Heinrich Böll: biografi e shkurtër

Biografi

Heinrich Böll është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të njohur të Republikës Federale të Gjermanisë si dhe një kronikan kritik i historisë së Gjermanisë në mesin e shekullit.

Koha e leximit: 3 minutes

Ndërhyrja në çështjet publike, është e vetmja ndërhyrje me vend.” - Heinrich Böll

Heinrich Böll është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të njohur të Republikës Federale të Gjermanisë. “I shënjuar nga koha dhe bashkëkohësit e mi, për atë që brezi im jetoi, përjetoi, pa dhe dëgjoi,” siç do ta përshkruante vetë ai, ishte kronikani kritik i historisë së Gjermanisë në mesin e shekullit. 

Në vitin 1972, mori Çmimin Nobel në Letërsi për romanet dhe tregimet e tij të shkurtra.

Ndërhyrja e tij e guximshme dhe e pagabueshme pasuroi dhe ndikoi ndjeshëm në kulturën politike gjermane. Gjatë gjithë jetës së tij, Heinrich Böll kapërceu të gjitha kufijtë ideologjikë për të mbështetur kolegët e tij të persekutuar, aktivistë të të drejtave civile dhe të burgosur politikë. Pikërisht për këtë mbështetje të pakursyer, një revistë e Gjermanisë Lindore i vuri atij epitetin tallës “kujdestar i udhëtarëve disidentë”.

Angazhimi i tij botëror ndaj të drejtave të njeriut rriti shumë imazhin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe nxiti mirëkuptimin ndërkombëtar. Librat dhe esetë e tij japin një portretizim të gjallë të 40 viteve të para të demokracisë gjermane pas diktaturës naziste. I zotuar për tu ngritur kundër kërcënimit global të shkatërrimit bërthamor, ai u përfshi në mënyrë aktive në lëvizjen e paqes në fillim të viteve 1980.

Për disa vite me radhë, Heinrich Böll mbajti postin e presidentit të shoqatës ndërkombëtare të poetëve, eseistëve dhe novelistëve (PEN).

Veprat e tij më të rëndësishme përfshijnë “Buka e viteve të hershme”, “Bilardo në nëntë e gjysmë”, “Klouni”, “Portret grupi me një zonjë”, “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, “Gratë në një peizazh lumi” dhe “Gazeta irlandeze”. Shumë nga librat e tij janë bërë filma.

Me miratimin e familjes Böll dhe Konventës Kombëtare të Bündnis 90/Të Gjelbrit (Partia e Gjelbër), Fondacioni mban emrin e Heinrich Böll sepse ai mishëroi atë kombinim të rrallë të ndërgjegjësimit politik, krijimtarisë artistike dhe integritetit moral që mbetet një model për brezat e ardhshëm. Guximi për të ngritur zërin mbi bazën e besimit vetjak; nxitja e për të ndërhyrë në çështjet publike; dhe aktivizmi i pakushtëzuar në mbështetje të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut ishin karakteristikat e shkrimtarit Heinrich Böll. Fondacioni është i zotuar të vazhdojë këtë traditë.