tij politik.
1979
Bölli shpreh hapur mbështetjen e tij për organizatën e sapokrijuar humanitare “Një Anije për Vietnamin”, e cila po përpiqej të shpëtonte varkat vietnameze me njerëz.
Bölli supozohet të marrë Urdhrin e Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë, por e refuzon këtë nder.
Në dhjetor, Bölli udhëton për në Ekuador, ku, pasi vuan nga një sëmundje vaskulare në këmbën e djathtë, i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në Quito.
1980
Pas kthimit të tij në Gjermani, Bölli i nënshtrohet një operacioni tjetër kirurgjikal.
Pas takimit me një delegacion të grave boliviane, Heinrich Böll kërkon që gjendja e të drejtave të njeriut në vend të hetohet nga një komision ndërkombëtar.
1982 - 1985: Estetika e rezistencës
1981
Botohet vepra e parë e madhe autobiografike e Böllit, “Ç'do të bëhet me djalin?”. Më 10 tetor, Böll iu drejtua rreth 300,000 njerëzve në një tubim paqeje në Bon që protestonin kundër vendimit të NATO-s për të vendosur një numër më të madh armësh bërthamore në Gjermaninë Perëndimore.
1982
Bölli bën fushatë kundër kushteve në Poloni, pas puçit ushtarak që ndodhi atje. Familja Böll zhvendoset në Merten, pranë Këlnit; djali i Böllit, Raimundi, vdes. Böllit i jepet titulli qytetar nderi i Këlnit.
1983
Në një letër të hapur drejtuar autoriteteve sovjetike, Bölli kërkon lirimin e Andrei Sakharovit. Së bashku me shkrimtarë të tjerë, ai bën fushatë kundër përpjekjeve të qeverisë së SHBA-ve për të përmbysur qeverinë Sandinista të Nikaraguas. Pavarësisht shëndetit të dobët, Bölli merr pjesë në bllokadën e kazermave të SHBA-së në Gjermani në shenjë proteste kundër planeve të NATO-s për të vendosur raketa bërthamore shtesë. Gjatë fushatës së zgjedhjeve federale në Gjermaninë Perëndimore, Bölli del në mbështetje të Partisë së Gjelbër.
1984
Ministri francez për kulturën, Jack Lang, dekoron Heinrich Böllin si Komandant i Urdhrit të Artit dhe Letërsisë.
Bölli merr çmimin danez Jens Bjørneboe dhe paratë e çmimit ia dhuron organizatës “Një anije për Vietnamin”.
1985
Në 40 vjetorin e kapitullimit të forcave të armatosura të Gjermanisë naziste, botohet “Letra për bijtë e mi - ose katër biçikleta” e Böllit. Botohet romanit i tij i fundit “Gratë në një peizazh lumi”.
Në fillim të korrikut, Bölli duhet t'i nënshtrohej një operacioni për herë të dytë. Del nga spitali në 15 korrik, duke ditur se do t'i duhej të bëjë më shumë operacione. Në mëngjesin e 16 korrikut, Bölli vdes në shtëpinë e tij në Langenbroich (Eifel). Ai u varros më 19 korrik në Bornheim-Merten pranë Këlnit.
E drejta e autorit të veprave të cituara të Heinrich Böll: Verlag Kiepenheuer & Witsch, Köln Stand: 15.7.05